Deputetët e Shqipërisë mungojnë për herë të tretë në debatin për Kosovën
Deputetë të delegacionit të përhershëm të Shqipërisë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, përfshirë edhe kryetaren e këtij delegacioni, Valentina Leskaj, njëherësh edhe nënkryetare e Asamblesë së përhershme të KE-së, kanë munguar në mbledhjen e Komitetit për Demokraci dhe Çështje Politike të KE-së, në të cilin ka pasur një debat mes deputetit të Parlamentit të Kosovës, Enver Hoxhaj dhe deputetes serbe, Marija Obradovic.
Mungesa e dy anëtarëve të delegacionit shqiptar në këtë debat është ndjerë si shqetësim nga delegacioni i Kosovës, që, sipas tyre, duhet të ishin prezentë.
Është hera e tretë që në seancat e mbledhjeve të KE-së mungojnë deputetet nga Shqipëria, pikërisht kur debatohet për Kosovën, apo miratohet ndonjë rezolutë në favor të saj. Dy vjet më parë deputeti socialist Taulant Balla, asokohe në opozitë, akuzoi deputetët e PD-së në mazhorancë për mungesë në seancë, ku u miratua një rezolutë për Kosovën.
Deputetët shqiptarë kanë munguar edhe në seancën e vitit 2010, ku është miratuar projektrezoluta e Dick Martyt. Delegacioni i Kosovës që kryesohej nga ish-ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, deputetët Teuta Sahatqija dhe Glauk Konjufca, kanë shprehur pakënaqësinë mbi mungesën e delegacionit shqiptar në debatin e parashikuar për Kosovën.