Deputeti Vullnet Sinaj: Nuk janë para nga buxheti, por të parapaguara nga biznesi e që u janë kthyer pas

Parlamenti nisi sot shqyrtimin e mocionit të paraqitur nga 1/10 e deputetëve, përfaqësuesë të Partisë Demokratike për konstatimin e pavlefshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetit socialist Vullnet Sinaj dhe dërgimin e këtij mocioni në Gjykatën Kushtetuese për konstatimin e papajtueshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetit Sinaj.

Në mbledhjen e Këshillit të Mandateve, kreu i grupit parlamentar demokrat Gazmend Bardhi, deklaroi se nga të dhënat zyrtare të grumbulluara rezulton se sipas tij, kompani në pronësi apo ku është aksioner zoti Sinaj, kanë përfituar nga fonde të buxhetit. Zoti Sinaj është pronar i një rrjeti të njohur supërmarketesh “Big Market”, por që me zgjedhjen e tij si deputet, ka kaluar në një status pasiv, duke mos patur të drejtën e menaxhimit të shoqërive.

Sipas zotit Bardhi, gjatë periudhës që zoti Sinaj ushtronte mandatin e deputetit “vetëm përmes 9 transkasioneve të verifikuara nga ana jonë, ka përfituar përmes 9 kompanive të tij, të ardhura nga buxheti i shtetit, në shumën totale 3.68 milionë lekë”, ose afërsisht 37 mijë euro. Përfaqësuesi demokrat theksoi se statusi pasiv, nuk i ka ndaluar deputetit socialist që të marrë fitimet e kompanisë sipas kuotave të aksioneve që ai zotëron.

Kushtetuta i ndalon një deputeti ushtrimin e funksioneve të tjera si dhe e konsideron të papajtueshëm me mandatin, ushtrimin e “veprimtarësisë fitimprurëse që buron nga pasuria e shtetit, ose e pushtetit vendor dhe as të fitojë pasuri të këtyre”.

I pranishëm në mbledhjen e Këshillit të mandateve zoti Sinaj foli për një ‘farsë të madhe. E gjitha kjo është qesharake”, u shpreh ai, duke shpjeguar se nga 3.6 milionë që pretendohen si përfitime, 3.2 milionë janë rimbursime të marra nga drejtoritë tatimore për tatim fitime apo TVSH, të disa kompanive që kanë qenë në fazë mbylljeje “pra këto nuk janë para nga buxheti, por të parapaguara nga biznesi e që u janë thyer pas”. Ai shpjegoi po ashtu se vetëm pak më shumë se 300 mijë lekë, i përkasin mandatit aktual si deputet, pasi pjesa tjetër përkon me periudhën e mandatit të parë, 2017-2021. Sipas tij bëhet fjalë për blerje që intitucione të ndryshme kanë kryer në supermarketet e kompanisë së tij. “Nuk bëhet fjalë as për tendera, as për koncensione. Kanë shkuar e kanë blerë mallra konsumi në supermarket, dhe arkëtarja nuk mund të dijë se kush dhe cfarë përfaqëson blerësi”, nënvizoi ai.

Por zoti Bardhi, replikoi duke theksuar se “për kushtetutën nuk ka rëndësi se sa para merr. Mjafton dhe 0.5 lekë dhe je në kushtet e papajtueshmërisë së mandatit”.

Mbledhja e Këshillit, do të vijojë me një tjetër seancë pas disa ditësh, duke qenë se deputeti Sinaj, tha se i duhet kohë që të shqyrtojë dokumentacionin, e për të mbajtur një qëndrim dhe nga pikëpamja juridike.

SHKARKO APP