Deputeti Maliqi: Pse kanë frikë nga Vetting-u në politikë Rama dhe sheikët e tij qeveritarë?
Nga Lefter Maliqi
Vetting-u në politikë mund të bëhet edhe me votën e popullit, meqenëse Rama nuk do që të bëhet me votën e parlamentit të kapur e të dështuar.
Pse kanë frikë nga vetting-u në politikë Rama dhe sheikët e tij qeveritarë që harxhojnë miliona në hotelet luksoze të Evropës me taksat e shqiptareve?
Nëse nuk e bëjnë vetting-un në politikë, ngaqë i nxjerr zbuluar dhe jashtë politikës për shkak të korrupsionit, pasurive te paligjshme etj., le t’ia lënë në dorë vetting-un popullit (elektoratit), duke ndryshuar sistemin elektoral në mazhoritar të pastër me 100 deputetë në 100 zona elektorale. Populli ua bën vetë vetting-un deputetëve, me votë, pasi voton dhe zgjedh vetëm përfaqësues që gjykon se kanë integritet, aftësi profesionale, ndershmëri, popullaritet dhe që kanë lënë gjurmë për mirë në karrierën e tyre ne zonat e tyre. Në fund të fundit, ky është vetting-u, çfarë ke bërë deri tani dhe si. Populli është i mençur, shumë më i mençur se shumë parlamente bashkë.
Me këtë sistem mazhoritar, populli largon dhe nuk voton njerëzit e korruptuar dhe me të shkuar të errët kriminale dhe të paaftë profesionalisht. Të jeni të sigurt se është pikërisht ky vetting, me votën e drejtpërdrejtë të popullit, që do ta pastronte parlamentin nga kriminelet, biznesmenët, te fortët dhe të paaftët. Por as këtë vetting nuk e do Rama, pasi e fundos atë dhe Rilindjen e tij. Kriza aktuale e rëndë politike dhe ekonomike zgjidhet vetëm me ndryshimin e sistemit elektoral aktual, pasi deputetët janë kthyer në vegla qorre dhe shërbëtorë të Ramës dhe jo të popullit.
KOHA JONË SONDAZH

