Dita Arbëreshe, Presidenti Begaj: Platformë gjithëpërfshirëse, të hapim një kapitull të ri bashkëpunimi
Presidenti Bajram Begaj, mori pjesë këtë të mërkurë në Ditën Arbëreshe të mbajtur në Tiranë, si pjesë e Samitit të Diasporës. Gjatë fjalës së tij, kreu i Shtetit theksoi nevojën e hapjes së një kapitulli të ri bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe arbëreshëve të Italisë.
“Veprimi ynë duhet të jetë imediat dhe përgjegjësi historike, sepse pasojat do të prekin edhe brezat e ardhshëm”, deklaroi presidenti i Republikës, i cili theksoi nevojën emergjente të angazhimit për ruajtjen dhe lëvrimin e arbërishtes, si një gjuhë që për shqiptarët është çështje identitare.
Presidenti i përgëzoi nismat e përfshirjes së arbërishtes në shkolla, në programet e Rai Kalabria dhe iniciativën e Radio-Televizionit Publik Shqiptar për hapjen e një kanali televiziv për Diasporën, ku sigurisht do të promovohet edhe gjuha dhe kultura arbëreshe. Begaj përgëzoi profesorët Francesco Altimari dhe Matteo Mandala për përkushtimin e tyre në hartimin e dosjes “Moti i Madh”, të dorëzuar për aplikim në UNESCO.
“Natyrisht, në kuadrin e bashkëpunimit nuk duhet të neglizhohet edhe bashkëpunimi ekonomik, i cili mund të zgjerohet në fusha, si: turizmi, kultura, bujqësia, industria ushqimore apo në fusha të tjera me interes të ndërsjellë”, u shpreh ai. Si pjesë të bashkëpunimit të ri Presidenti propozoi edhe hapjen e një muzeu për Arbëreshët në Shqipëri. “Ne shqiptarët kemi nevojë për të mos harruar. E kaluara, sidomos kur i mbijeton historisë dhe arrin në aktualitet, duhet mësuar. Shembulli i arbëreshëve duhet të jetë nxitje që sot të bëjmë më shumë për Shqipërinë, jo të përkëdhelim ndërgjegjen duke u krenuar me bëmat e brezave paraardhës. Ata e bënë të tyren. Tani është radha jonë”, deklaroi Begaj.
Presidenti Begaj ndau me të pranishmit edhe përshtypjet e vizitës së tij zyrtare disa ditore në Kalabri, ku përmendi virtytet e komunitetit, si: mikpritjen, atdhedashurinë dhe ruajtjen e traditës, të cilat shpërfaqen në të gjitha ngulimet arbëreshe. Presidenti i ftoi shqiptarët të vizitojnë arbëreshet gjatë udhëtimeve të tyre dhe propozoi që shkollat shqiptare të përfshijnë në kurrikulën e tyre edhe vizita në vendbanimet e arbëreshëve për njohjen dhe edukimin e brezit të ri me trashëgiminë dhe krijimin e lidhjeve personale me arbëreshët.