Dita Ndërkombëtare të Mësuesit, Presidenti i jep Dekoratën e lartë “Nderi i Kombit”, “Mësuesit të Popullit”, Ndrec Ndue Gjoka
Në Ditën Ndërkombëtare të Mësuesit, Presidenti i Republikës i jep Dekoratën e lartë “Nderi i Kombit”, një prej simboleve më të spikatura të arsimit shqiptar, “Mësuesit të Popullit”, Ndrec Ndue Gjoka.
Në një shënim në faqen e tij zyrtare në rrjetin social “Facebook”, teksa publikon dhe pamje nga ceremonia e zhvilluar në Presidencë, Kreu i Shtetit vlerëson se Gjoka flijoi jetën e tij për kauzën e shenjtë të arsimit, në gjurmët e atdhetarëve dhe Rilindasve të vërtetë të Kombit tonë, të cilët sakrifikuan gjithçka për gjuhën e bukur shqipe, edukimin dhe emancipimin e popullit shqiptar.
Shënimi i Presidentit Meta
Sot në Ditën Ndërkombëtare të Mësuesit, nderova me Dekoratën e lartë “Nderi i Kombit”, një prej simboleve më të spikatura të arsimit shqiptar, Mësuesin e Popullit, Ndrec Ndue Gjoka, i cili flijoi jetën e tij për kauzën e shenjtë të arsimit, në gjurmët e atdhetarëve dhe Rilindasve të vërtetë të Kombit tonë, të cilët sakrifikuan gjithçka për gjuhën e bukur shqipe, edukimin dhe emancipimin e popullit shqiptar.
Brenda një kohe të shkurtër Ndrec Ndue Gjoka ia doli mbanë të bindë të rinj e të reja, burra e gra, për të frekuentuar kurset kundër analfabetizmit, duke thyer tabu e ndryshuar mentalitetin për shkollimin, dhe duke u shndërruar në një shembull të përjetshëm frymëzimi për brezat e rinj të arsimtarëve shqiptarë.
E vlerësova këtë figurë të nderuar edhe për kontributin e lartë të dhënë prej Tij, si luftëtar i formacioneve partizane në luftën për çlirimin e vendit nga pushtuesit nazifashistë, si dhe përpjekjet e jashtëzakonshme për nxjerrjen në veçanti të trevës së Fanit e Mirditës nga prapambetja në fushën e arsimimit. 🇦🇱