Disa mendime për projektligjin për portalet përgatitur nga qeveria
Nga Nikoll Lesi
Në mediat e shkruara dhe radiotelevizive nuk guxon të shpifësh apo të fyesh, pasi përfundon në gjykatë. Edhe për portalet duhet patjetër i njëjti standard, pa asnjë diskutim.
Por mëqënëse kemi ndër këto 28 vite eksperienca të këqija në raportet e qeverisë me median, duhet të jemi shumë të kujdesshëm se flitet për një pushtet të katërt, siç mbetet pushteti i medias.
Ndaj duhet që këto projektligje për median të rrëzohen dhe vetë komuniteti i gazetarëve të hartojë një projektligj për median e shkruar, radiotelevizive dhe për portalet. E përsëris, që duhet ligj në këtë fushë, bile i fortë, por jo nga qeveria. Jo se nuk e ka të drejtën kushtetuese qeveria për ta hartuar, por nuk ka të drejtën morale se ka përplasje të egra të qeverisë me analistë dhe gazetarë të njohur e që duket, në mos është, si një hakmarrje momentale inatçore.
Po ju them DUHET ligj edhe për portalet, por jo në këtë mënyrë e me këtë hov inati për ta nënshtruar median apo vendosur gjoba selektive, sepse nëse miratohet siç e ka sjellë qeveria do të ndodhë pa asnjë hezitim, HAKMARRJA e pushtetit. Aq më tepër që autoriteti i cili vendos gjoba dhe bllokon portalet është AMA, një institucion i kontrolluar nga qeveria.
Eksperienca më bën të jem dyshues dhe i kujdesshëm në këtë rast. E dini besoj se gazetarë të gazetës KOHA JONE në kohën e qeverisjes së parë të PD-së janë arrestuar dhe burgosur, si Aleksandër Frangaj dhe Martin Leka. E dini besoj se në kohën e kryeministrit Nano pati gazetarë dhe botues në ndjekje penale, ashtu sikurse dimë se prapë në kohën e rikthimit të PD-së në pushtet gazetari Mero Baze u përsekutua brutalisht, apo së fundmi kryeministri aktual ka paditur analistin dhe gazetarin e njohur Ylli Rakipi.
Asnjëherë nuk kam besim te pushteti, sidomos në raportet e saj me median, ndaj rrëzojini këto projektligje dhe lëreni KOMUNITETIN E GAZETARËVE të hartojnë, një ligj që duhet, realisht.