Doda-Idrizi, dorëzojnë në Kuvend ligjin e lustracionit
Nga ana e saj, deputetja demokrate ka premtuar se ajo do të jetë në Kuvend për ta mbrojtur këtë projektligj e madje i bëri ftesë edhe kolegëve të saj, të majtë e të djathtë që ta mbështesin.
“Të gjithë krahët, të majtë dhe të djathtë, duhet të bashkohen në këtë akt tejet të rëndësishëm për vendin”, tha ajo për mediat, duke u kërkuar të gjithë deputetëve të jenë për ta mbështetur këtë nismë ligjore.
“Tre vjet më pare, kur Gjykata Kushtetuese e rrëzoi Ligjin e Lustracionit, – tha ajo, – unë premtova se do ta paraqisja sërish atë. Paraqitja e sotme është pa dyshim një vendim dhe premtim para elektoratit.”
Ndërsa, kreu i PDIU-së Shpëtim Idrizi vërejti: “Është në ndërgjegjen tonë si Studentë të Dhjetorit dhe deputetë për të vënë në vend hapin që duhet të bënte politika që prej 20 vjetësh, Ligjin e Lustracionit. Ne e kemi mbështetur këtë nismë të shoqërisë civile. Ajo nuk i drejtohet ndonjë partie politike, por ndërgjegjes politike dhe që të tregohemi dinjitozë, e gjithë politika shqiptare duhet të bëjë katarsisin e vet.”