Deklarata e Samitit BE-Ballkani Perëndimor: Dialogu Kosovë-Serbi, kritik për të gjithë rajonin

Nesër në Tiranë do të mbahet Samiti i BE-së dhe Ballkanit Perëndimor. Në deklaratën me të cilët liderët e Bashkimit Europian dhe ata të Ballkanit Perëndimor do të dalin në përfundim, theksohet rëndësia e partneritetit strategjik mes vendeve të Ballkanit dhe BE-së, përballë agresionit rus në Ukrainë, që po vendos në rrezik paqen dhe sigurinë globale. BE gjithashtu konfirmon përkushtimin e saj të plotë për perspektivën integruese të Ballkanit Perëndimor, bazuar në reforma të besueshme dhe parimet e meritës.

BE mirëpret përkushtimin e vendeve partnere në Ballkanin Perëndimor për të mbrojtur vlerat dhe parimet europiane, në përputhje me ligjin ndërkombëtar. Qëndrimi bashkë me BE-në është shenjë e qartë e orientimit strategjik të partnerëve, tani më shumë se kurrë, teksa Rusia përshkallëzon luftën dhe agresionin e saj në Ukrainë. Një vizion i përbashkët për të ardhmen përfshin përgjegjësi të përbashkëta.

“Teksa thellojmë bashkëpunimin me partnerët, u bëjmë thirrje që të bëjnë përparime të shpejta dhe të qëndrueshme drejt rreshtimit të plotë me Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë me BE-në. Vlerësojmë ata partnerë të Ballkanit Perëndimor që kanë treguar tashmë përkushtimin strategjik dhe i inkurajojmë ata që nuk e kanë bërë, që të ndjekin të njëjtin shembull”.

Sa i përket dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, në dokument theksohet mbështetja e plotë për procesin dhe i bëhet thirrje që të ecet përpara, pasi është pikë kritike për stabilitetin dhe zhvillimin e të gjithë rajonit.

SHKARKO APP