Deputeti demokrat, Dashnor Sula, zhduket edhe nga lista e ”Nisma Shqipëria Bëhet”

Deputeti i Partisë Demokratike Dashnor Sula nuk ka gjetur dakordësinë as me koalicionin “Nisma Shqipëria Bëhet” për të garuar në zgjedhjet e 11 majit. Pas lënies jashtë listave të PD-së, Sula u shfaq në listat e hapura të Elbasanit të koalicionit të drejtuar nga Adriatik Lapaj. Por këtë të premte Sula është tërhequr nga kandidimi me këtë koalicion.
Mësohet se shkak janë bërë garancitë për tërheqjen e kandidatëve të listës së sigurt në rast se Sula merrte votat e nevojshme për të marrë mandatin. Pas këtyre mosmarrëveshjeve “Nisma Shqipëria Bëhet” e ka çregjistruar deputetin Sula, i cili renditej i 19-ti në listën e hapur të qarkut të Elbasanit. Lidhur me tërheqjen e Sulës ka reaguar edhe drejtuesi i koalicionit, Adriatik Lapaj.
Kreu i Nismës Thurje (pjesë e koalicionit Nisma Shqipëria Bëhet), Endri Shabani thotë se Dashnor Sula, nuk do të jetë pjesë e listave të kandidatëve për deputetë të koalicionit të drejtuar nga Adriatik Lapaj.
Ndërkohë Endri Shabani tha se arsyeja që emri i tij ka qarkulluar në lista, ka qenë për shkak të një diskutimi paraprak që është zhvilluar, pasi Sula u tërhoq nga listat e PD-së: ”Ne duam të konsolidojmë drejtësinë. Çdo njeri që mbështet SPAK është i mirëpritur. Çdo njeri që mbështet garën në shoqërinë shqiptare, është i mirëpritur të bashkohet. Çdo njeri që nuk ka qenë pjesë e çetës që ka vjedhur Shqipërinë, është i mirëpritur të bashkohet. Por Dashnor Sula nuk do jetë pjesë e listave tona –tha në ”A2cnn”.
Nuk dihet nëse Dashnor Sula u tërhoq pas asaj që tha sot në Elbasan lideri demokrat Berisha, që ia la prapë një derë hapur për tu rikthyer në listën e hapur në PD.