Dhuna nga fisi Rraja, ministri Çuçi: Policia ka arrestuar dhe po vazhdon ndalimet
Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi ka reaguar për dhunën që anëtarë të fisit Rraja kanë ushtruar ditën e enjte ndaj dy kushërinjve Maja në Fushë-Krujë, pas ankesave të tyre për shpërthimet në gurore. Teksa pamjet i quan të rënda dhe të papranueshme, Çuçi thotë se askush nuk do ti shpëtojë përgjegjësive.
“Të rënda e të papranueshme pamjet e dhunës në Krujë. Askush nuk është mbi ligjin dhe s’mund t’u shpëtojë përgjegjësive në asnjë rrethanë.
Policia e Shtetit ka ushtruar kontroll të imtësishëm në banesat e të dyshuarve, ka arrestuar 4 persona sot herët në mëngjes dhe po punon për kapjen sa më parë të 3 të tjerëve të përfshirë në ngjarje.
Çdo insinuatë tjetër s’ka lidhje me të vërtetën dhe me punën e Policisë së Shtetit për të çuar autorët përpara drejtësisë”, shkruan Çuçi.