Deklarata e fortë e ish-deputetes: Shpesh përgjigja e tamponit në testimet e COVID nuk vjen kurrë, ngatërrohet nëpër laboratore
Ish-deputetja dhe ish-ministrja Klajda Gjosha deklaron se shifrat e pandemisë që bëhen publike nga autoritetet zyrtare janë “vetëm 10% e realitetit në terren”.
Klajda Gjosha bën përgjegjëse Qeverinë, “për çdo situatë të dalë jashtë kontrollit”, dhe thekson se papërgjegjshmëria në këto momente “është e pafalshme’.
Në një postim në rrjetet sociale, Gjosha flet dhe për një detaj të rëndësishëm, kur thotë se “edhe ata persona që kanë shansin t’u merret një tampon, shpesh ndodh që përgjigja nuk vjen kurrë, pasi ngatërrohet nëpër laboratore, ose nëse janë me fat do të marrin një përgjigje pas 7 ditësh”.
Postimi i plotë i Klajda Gjoshës në Facebook:
Situata me pandeminë është alarmante. Përvec dhjetëra ambulancave që vijnë e ikin nga spitalet, me qindra pacientë presin rradhën në korridoret e urgjencave pë të marrë ndihën e parë.
Shifrat që bëhen publike janë vetëm 10% e realitetit në terren. Gjurmimet e rasteve janë lënë në harresë! Edhe ata persona që kanë shansin t’i merret një tampon, shpesh ndodh që përgjigja nuk vjen kurrë, pasi ngatërrohet nëpër laboratore, ose nëse janë me fat do të marrin një përgjigje pas 7 ditësh, atëherë kur virusi ka arritur pikun e tij në trupin e gjithëkujt!
Askush nuk flet për faktin se Covid ka tre lloj kostosh, e para është financiare. Për një të prekur në nivel të moderuar duhet minimumi 150.000 lekë të reja për të kryer disa sete analizash dhe për të marrë mjekimin e nevojshëm. Shifër kjo thuajse e pamundur për standartin shqiptarë, ndaj në mënyrë urgjente duhet menduar për një rimbursim të shpejtë për cdo qytetar!
E dyta është kosto psikologjike. Virusi po dëmton rëndë shëndetin mendor të të gjithë të prekurve dhe ka nevojë të jashtezakonshme për bashkangjitjen e psikologëve në të gjitha rastet, qofshin ato të rënda apo të lehta! Rastet e hedhjeve nga godinat e spitaleve flasin sa mijëra fjalë!
E treta, është kostoja e shëndetit të përgjithshëm. Këtu nevojat janë për suportim të mjekëve dhe infermerieve në vijën e parë të luftës, me financa shtesë dhe infrastrukturë spitalore. Pasojat e këtij virusi në organizëm kërkojnë një ndjekje mjekësore për një kohë të gjatë. Dhe mesa duket kjo është sëmundja e durimit dhe e vënies në provë për të ruajtur qetësinë.
Qeveria është ajo që mban përgjegjësi për cdo situatë të dalë jashtë kontrollit dhe papërgjegjshmëria në këto momente është e pafalshme! Cdo jetë njeriu vlen më shumë se cdo gjë tjetër, ndaj duhet vendosur mbi cdo propagandë apo interes të pushtetit!
Koha nuk pret, duhet vepruar tani!