Deputetja Erisa Xhixho kërkon seancë urgjente në Kuvend me ministren e Arsimit, Evis Kushi

Ja çfarë shkruan në një status në Facebook, deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho: 

Seancë urgjente pyetje-përgjigje me ministren e Arsimit për peticionin e pedagogëve të Shqipërisë!

Prej disa javësh, pedagogët janë në protestë dhe nëpërmjet një peticioni të përpiluar nga Sindikata e Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë (SPUSH) i janë drejtuar institucioneve përgjegjëse, nga të cilat kërkojnë plotësimin e kërkesave të tyre të drejta.

Nisur nga fakti që nisja e vitit akademik fillon pas dy javësh dhe mund të vihet në rrezik për shkak të përshkallëzimit të protestës, kam kërkuar urgjent seancë pyetjeje-përgjigje me ministren e Arsimit, për t’u informuar jo vetëm unë, por pedagogët dhe gjithë opinioni publik se kush janë hapat që po ndiqen për plotësimin e kërkesave të drejta të tyre.

Kërkesat kryesore që ata kanë, janë:

Rritje e pagave për pedagogët, stafin ndihmës-akademik dhe administrativ, për të arritur të paktën nivelin e pagave të universiteteve publike të Kosovës brenda 2 viteve, me rritje 30% në tetor 2022 dhe 20% në tetor 2023.

Ritje e financimit për kërkimin shkencor, të paktën në 0.3% e GDP, më 2023.

Si deputete e Kuvendit, e vlerësoj të domosdoshme së pari transparencën dhe adresimin e menjëhershëm të kësaj problematike dhe së dyti plotësimin e kërkesave të drejta të stafit akademik nga ana e Ministrisë së Arsimit.

Vetëm duke vlerësuar mësuesit e pedagogët garantojmë arsim cilësor.

Vetëm duke e kthyer arsimin në prioritet kombëtar, mund t’u kthejmë shpresën të rinjve dhe intelektualëve të zgjedhin Shqipërinë dhe jo largimin nga vendi!

SHKARKO APP