Diplomati Shaban Murati: Rusia po përfiton një avantazh të ri gjeopolitik në Ballkan

Nga Shaban Murati

Projekti serb i krijmit të një blloku të ri ekonomik të përbashkët të vendeve të Ballkanit Perëndimor krijon një situatë të re gjeopolitike si një avantazh i gjeopolitikës ruse në këtë pjesë të Ballkanit. Ky projekt gjeopolitik serb duhet parë në dritën e përplasjeve dhe rivalitetit gjeopolitik në rritje midis Perëndimit dhe Rusisë në Ballkan. Në datën 23 dhjetor anëtarja e Akademisë së Shkencave të Rusisë dhe e Akademisë se Shkencave dhe Arteve të Serbisë, prof.Elena Guskova, drejtore e Qendrës së Studimit të Krizave Ballkanike pranë Akademisë së Shkencave të Rusisë, deklaron në “eadaily.ru” se “Lufta në Ballkan midis Perëndimit dhe Rusisë po hyn në fazën përfundimtare”.

Kjo do të thotë që secila palë po hedh në fushën e betejës letra të reja, lojtarë të rij, taktika të reja. Një kartë e re gjeopolitike, që po përzien koniukturat kombëtare e rajonale dhe që po mbjell konfuzion në skakierën gjeopolitike të Ballkanit Perëndimor, është projekti i ri serb i “zonës së përbashkët ekonomike ballkaniko-perendimore”, të cilën kolltuqet drejtues të këtij rajoni për t’u tallur me popujt e tyre e kanë emërtuar “mini Shengen ballkanik” .

Vetë projekti, nismë e presidentit të Serbisë Vuçiç, ka marrë superxhiro dhe po nxiton qysh në start me një shpejtësi të habitëshme dhe frekuencë të palogjikëshme diplomatike të samiteve të përmuajshme, që jep shenjën se dikush brenda dhe jashtë rajonit po nxitohet të krijojë situatë të re gjeopolitike në Ballkanin Perëndimor në funksion të një përplasje makrostrategjike midis Perëndimit dhe Rusisë. Asnjë lloj analize, llogarie apo interpretimi nuk të jep ndonjë indikacion se Perëndimi ka ndonjë avantazh gjeopolitik me këtë projekt serb. Perëndimi nuk ka nevojë për një projekt të tillë, sepse të gjithë shtetet e rajonit kanë miratuar orientimin dhe kërkesën zyrtare për t’u anëtarësuar në BE dhe 9 nga 12 shtetet e rajonit janë anëtarë të NATO-s. Shteti i vetëm i interesuar për ta përmbysur këtë situatë gjeopolitike properëndimore është Rusia, protektori zyrtar i Serbisë.

Cilat janë disa nga elementet e rinj, që po sjell projekti i ri serb i të ashtuquajturës zonë e përbashkët ekonomike ballkaniko-perëndimore dhe të cilat favorizojnë Rusinë nga pikëpamja gjeopolitike?

Së pari, është krijimi i këtij grupimi të ri ekonomiko-politik apo blloku të ri ish jugosllav si kundërvënie ndaj integrimit europian të BE. Gazeta e njohur ruse “Novaja gazeta” në 11 tetor shkruante: “Emri mini Shengen do të thotë që vendet pjesëmarrëse, duke mos pritur hyrjen në BE, do të zhvillojnë një model të ngjashëm në mënyrë të pavarur. Pas bashkimit me mini Shengenin ballkanik do të krijohet zona ekonomike rajonale”. Ky është elementi kryesor që po mbështet dhe përfiton Rusia nga projekti serb i të ashtuquajturit mini Shengen. Asaj i duhet nga pikëpamja strategjike një bllok i mbyllur ballkaniko-perëndimor i integruar brenda vetes dhe jashtë integrimit europian.

Serbia dhe Rusia gjetën si moment strategjik të përshtatshëm për jetësimin e projektit serb refuzimin e Francës për hapjen e bisedimeve të pranimit të BE me Shqipërinë dhe me Maqedoninë e Veriut. Ofertat e reja jashtëkohore franceze për t’u ofruar vendeve të Ballkanit Perëndimor në vend të hyrjes në BE alternativën e partneritetit të privilegjuar apo pjesëmarrjen ne zonën ekonomike europiane, krijuan klimën e përshtatshme për nisjen e trenit folklorik diplomatik serb për të grishur pasagjerët e stacionit jugosllav në një xhiro ballkanike jashtë lidhjes dhe varësisë nga BE. Nëse ndonjë profan në diplomaci ka dyshime se projekti serb është alernativë e integrimit europian, duhet të rilexojë deklaratat zyrtare të presidentit serb dhe të kryeministrit shqiptar në samitin e parë themelues të Novi Sadit, ku deklaruan publikisht se projekti është jashtë lidhjeve me “tutorët dhe mentorët” e BE.

Elementi i dytë është hapësira e re, që i krijohet Rusisë për depërtim në rajonin e Ballkanit Perëndimor nëpërmjet projektit serb. Duke konfirmuar Serbinë si shteti drejtues i kësaj “zone ballkaniko-perëndimore”, dhe duke qenë se Serbia në 25 tetor 2019 u anëtarësua në “Unionin Ekonomik Euroaziatik” të Rusisë, dalin qartë avantazhet e reja, që i krijohen Moskës dhe penetrimit rus në ekonominë dhe jetën e këtij grupimi të ri. Revista e mirënjohur ruse “Mjezhdunarodnije atnashjenije” shkruante në 15 nëntor se “Shtetet e rajonit të Ballkanit, të dezilizionuar lidhur me perspektivën e anëtarësimit në BE, munden tani nga ana e tyre të riorientojnë politikat e veta në favor të forcimit të bashkëpunimit reciprok me lojtarë të tjerë botërorë, ndër ta me Rusinë”. Serbia sjell kështu në sferën ruse të ndikimit ekonomik, politik dhe gjeopolitik, edhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, të cilat pranojnë të drejtohen nga Serbia në këtë minibllok të ri ekonomik.

Së treti, element i ri gjeopolitik është konfirmimi dhe pranimi nga vetë vendet e rajonit, pra edhe nga Shqipëria, i rolit udhëheqës i Serbisë në Ballkanin Perëndimor. Deri tani, në nismat e ndryshme rajonale, qoftë në SEECP, qoftë në “Procesin e Berlinit”, qoftë në “Ballkan 6”, qoftë në nismën “Brijoni-Bërdo”, etj., ka qenë vazhdimisht i garantuar roli kontrollues dhe drejtues i BE. Tani për herë të parë kemi grupimin e ri rajonal të udhëhequr direkt dhe vetëm nga Serbia, e cila bëhet drejtuesja e veprimtarisë ekonomike dhe politike të grupit, pa e lidhur me BE. Burime të MPJ të Shqipërisë bëjnë të ditur se asnjë dokument i tre samiteve të deritanishme të grupimit të udhëhequr nga Serbia nuk është përgatitur në Bruksel, por të gjitha në Beograd. Përrallat, që shpërndahen nga fanatikët e fundit të Kominternit në Tiranë për parajsat serbe të katër lirive, marrë si literaturë nga Karta e Helsinkit e vitit 1975, janë për konsum elektoral të militantëve të partive qeveritare.

Serbia ka vulosur me miratimin e Tiranës dhe të Shkupit udhëheqjen e grupit të ri dhe ç’është më kryesorja, ka fituar alibinë e madhe të daljes e pastruar pa pagesë nga moçali i krimeve, fajeve dhe mëkateve, që ka nga luftrat e përgjakëshme në ish-Jugosllavi, nga Bosnja e deri në Kosovë. Serbia drejtuesja e federatës komuniste jugosllave bëhet defacto drejtuesja e një federate të re më të vogël jugosllave. Vetë Vuçiçi sapo u zgjodh president i Serbisë e ka përkufizuar projektin e tij “Ringjallje e Jugosllavisë së vjetër, plus Shqipërinë”. Opozita aktuale serbe në 23 dhjetor e quajti “krijimi në praktikë i një bashkimi konfederal me Shqipërinë dhe me Maqedoninë e Veriut”. Neojugosllavët në Tiranë, në Shkup apo në Podgoricë, po kërkojnë ta shesin “Jugosllavinë e re” si model i ri europian. E vërteta e thjeshtë është se Serbia është themeluesja dhe udhëheqësja e këtij grupimi, dhe nënshtrimi i shteteve pjesëmarrëse të grupimit pritet të jetë njëlloj si i republikave nga Serbia në kohën e ish-Jugosllavisë. Një provë turpëruese është fakti që në samitin e Ohrit të 10 nëntorit Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut i dhanë mandatin presidentit serb Vuçiç, që të jetë përfaqësuesi i tyre në bisedimet me presidentin francez. Edhe internacionalistët e pashërueshëm mbesin gojëhapur para një veprimi të tillë, kur qysh në ditët e para ky bllok i ri ballkaniko-perëndimor pranon që udhëheqësi i tyre dhe përfaqësuesi në arenën ndërkombëtare është presidenti serb. Ndaj nuk ishte i rastësishëm përcaktimi që prestigjiozja gjermane “Der Spiegel” iu drejtua presidentit serb në një intervistë me të në 22 nëntor 2019 se “prej disa kohësh ju po silleni si një lloj zëdhënësi i Ballkanit Perëndimor”.

Në një situatë të tillë të hierarkisë ballkanike të sanksionuar dhe të kompleksit të inferioritetit të shteteve pjesëmarrëse, pak rëndësi ka nëse Serbia do ta quajë zyrtarisht “Jugosllavia e re” apo “Ballkan Perëndimor”. Internacionalistët fanatikë të Kominternit duhet ta mësojnë se edhe origjina e termit “Ballkan Perëndimor” u shpik nga diplomacia franceze në vitin 2000 si një eufemizëm për ish-Jugosllavinë, ku u planifikua “ish-Jugosllavia pa Slloveninë, plus Shqipërinë”, dhe me hyrjen e Kroacisë në BE u shndrrua në planifikimin “ish-Jugosllavia, pa Slloveninë dhe pa Kroacinë, plus Shqipërinë me Kosovën”. Në vitin 2013 unë e kam cilësuar “Një Jugosllavi e re me dy shtete shqiptare”.

Elementi i katërt favorizues për gjeopolitikën ruse është se projekti serb po nxit dobësimin dhe rrethimin diplomatik të Kosovës. Fakti që Shqipëria pranon të hyjë në një bllok të udhëhequr nga Serbia në kohën kur Serbia ndodhet në kulmin e fushatës për zhbërjen e shtetit të pavarur të Kosovës dhe të intensifikimit të fushatës ndërkombëtare për çnjohjet ndërkombëtare të saj, kur presidenti i Serbisë Vuçiç sapo ka mohuar në mënyrën më skandaloze masakrën serbe të Reçakut dhe kur sapo i ka thurrur ditirambe politikës së Millosheviçit me rastin e çmimit Nobel për duaxhiun austriak të kasapit të Ballkanit, tregon se Tirana po bëhet pjesë e mjerë e spektaklit diplomatik fals serb në Ballkan për të paraqitur Serbinë si sjellëse të paqes dhe të prosperitetit në Ballkan.

Projekti i ri serb me thithjen e Tiranës në gjirin e vet ka forcuar pozitën biseduese të Serbisë në bisedimet e ardhme Serbi-Kosovë për normalizimin përfundimtar të marrëdhënieve midis tyre. Duke patur Tiranën në krah të saj, Serbia pritet të jetë jo vetëm më intransigjente për mosnjohjen e Kosovës, por vjen në tryezën e bisedimeve me mandatin ballkaniko-perëndimor të paqes, të darovitur Tirana dhe Shkupi. Në një llogaritje të ftohtë interesash e prirjesh të reja rajonale nuk duhet habitur nëse edhe lojtarët ndërkombëtarë të jenë të detyruar ta marrin në konsideratë rrethanën e re të një Serbie kryesuese e një blloku të ri, që dikur quhej Jugosllavi dhe tani quhet Ballkan Perëndimor.

Së pesti, është avantazh dhe sukses i madh strategjik dhe gjeopolitik rus dhe serb çarja e re e madhe e faktorit shqiptar në Ballkan. Serbia dhe Rusia ia arritën me projektin serb të krijojnë përçarjen më të madhe midis Shqipërisë dhe Kosovës që nga krijimi i shtetit të pavarur të Kosovës. Nga pikëpamja diplomatike, etike dhe kombëtare, sulmet pa doganë që u lëshuan nga Tirana kundër Kosovës në prani të presidentit serb, janë dëshmi e dhimbshme se qeveria nuk ka mësuar jo vetëm të bëjë politikë të jashtme, por as të bëjë shtet. Nuk dihet çfarë e detyroi qeverinë e Tiranës të bëjë gabimin e madh, që edhe duke patur zyrtarisht gjendjen e jashtëzakonëshme të shpallur nga tërmeti, thirri dasmën serbe në Tiranë dhe lejoi të bëhej instrument i një spektakli proserb dhe antikombëtar në mes të kryeqytetit.

Nuk dihet çfarë e detyroi qeverinë në Tiranë të bëjë një gabim të madh, duke humbur çdo ekuilibër shtetëror dhe vetëpërmbajtjen e detyrueshme diplomatike dhe shtetërore, që të zbrazë një mllef provincial dhe rural të paimagjinueshëm ndaj udhëheqjes së shtetit të dytë shqiptar dhe shtet, me të cilin ke marrëdhënie diplomatike.

Duket që qeveria e ka humbur ekuilibrin, përderisa kryeministri në samitin e parë të Novi Sadit deklaroi se nëse nuk merr pjesë Kosova, edhe Shqipëria do të tërhiqet, kurse në samitin e tretë jo vetëm nuk u tërhoq, por sulmoi Kosovën me një fjalor që la pa fjalë trupin diplomatik. Humbje të ekuilibrit tregon edhe kujtesa e shkurtër shtetërore, kur Tirana harron se mini Shengeni nuk është shpikja e tanishme e magjishme e Vuçiçit, në një kohë që Shqipëria ka një marrëveshje të nënshkruar prej saj para 9 vitesh për mini Shengenin ballkanik. Në datën 28 qershor 2010 presidentët e Kosovës, Shqipërisë, Malit të Zi dhe të Maqedonisë, në takimin e tyre katërpalësh në Prishtinë kanë nënshkruar marrëveshjen për qarkullimine lirë në Ballkan. Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu deklaroi në atë kohë se ky “është krijimi i të ashtuquajturit mini Shengen”. Është më tepër se naive të flitet tani në 2019 për mini Shengenin serb si fitore e madhe ballkaniko-perëndimore.

Projekti serb i zonës së përbashkët ekonomike ballkaniko-perëndimore si një grupim i ri ekonomiko-politik krijon një avntazh të madh gjeopolitik për Rusinë në strategjinë e saj të ndikimit në Ballkan nëpërmjet Serbisë. Rusia po fiton hapësira të reja veprimi dhe nuk duhet habitur nëse nesër rekruton edhe lojtarë të rij në shërbim të saj në këtë rajon./Dita

SHKARKO APP