Denoncim i fortë i PD: Rama e Veliaj do ngrenë një përbindësh betoni në qendër të Tiranës. Ja leja e firmosur nga kryeministri

Partia Demokratike denoncon se kryeministri Edi Rama dhe kryebashkiaku Erjon Veliaj po përgatisin terrenin për ndërtimin e një tjetër kulle në qendër të Tiranës.

Dy përfaqësuesit e PD, Enkelejd Alibeaj dhe Ina Zhupa, thanë se Bashkia e Tiranës ka spastruar zonën tek ish-hotel Vjosa nga ndërtesat historike dhe shumë shpejt do të ngrejë një përbindësh betoni.

DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, ENKELEJD ALIBEAJ

Ndodhemi në qendër të Tiranës, aty ku dikur ishte hotel Vjosa. Tani është një hapësirë boshe, por shumë shpejt, këtu do të ngrihet një nga përbindëshat e betonit të Edi Ramës dhe Erion Veliajt.

Bashkia e Tiranës e spastroi zonën nga ndërtesat historike, kur e gjithë vemendja e publikut ishte përqendruar tek një shkatërrim tjetër, ai i Teatrit Kombëtar.

Gjithçka është vënë në dispozicion të kullës së re 25 katëshe, e projektuar nga arkitekti klient i Edi Ramës, Uini Mas, i cili ka deklaruar publikisht se punon me 3 njerëz në Shqipëri: Edi Ramën, Erion Veliajn dhe Vangjush Dakon.

Ja dokumenti që tregon se është pikërisht Edi Rama, ai që i ka hapur rrugën këtij ndërtimi me këtë vendim.
Me firmën e tij dhe me atë të kryebetonierit të Tiranës Erion Veliaj, kulla 25 katëshe, 85 metra e lartë, është më e reja që do të rrethojë përfundimisht sheshin Skënderbej.

Kjo është kulla e katërt në ndërtim në anë të Sheshit Skënderbej, i cili do të betonizohet nga të gjitha anët.

Nuk ka asnjë dyshim se janë të gjitha pastrim parash të krimit ose të korrupsionit.

2 Kompanitë që kanë lejen për të ndërtuar kullën 25 katëshe nuk kanë para të mjaftueshme. Gjendja e tyre financiare nuk i lejon të mbarojnë një kat të një ndërtese të tillë, jo më të mbarojnë të gjithën kullën.

Eshtë fare e qartë se rrethimi i sheshit Skenderbej me kulla është një projekt mafioz, që i shërben pastrimit të parave të pista me firmën e Edi Ramës dhe Erion Veliajt. Ata e kanë shndërruar Tiranën në lavatriçen më të madhe të pastrimit të parave në Ballkan.

Erion Veliaj erdhi në krye të Bashkisë së Tiranës me premtimin për të mos dhënë asnjë leje ndërtimi. Por 5 vjet më pas, qendra e Tiranës ka 4 përbindsha betoni, Tirana ka qindra të tilla, ndërsa lulishte të re për fëmijët dhe banorët e tjerë të qytetit ka zero.

Shumë shpejt Edi Rama do të përballet me qytetarët dhe do të japë llogari për shkatërrimin dhe betonizimin e Tiranës, për vjedhjen e pronave private dhe publike, mbylljen e mijëra bizneseve dhe krizën ekonomike, papunësinë dhe varfërinë ku e ka zhytur Tiranën dhe mbarë Shqipërinë.

DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, INA ZHUPA

Kjo kullë mbrapa nesh është një kullë që do të zërë një sipërfaqe prej 38258 m2 të tokës që Bashkia Tiranë i ka marrë ish hotel Vjosës dhe pronës publike të bashkisë Tiranë. Kjo kullë do të jetë 25 kate, 5 kate nëntokësore dhe 85 metra e lartë.

Erion Veliaj ka dalë para qytetarëve për të thënë se hotel Vjosa po prishet sepse këtu do të ndërtohet një stacion urbanësh modern. Siç mund ta shikoni këtu nuk kemi asnjë stacion modern urbanësh por përkundrazi kemi themelet e një kulle që po ngrihet në shërbim të atyre që janë paratë e drogës dhe paratë e pista. Pse e them këtë?! Lejen e ndërtimit që tregoi Enkelejdi e ka fituar një kompani e cila quhet “Ana. sh.p.k “, kjo kompani ka administratore zonjën Mirela Zaraliu. Kjo zonjë për të gjithë ata që nuk e njohin ka qenë administratore dhe pronare e një firme tjetër “Romario sh.p.k”. “Romario sh.p.k” është në hetim nga prokuroria shqiptare sepse rezulton një firmë e Edmond Begos. Edmond Bego është i njohur nga ju për aferat e zgjerimit të Lanës, për privatizimin e tokave publike, për lëvizjen me Taulant Ballën dhe për tenderat e mëdhenj publikë që ka fituar në mënyrën se si ata dijnë ti fitojnë, pa garë dhe me çmimet më të larta.

Mirala Zeraliu është administratorja dhe pronarja e “Ana sh.p.k” e cila rezulton se është një kompani që nuk ka më shumë se 100 mijë euro fitime në ato që deklaronte vetë në Drejtorinë e Tatimeve për dy vitet e fundit. Atëherë kjo kullë këtu mbrapa nesh me sipërfaqen që ka dhe me atë që përfaqëson shkon diku tek 20 milionë euro për tu ndërtuar dhe më pas me një transaksion shitje kjo kullë i shkon vlera diku tek 60 milionë euro. Prokuroria shqiptare ka për detyrë të hetojë Erion Veliajn si një lavatriçe e pastrimit të parave të pista, të hetojë lidhjet e tij me Edmond Begon dhe të hetojë se çfarë fshihet pas kësaj kulle që po ndërtohet në mes të qendrës.

SHKARKO APP