Dialogu për Presidentin e ri rikthehet në pikën zero, Alibeaj: PS prishi konsensusin

Zgjedhja e presidentit të ri të shqiptarëve ka shkuar në pikën zero, në një kohë që opozita propozoi 10 emra si kandidatë potencialë. Kreu i komanduar i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj u shpreh se Partia Socialiste u tërhoq nga marrëveshja e dakordësuar më parë mes palëve, që kandidatura e propozuar duhet të mbante firmat e të dy palëve.

”Ne do të identifikonim 4 kandidatura, PS do të zgjidhte 2 dhe më pas do të zgjidhej një kandidaturë konsensuale dhe akti i fundit do të ishte që një komision i përbërë nga 6 anëtarë që shqyrtojnë 2 kandidatët e përzgjedhur dhe bien dakord për përzgjedhjen dhe propozimin e përbashkët të njërit prej tyre. Kandidatura më pas i nënshtrohet më pas votimit në seancë plenare. Pra, propozimin e përbashkët. Kjo do të ishte si shenjë e fortë energjike që nuk do të kishte lojëra apo shmangie. Por PS ka thënë tashmë që kandidatura duhet të ketë vetëm firmat e PD-së”,-tha Alibeaj për mediat.

Një ditë më parë, në grupin parlamentar të PD-së, për diskutim më të thelluar kaluan disa emra kandidatësh, si: Leonard Demi, Arben Çejku, Dritan Demiraj, Visar Zhiti, Rexhep Uka, Halim Kosova, Dashamir Shehi, Leka Zogu.

Brenda selisë blu ka shumë grupe. Ish-nënkryetari i PD-së, deputeti demokrat Agron Gjekmarkaj thotë se ai sheh emra tjerë si kandidatë potencial për Presidentin e ri të vendit. Ai përmend Fatos Lubojnën, Mark Markun, Jozefina Topallin, Artan Fugën, apo dhe Majlinda Bregun. Për Gjekmarkajn nëse rrimë brenda qokave, biem në lojën e të bërit komedi. Kur data 23 maj po afron, duket se raundi i dytë do të digjet si raundi i parë, ku nuk kishte kandidatë, dhe PS-ja do të shkojë e vetme duke e votua presidentin e ri me 71 vota.

SHKARKO APP