Deklaratat e Kokës, reagon PD, Spaho: Prokuroria të nisë hetimin e zgjedhjeve në Durrës
Partia Demokratike i kërkon Prokurorisë të nisë menjëherë hetimet lidhur me vjedhjen e votave në Bashkinë e Durrësit në zgjedhjet vendore të 2015-ës.
Është ky reagimi i nënkryetarit të PD-së, Edmond Spaho, i cili thirrjen e tij e bazon tek deklaratat e forta të ministrit të LSI-së Lefter Koka, i cili në intervistën e tij për “Ora News” pohoi se ka pasur presione ndaj tij në garën e dy viteve më parë, ku ai pohoi se kandidatja e PD-së në atë kohë Grida Duma duhej të ishte kryetare e Bashkisë së Durrësit, e jo Vangjush Dako.
Sipas Spahos, këto deklarata janë një paralajmërim i fortë që të hysh me Edi Ramën kryeministër, do të thotë të legjitimosh vjedhjen e zgjedhjeve.
Reagimi i plotë i Edmond Spahos në facebook
Kjo deklaratë është shumë e rëndë. Në Durrës zgjedhjet janë vjedhur dhe këtë e pohon një përfaqësues shumë i rëndësishëm i maxhorancës. Prokuroria duhet të fillojë hetimet. Në diskutimin që kam mbajtur në parlament menjëherë pas zgjedhjeve në Durrës kam paraqitur provat se si zgjedhjet u vodhën në Durrës. A ka nevojë më për OSBE-në që të kuptojë që me Edi Ramën nuk ka zgjedhje të lira e të ndershme. Të hysh në zgjedhje me Edi Ramën kryeministër do të thotë të legjitimosh vjedhjen e zgjedhjeve. Nuk di a ka nevojë për më shumë fakte se sa kur këtë e thotë një ministër i qeverisë. Me gjithë këtë nesër kjo deklaratë do kalojë pa vëmendje dhe media do vazhdojë të shqetësohet nëse iks vipe i ka cicat me silikon apo jo.
/H. Mesi

KOHA JONË SONDAZH

