Dhjetëra qytetarë të helmuar në spitalin e Krujës, ndërpritet furnizimi me ujë nga rrjeti i ujësjellësit
Ndërpritet furnizimin me ujë nga rrjeti i ujësjellësit në Krujë. Vendimi është marrë nga njësia vendore e Kujdesit Shëndetësor në pritje të përgjigjes së analizave për ngarkesën mikrobike/bakterologjike të ujit.
Që nga dita e djeshme në spitalin lokal janë paraqitur dhjetëra qytetarë të grupmoshave të ndryshme me simptoma helmimi, kryesisht diarre e të vjella që shkaktojnë dehidratim.
“Kam kriza barku, dhimbje koke, të vjella. I shfaqa shenjat mbrëmë. Dyshoj tek uji duke e pirë përditë. S’kemi ku të dyshojmë”, tha një qytetar.
Situata e helmimit të banorëve të Krujës ka vënë në lëvizje autoritetet vendore, si dhe policinë e prokurorinë e Krujës për të kuptuar shkaqet e kësaj situate të rënduar shëndetësore në popullatën e Krujës.
Personat me simptoma janë nga zona të ndryshme të Krujës, ndaj dyshimet janë përqendruar te cilësia e ujit të pijshëm që rrjedh në rubineta.
Mbi 80 përqind e popullatës në Krujë konsumon ujin e çezmës në përditshmërinë e tyre.
Drejtues të ujësjellësit të Krujës shprehen se janë në pritje të analizave të ujit për të vërtetuar dyshimet që kanë rënë mbi ujin si burim infeksioni për banorët dhe ndërmarrë veprime të mëtejshme.
KOHA JONË SONDAZH

