Dikush duhet t’ia tregojë Erionit: nuk ka më “Braccio di Ferro” me drejtësinë

Nga Lorenc Vangjeli 

Një mënyrë shumë e dobishme për të zbuluar absurdin është që të çosh vetë absurdin në ekstrem. Ja dy shembuj: një prokuror flet publikisht kundër vendimeve të qeverisë, kundër antarëve të saj apo edhe zyrtarëve të çdo niveli sepse në një moment të caktuar ai mendon ndryshe prej tyre;

një gjykatës flet publikisht për parlamentin, për natyrën dhe cilësinë e procesit ligjvënës apo dhe për deputetë të veçantë dhe thotë se ata kanë bërë shkelje të rënda kushtetuese.

Edhe i pari, edhe i dyti paralajmëron se di shumë gjëra të tjera për ta dhe se nuk do ta lerë këtë punë me kaq.

Në Tiranë këto skena nuk kanë ndodhur kurrë dhe ka tmerrësisht pak gjasa të ndodhin ndonjëherë sepse pushteti i traditës është shumë i fortë. Nuk do të sjellë ndonjë ndryshim edhe fakti që deri dje, njerëzit e sistemit të drejtësisë – pushteti i tretë kushtetues në vend – zgjidheshin nga politika, ndërsa sot, atyre ju kushtëzohet karriera nga faktorë brenda vetë sistemit. Njëlloj si vesi edhe frika del me shpirtin. Gjykatës dhe prokurorë do të vazhdojnë të tremben nga njerëzit e politikës pavarësisht se pikërisht ata duhet të jenë “klientët” e tyre të mundshëm, për mëkate të mundshme.

E kundërta ka ndodhur shpesh. Shpërthimi më pak se epik dhe më shumë se histerik i historisë së vjetër të ish-kryeministrit me ish-prokurorin e përgjithshëm, nuk ka ndodhur më larg se dje. Nga muri i Kishës Katolike, ditën e Krishtlindjeve, Berisha kryqëzoi kryeprokurorin në një mënyrë të frikshme. Çka u pasua nga një tjetër betejë me ish-prokuroren e përgjithshme, një akt që do të vazhdojë ta turpërojë gjithmonë jetëshkrimin e Berishës si politikan dhe Doktorit si burrë.

Të premten, si për të vërtetuar se skajet takohen, një personazh i rëndësishëm i politikës, një kundërshtar i jashtëzakonshëm dhe i paepur i Berishës, kopjoi anën më të keqe të tij. Erion Braçe, zëvendëskryeministër, mori pjesë në një seancë gjyqësore ndaj një zyrtari lokal në Durrës dhe mbas procesit, bën një deklaratë që do të bënte më mirë ta harronte sesa ta shpjegonte. Sulmoi prokurorin për shantazh ndaj të pandehurit, paralajmëroi bashkëpunim të tij me gjykatësen dhe ju kërkoi të dyve ta provojnë një gjë të tillë edhe në apel. Braçe pohon edhe se në proces pati shkelje të rënda kushtetuese, një fjalë e madhe, por e pavend nëse i referohet thjesht vetëm procedurës së ndjekur.

Që personi nën akuzë për korrupsion është tërësisht i pafajshëm deri sa gjykata të vendosë të kundërtën me formë të prerë, këtë të drejtë ja jep vetë Kushtetuta dhe nuk ka pikën e nevojës ta komentojë Braçe.

Qe prokurori i çështjes mund të fshehë më shumë skelete në dollap dhe më shumë zero në shifrat nën dyshekun e tij, edhe sesa mendon Braçja, edhe kjo është e mundur. Por kjo është një çështje tjetër që nuk e vlerëson dot as ai zëvendëskryeministër dhe as eprori i tij kryeministër. Qoftë Rama, qoftë Braçe dhe përtej tyre edhe Luli e Monika, edhe Iliri e Doktori, e kanë mbaruar këtë hesap me pushtetin e drejtësisë që në korrikun e 2016-ës kur votuan për reformën në drejtësi. Dhe nuk kanë asnjë shans t’i kërkojnë hesap apo t’i tundin gishtin me kërcënim këtij pushteti. Vetting-u është shkopi që godet dhe me shumë gjasa, në rastin e prokurorit të Durrësit nuk do të ketë surprizë se çfarë valleje do të heqë ai shkop .

Që edhe gjykatësja, edhe prokurori, edhe vetë sistemi shqiptar i drejtësisë, pavarësisht se sheh nga Perëndimi, është totalisht nën mentalitet sovjetik, ky është opinion, por fakt. Arresti me burg është një masë ekstreme, por që e përdorin për të qenë brenda në formë edhe prokurorët që e kërkojnë, edhe gjykatësit që e vendosin. Kjo është sfida e vërtetë që vazhdon të kërcënojë shoqërinë shqiptare që sheh nga Perëndimi, por sillet marrëzisht si në ish-Lindjen komuniste. Mund të ndryshojnë ligjet, mund të përkëmbehen njerëzit që i bëjnë ato, por mentaliteti është si vesi, rri brenda edhe mbasi fluturon shpirti.

Që Erion Braçja është një nga politikanët seriozë të vendit, polemist kolerik, nga të rrallët që nuk ka probleme me të shkuarën e tij dhe që nuk ka shans të jetë klient i SPAK-ut në të ardhmen, ky sërisht është një fakt dhe jo një opinion. Siç është fakt që entuziazmi dhe grinta në punë të ndahen vetëm në nuanca nga arroganca dhe shpërdorimi i pushtetit, si një mjet që përdoret dhe për shantazh publik. Qoftë njëra anë e medaljes, qoftë tjetra, është si diareja: është mirë të mos e ndalosh ca ditë, por është keq nëse lejon të zgjatet.

Ndaj në të gjithë këtë histori me pushtete të ndarë nga Kushtetuta që teorikisht duhet të kontrollojnë dhe balancojnë njëri-tjetri, por që praktikisht ndeshen si çuna lagjeje: “ec se ta regoj unë qejfin nga lagja ime”, gjenden të gjithë elementët e mundshëm për të turpëruar të gjithë protagonistët dhe jo nga pak. Sepse me drejtësinë nuk mund të bëhet më Braccio di Ferro. Dikush duhet t’ja thotë Erionit një gjë të tillë, meqë ai vetë nuk mund t’ja thotë Edi Ramës: është tmerr të sillen si shembulli Sali që kanë mallkuar gjithmonë!

Javanews.al

SHKARKO APP