Detajet e marrëveshjes PS-Rithemelim, ngrihen dy Komisione Hetimore! Shkarkohet Alibeaj
5 muaj pas një kaosi të madh në Parlament dhe në Komisionet Parlamentare, arrihet dakordësia për Komisionet Hetimore në Konferencën e Kryetarëve. PS tërhiqet nga vendimet e datës 12 tetor 2023 për rrëzimin e Komisionit Hetimor për kontratat koncesionare në Shëndetësi dhe për Komisionin Hetimor për ndërhyjen e paligjshme në sistemin TIMS. Është vendosur në parim që të ngrihen të dyja komisionet e mësipërme, që ishin edhe shkaku i nisjes së aksionit të opozitës në Kuvend që nga 19 tetori 2023 e deri më sot.
Nesër (e mërkurë) do të mblidhet konferenca e kryetarëve për të miratuar vendimet për ngritjen e ketyre dy komisioneve. Konferenca e Kryetarëve ka arritur gjithashtu dakortësinë në parim për një tjetër çështje që shkaktoi bllokimin e veprimtarisë normale të Kuvendit, që ishte përfaqësimi me ato që opozita cakton vetë në proceset e Reformave.
Palët kanë rënë dakort në parim që Kuvendi të ngrejë një “Nënkomision për Reformat”, që përbëhet nga 4 anëtarë (2 cakton Çuçi-2 cakton Bardhi). Nënkomisioni është përgjegjës për diskutimin/shqyrtimin e paketave ligjore, reformave dhe ligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar apo ligjeve që kërkojnë gjithëpërfshirje, përfshirë ligjet që janë të nevojshme për procesin e integrimit europian.
Komisioni merr vendimet me konsensusin e të gjithë anëtarëve dhe më pas i kalon aktet e dakordësuara për shqyrtim/miratim në seancë plenare. Kujtojmë këtu që Komisionit të Reformës Zgjedhore i skadon afati më 21 mars 2024, ku bashkëkryetarët Gjiknuri dhe Alibeaj kanë dështuar deri më tani të kenë produkt.