Dhunohen 3 shqiptarë nga Shqipëria në Mal të Zi, ministri Balla kërkon informacion. Reagon kryeministri malazez
Nuk ka garanci as në Mal të Zi për shqiptarët e Shqipërisë.
Edhe pse ende nuk ka një njoftim zyrtar nga policia të detajuar, ministri i Brendshëm Taulant Balla bën me dije se 3 shqiptarë janë dhunuar në Mal të Zi nga 8 persona të veshur me uniforma ushtarake.
Klodjan Meaj, Azem Dervishi dhe Doris Kopaçi janë tre shqiptarët e dhunuar barbartisht sot në Malin e Zi, një grup personash, që dyshohet se janë serbë të Bosnje Hercegovinës.
Foto: Një nga tre shqiptarë e goditur nga serbët
Për ngjarjen e dhunshme mësohet se ministri Balla ka kontaktuar me ministrin e brendshëm të Malit të Zi dhe ka kërkuar informacion për rastin të ndodhur në Herceg Novi.
Aktualisht policia e këtij qyteti malazez po merr deklarimet. Pritet që në orët në vijim të ketë informacion të plotë lidhur me rastin.
Te tetë autorët dyshohet se janë serbë nga Bosnje Hercegovina, teksa sipas informacioneve paraprake, dyshohet se ata i kanë dhunuar pasi i kanë dëgjuar të flasin shqip.
Nuk ka patur asnjë sherr apo debat, por sapo i kanë dëgjuar që flisnin shqip i kanë rrahur shumë keq aqsa janë me dëmtime serioze.
Qeveria e Shqipërisë duhet të reagojë fort dhe ashpër ndaj palës malazese.
Reagon kryeministri i Malit të ZI
Kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajić, reagoi pas dhunës barbare ndaj tre të rinjve shqiptarë, duke theksuar se është identifikuar një nga autorët e ngjarjes.
“Më vjen shumë keq për ngjarjet e sotme që ndodhën të ftuarit tanë të dashur nga Shqipëria. Theksoj se Mali i Zi duhet dhe do të jetë një oaz paqeje dhe sigurie për të gjithë. Mendimet tona janë me të gjithë të prekurit dhe ne po punojmë për t’i ofruar të gjithëve sigurinë dhe mikpritjen që meritojnë. Një autor është identifikuar dhe po punohet për kapjen e tij. Së shpejti të gjitha informacionet do të bëhen të ditura për të tjerët”, shkroi Spajiç.