Deputetët e inkriminuar; PD: FBI hetim gishtërinjve. Maxhoranca: Presion politik
Nga: Redjon Shtylla.
Rezultati që ka arritur të japë ligji i dekriminalizimit, i miratuar në Kuvend me votat e 131 deputetëve në Dhjetor të 2015, është i vakët, pasi asnjë deputet nuk është përfshirë në shpalljen e pavlefshmërisë së mandatit dhe në ndërprerjen e postit. U propagandua për më shumë se 2 vite, se deputetë të inkriminuar të Parlamentit shqiptar, do të hidheshin në vorbullën e madhe të gjyqësorit, por sot pas një procesi të gjatë e të mundimshëm, asnjë deputet nuk rezulton shkelës i ligjit. KQZ ka bërë të ditur më parë se: “Asnjë deputet i Parlamentit nuk është në shkelje të ligjit, e asnjërit nuk do t’i hiqet mandati i deputetit”. Opozita shqiptare, si nismëtare e këtij ligji, edhe pse nuk po rezulton pozitiv, shprehin besim se të inkriminuarit do të vihen përpara drejtësisë.
Gazeta “Koha Jonë”, kontaktoi me deputetë të kampit të djathtë, për të kuptuar më shumë për këtë proces dhe për qëndrimin e opozitës. Deputeti Kastriot Islami, në një prononcim, i pyetur se, A përfundoi procesi i dekriminalizimit dhe a do të vazhdojë PD-ja, betejën për vënien përpara organit të akuzës, 19 deputetët e inkriminuar sipas akuzave të saj?”, pohon se procesi është bllokuar nga Kryeministri Rama. Islami shton se kjo ka ndodhur, pasi Rama është ideatori, programuesi, realizuesi dhe përfituesi (prej tyre është mundësuar bërja kryeministër) i futjes në grupin e PS, në maxhorancën kuvendore, në qeverisje.
Në një reagim, deputeti i PD-së, Kastriot Islami, është shprehur EDHE se vetëm një qeveri teknike, do të garantojë zbatimin e ligjit të dekriminalizimit. Ndërsa deputetja Liliana Elmazi mbështet idenë se vetëm institucione të huaja, mund të vënë në zbatim ligjin e dekriminalizimit. Deputetja e PD-së, shton se: “FBI të hetojë deputetët e përfolur, të merren shenjat e gishtërinjve”.
Ndryshe nga dy kolegët e tij, deputeti i LSI-së, Gjovalin Kadeli, është shprehur se: “Për akuzat e bëra deri tani, për mendimin tim kanë qenë politike, për të arritur qëllimin e pastrimit të parlamentit në të ardhmen por mos mendoni se ky proces ka përfunduar pasi edhe tani po hetohet për secilin deputet të përfolur ashtu siç ka deputet të tjerë që kanë kryer mashtrime financiare në Shqipëri e jashtë saj”. Kurse kreu i PAA-së, Agron Duka thekson se zyrtarët kanë bërë deklarimet dhe ata që kanë pasur problem me ligjin, janë në sitën e verifikimeve të institucioneve kompetente. Më tej Duka nënvizon se prokuroria po heton jo pak raste dhe ne duhet të presim rezultatet e saj, të cilat duhet të bëhen publike sa më shpejt.
Deputeti i PD-së
Islami: Qeveria teknike do të garantojë zbatimin e ligjit të dekriminalizimit
Për deputetin e PD-së, Kastriot Islami, zgjidhja e vetme, e cila do të mundësojë një zbatim të ligjit, është qeveria teknike. Në një reagim për “Koha Jonë”, Islami thekson se: “Beteja e ardhshme e opozitës do të përqendrohet për zhvillimin e zgjedhjeve të lira, e të ndershme”. “Opozita është e bindur dhe e angazhuar për të realizuar drejtimin e zgjedhjeve nga një qeveri pa Ramën Kryeministër (emërtimi i qeverisë është çështje e dorës së dytë). Një qeveri që garanton zgjedhje të lira e të ndershme, që garanton zbatimin e plotë të ligjit të dekriminalizimit, me vullnet të plotë politik. Një qeveri që ka mbështetjen e të gjithë deputetëve të ndershëm, të aftë dhe të pastër të kuvendit aktual. Një qeveri me mbështetje mazhoritare të deputetëve dinjitozë dhe të paanshëm lidhur me zhvillimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme”, pohon ai. Ndërkaq, alarmi që sjell prof.Islami është se nëse politika nuk shkon në një konsensus të përbashkët për një qeveri teknike, “vendi do të zhytej në një krizë politike, ekonomike, kushtetuese e sociale”. “Ky do të ishte opsioni më i keq për vendin, që Rama do të preferonte për të shpëtuar lëkurën e tij por do të ishte edhe më ndëshkues për oligarkinë e rilindjes”,- shton Kastriot Islami.
Deputetja e PD-së
Elmazi: FBI të hetojë deputetët e përfolur, të merren shenjat e gishtërinjve
Nëse për disa ligji i dekriminalizimit ka mbaruar, për deputeten e PD-së, Liljana Elmazi, ky proces sapo ka nisur. Në një reagim për “Koha Jonë”, deputetja e Vlorës, shton se edhe për 19 deputetët që opozita ka akuzuar që janë në maxhorancë, pohon se disa prej tyre ikën para se të vepronte ligji. Më tej ajo pohon se: “Dy të tjerë janë në qeli apo në arrest shtëpie për vrasje. Ka të tjerë deputetë që kanë fshehur deklarimet e tyre në formular. Është detyrë e prokurorisë, të hetojë për këto”. E pyetur se pse nuk kanë dalë ende?” Elmazi nënvizon se: “Besoj që së shpejti do të dalin edhe 18 të mbeturit e inkriminuar. Dhe për këtë natyrisht për mendimin tim, duhet që hetimet për deputetë e kryebashkiakë e ministra”. Është përfolur shumë që FBI-ja, e cila do të ketë në kontroll Byronë Kombëtare të Hetimit, për Elmazin, duhen institucione të specializuara ndërkombëtare, që nuk kanë presionin e politikanëve shqiptare të tilla si; Europol, Unterpol, FBI, që të hetojnë deputetët e përfolur. “Të marrin shenjat e gishtërinjve, e ti verifikojnë për të zbuluar të inkriminuarit. Të gjithë do të dalin, askush nuk mund ta pengoje zbatimin e ligjit”,- shtoi deputetja.
Deputeti i LSI-së
Kadeli: Një proces politik, por të gjithë do të hetohen
Ndryshe nga kolegët e tij, deputeti i LSI-së, Gjovalin Kadeli shton se ky proces nisi në fillim si presion politik, por që të gjithë do të hetohen. Më tej Kadeli shton se: “Ndërsa për akuzat e bëra deri tani, për mendimin tim kanë qenë politike, për të arritur qëllimin e pastrimit të Parlamentit në të ardhmen”. Më tej, Kadeli i pyetur nëse ky proces ka përfunduar, shton se: “Mos mendoni se ky proces ka përfunduar pasi edhe tani po hetohet për secilin deputet të përfolur ashtu siç ka deputet të tjerë që kanë kryer mashtrime financiare në Shqipëri e jashtë saj”. Duke e lidhur procesin me miratimin e reformës në drejtësi, deputeti shton se: “Të gjitha po hetohen dhe do vazhdojnë hetimin sidomos tani në një kohë që reforma në drejtësi po merr trajtën e duhur”.
Kreu i PAA-së
Duka: Filtër pastërtie, mban larg politikës njerëz të inkriminuar
Kreu i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka, i pyetur se si e ka parë deri më tani procesin e dekriminalizimit, shprehet se: “Ligji i dekriminalizimit është i një rëndësie të madhe dhe duhet të biem dakort që është arritje serioze e opozitës. Tashmë zyrtarët kanë bërë deklarimet dhe këta që kanë problem me ligjin janë në sitën e verifikimeve të institucioneve kompetente”. Duka, aleat i opozitës, nënvizon se prokuroria po heton jo pak raste dhe ne duhet të presim rezultatet e saj, të cilat duhet të bëhen publike sa më shpejt. Më tej ai shton se: “Ky ligj ka një peshë të madhe dhe për zgjedhjet e ardhshme duke shërbyer si një filtër pastërtie, duke mbajtur larg politikës dhe zyrave të shtetit e drejtësisë, njerëz të inkriminuar dhe ligjshkelës”.
Situata
KQZ: Asnjë deputeti nuk i ndërpritet mandati
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, pas shqyrtimeve që ju bëri formularëve të vetëdeklarimit të funksionarëve publik, deputetë në Kuvendin e Shqipërisë dhe kryetarë bashkie, në zbatim të ligjit nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”. Nga verifikimi i dokumentacionit (të dhënave në formularin e vetëdeklarimit dhe vërtetimit të gjendjes gjyqësore), rrethanat e paraqitura në formularët e vetëdeklarimit, nuk përfshihen brenda sferës së ndalimeve për shpalljen e pavlefshmërisë së mandatit dhe ndërprerjen e mandatit.
KOHA JONË SONDAZH

