Deputetët e “opozitës” së re rrihen në Kuvend. Përplasje mes Halit Valterit dhe Ralf Gjonit
Seanca e sotme plenare në Kuvend është shoqëruar me përplasje brenda opozitës. Deputeti Halit Valteri është përplasur me Ralf Gjonin.
Mësohet se Halit Vlateri u ngrit drejt Ralf Gjonit, por kanë ndërhyrë deputetët e tjerë. Myslim Murrizi nxori më pas jashtë sallës Valterin për të qetësuar situatën.
Pas përplasjes së fortë Valteri është futur sërish në sallë për të marrë fjalën në foltore.
Seanca e sotme plenare nisi me 60′ vonesë për shkak të mbledhjes së grupit të PS-së, ndërsa është e para pas përfundimit të gjendjes së fatkeqësisë natyrore si pasojë e situatës së COVID-19, e megjithatë masat mbeten në fuqi. Një pjesë e deputetëve janë të pajisur me maska, në hyrje u është matur temperatura përpara se të futen në seancë, e ndërsa vijojnë që të qëndrojnë të shpërndarë në të gjithë hapësirën e Kuvendit, edhe në llozha.
Deputetja Rudina Hajdari gjatë fjalës së saj në Kuvend u ndal tek reforma zgjedhore, e cila vazhdon ende të diskutohet në këshillin politik. Por Hajdari i mëshon faktit që listat e deputetëve duhet të hapen. Sipas saj nëse fitohet kjo kauzë, atëherë do të vendosë qytetari se kush do të hyjë në Parlament.
Në rend të ditës janë disa çështje të rëndësishme, që nisi me raportimin e dy kryetarëve të institucioneve të drejtësisë, Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ) Gent Ibrahimi dhe Naureda Llagami. Në rend dite është edhe rifillimi i punës së shërbimit të gjyqësor, pas situatës së COVID-it.
Ndërkohë, do të diskutohen edhe dy projektligje që janë kthyer nga presidenti Ilir Meta, ai për “Shërbimet e pagesave” dhe “Për miratimin e shtesës së kontratës së koncesionit të formës ndërtim, shfrytëzim dhe transferim të një porti të llojit MBM në Porto- Romano Durrës”.