Dekorohet Robert Papavrami, Rama: Gur themeli në shkollën e violinës
Duke e gërshetuar fjalimin e tij me një letër që Tedi Papavrami i kishte dërguar Kryeministrit Rama për mospraninë e tij në këtë ceremoni për të atin, Rama përcolli jo vetëm emocion tek profesor Papavrami, por edhe vlerësime për kontributin e tij në shkollën shqiptare të vilonave.
Rama e ktheu pas në kohë profesorin e Akademië së Arteve teksa i kujtoi momentet e vështira kur Berti, siç kryeministri i foli gjatë gjithë konferencës, ndërtoi ëndrrat e tij ndryshe, brenda regjimit të asaj kohe.
Madje ai nuk harroi të prekte edhe marrëdhëniet shpesh të tensionuara at e bir dhe disiplinën e hekurt për ta bërë Tedin ky që është sot. Rama theksoi se shpesh figura te tilla lihen në harresë edhe pse kontributi i tyre është shumë më i madh se emrat që lakohen në fushën e artit shqiptar.
Pedagogu 80-vjeçar ndonëse nuk ka mundur të fshehë emocionet e tij përpara Kryeministrit dhe të pranishmeve, i kaloi ato me batuta. Si mjeshtër i muzikes, Robert Papvrami la porositë e tij edhe për Liceun Artistik.
Ceremonia për dekorimin e profesorit të njohur të violinës Robert Paprvrami u zhvillua në sallën e hartave në kryeministri. Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro vlerësoi faktin që kjo sallë është kthyer në vendin ku vlerësohet arti.
Fjala e Kryeministrit Edi Rama në ceremoninë e dekorimit të profesorit Robert Papavrami
« Babo,
Nuk erdha dot, po te pakten po studjoj mirë violine, keshtu qe edhe ti je me i qete! »
Kështu e nis letrën e tij Tedi Papavrami, në pamundësi për të marrë pjesë në këtë pritje që unë kam privilegjin të organizoj; në nderim të një shqiptari shumë kokëfortë, të një pedagogu krejt të veçantë, të një babai me fatin pa hesap.
Pse Robert Papavrami, apo më saktë, Bert Papavrami, është një baba me fatin pa hesap, kjo jam i bindur se nuk ka nevojë për asnjë shpjegim. Sot djali i tij ndodhet në majën botërore ku vetëm një shqiptar shumë kokëfortë, si Berti, mund të guxonte ta parafytyronte të birin qysh në krye të herës kur e mbante në krahë, i kyçur në ferrin e izolimit komunist ku as ëndrrat nuk e afronin botën përtej.
Në albumin e kujtesës së Liceut Artistik të Tiranës, tek kapërcyelli i viteve ’80, pantallonat e shkurtra të Tedit në mes të dimrit dhe motoçikleta vintage e Bertit, janë dy dëshmi ekskluzive të një aventure të jashtëzakonshme që u përgatit fshehtaz për vite me radhë. Aq fshehtaz u krijuan të gjitha kushtet e asaj aventure për violinë pa orkestër, sa edhe vetë të dy heronjtë që do të trondisnin Shqipërinë e më pas do të magjepsnin botën me komplicitetin e tyre, i’a fshehën sa mundën njëri – tjetrit atë që donin. Tedi donte lirinë e fëmijës pa violinë, Berti donte lirinë për fëmijën violinist.
Sidoqoftë sot nuk kremtojmë thjesht gëzimin e pasjes mes nesh të babait të Tedit, pa pedagogjinë e veçantë të të cilit zor se do ta kishim pasur Papavramin e Tretë – për kë nuk e njeh këtë dinasti kokëfortësh, Berti është Papavrami i Dytë. Sepse i pari ishte i famshmi Doktor Papavrami, të cilit hija e pasardhësve i ka hyrë padrejtësisht në hisen e vet të lavdisë. Tedi e di mirë këtë punë si duket, përderisa në letrën që ka shkruar me këtë rast, thotë se « një Papavram njëherazi mbase mjafton për Shqipërinë, e cila edhe pse mban shumë, nuk është kaq e madhe, ndërkohë që po bëhen 3 gjenerata që e ngarkojmë me emrin tonë ». « Dhe në fund të fundit, kjo është dita jotja jo imja », e justifikon ende më qartë Tedi mungesën e tij sot këtu, sepse sot ne i gëzohemi pranisë së Bert Papavramit si një mundësi për të nderuar pedagogun krejt të veçantë të shumë talenteve shqiptare të violinës.
« Ne ditet e sotme gjerat harrohen gjithmonë e më shpejt. Edhe ne Shqipëri, vënd ku ti » – shkruan Tedi – « ke shumë më tepër kujtime dhe shokë se unë, e kam ndjere veten ne nje pozite disi te çuditshme dhe jo të rehatshme duke vene re nevojen për të kujtuar meritën tënde të pakrahasueshme ne fushen e violines dhe te harqeve ne pergjithesi. Pas çdo muzikanti te mire ka nje profesor te mire dhe ne se muzikanti, kur eshte me fat, ka zakonisht nje profesor te tille gjate jetes se tij, ky i fundit mund te prodhoje me dhjetera muzikante te mire, gje te cilen e ke bere vazhdimisht, ne Shqiperi si dhe ne France ».
Ka të drejtë Tedi, dhe sa mirë që këtë e thotë vetë ai sot, paçka se babait me fatin pa hesap merita e madhe e pedagogut krejt të veçantë, i’u tkurr në përmasën e famës të së birit, duke bërë që shumë të tjerë, jo aq në majë po assesi për t’u hedhur poshtë, nxënës të denjë të Bert Papavramit, të mos ndihmojnë dot për ta ndarë famën e Bertit nga ajo e Tedit.
« Qe rastesi e çuditshme qe qellova une te behem me i njohuri nxeneseve te tu. Insistoj mbi fjalen rastesi sepse per sa i perket punes se shkelqyer qe bere me mua, ata qe kane punuar me ty ne te njejten periudhe e dine qe kerkesa, metoda dhe pasioni yt ishin te njejta per te gjithe », thotë Tedi.
Historia e atit që kemi këtu dhe birit që mungon, është një subjekt fort pjellor jo veç për libër e për film, po mbase dhe për psikanalizë. Tedi erdhi në këtë botë pa mundur të shpëtojë dot një sekondë nga i ati, Berti po i afrohet të tetëdhjetave pa mundur dot të çlirohet nga i biri. Nuk e di sa flasin me njëri – tjetrin. Duke i njohur edhe njërin edhe tjetrin, nuk do të çuditesha sikur të merrja vesh se nuk flasin tash një jetë, por askush ama nuk do të më bindte dot kurrë që mund të gdhijnë a ngrysin një ditë të vetme pa menduar për njëri – tjetrin. Simbioza e tyre është unikale, siç është unikale për Shqipërinë aventura e tyre që sot mishërohet në disqet e shitura kudo nëpër botë dhe në violinën Stradivarius që Tedi ka marrë së fundmi si një ndër të gjallët e privilegjuar me mbajtjen e saj në sup.
« Ajo qe mbase ndryshon » – mes Tedit e të tjerëvë – « eshte fakti qe duke te patur njekohesisht baba, me ka hyre me heret dhe me thelle se tek shume te tjere pasioni yt per violinen dhe enderra e arritjes se diçkaje te perkryer ne kete fushe kaq magjike. Dhe pertej dijes dhe mjeteve qe dite te zhvillosh kaq mire per te bere te avancojne studentet e tu, eshte pasioni yt kaq komunikativ, i nje bukurije te pakapshme qe mbase te karakterizon me shume se çdo gje ».
Nuk e di, me siguri Tedi ka shumë më të drejtë se unë, por mua, përtej dhuntisë padyshim të jashtëzakonshme të profesorit dhe gjenialitetit tanimë të provuar të nxënësit, kjo histori më duket si e parashkruar në yje përpara se sa Bert Papavrami të niste të shihte yjet nga oborri i shtëpisë me portokaj të Doktor Papavramit tek Medreseja, duke pyetur veten kur të gjithë flinin, « A t’ia mbathim a mos ti’a mbathim për në Francë ? ».
Eshtë një histori që duke e parë me sytë e të sotmes ngjan si shumë e bukur për të qenë e vërtetë, paçka se tjetër sytë tanë dhe tjetër sytë e Bertit që pasi e kanë parë të tërën sekondë për sekondë, për çerek shekulli me radhë, mbase do të donin të kishin parë diçka tjetër. Se kjo botë dihet si është shpeshherë, çka arrin në fund të një rruge plot mundime, nuk mjafton për të mos kthyer kokën me keqardhje pse nuk i re një rruge krejt tjetër.
E takova para pak ditësh, pas kaq shumë vitesh, njëzet e pesë vjet, Bert Papavramin dhe më tha diçka që m’u shënua në mend :
Shqipëria është një ferr i gëzueshëm, Franca një parajsë e trishtueshme.
« Por nuk po zgjatem me se fjalet ne keto raste nuk kane magjine e muzikes dhe behen shpejt te lodhshme per degjuesit. Po i kthehem studimit ashtu siç ma pate shkruajtur dikur mbi nje partiture, keshille te cilen kam vazhduar ta ndjek, nje shprehje kaq shqipe, mbi nje muzike kaq universale « Tedo mos u merzit, qaji hallet me Bahun ».
Kështu përfundon letra e Tedit. Ndërsa fjalën time po e përfundoj unë me, «Berto mos u mërzit, hallet e Francës qaji me Shqipërinë !».