Doda: Ja çfarë përmban projektligji “Për hapjen e dosjeve”
Gjatë një interviste të saj për mediat, Doda ka shpjeguar se janë disa kategoritë që prek drafti, si funksionarët e lartë të partisë dhe levat e tyre apo ata të Sigurimit të Shtetit, ku do të shikohet aktiviteti i tyre gjatë asaj periudhe.
“Mbi të gjitha janë trajtuar të gjithë personat që janë zyrtarë të lartë të shtetit shqiptar, të cilët nuk mund të vazhdojnë veprimtarinë në këto funksione të parashikuara në ligj, në rast se kanë një të kaluar problematike në aktivitetin e tyre, si për Sigurimin e Shtetit, ashtu edhe në pozicionet e larta të Partisë së Punës”, shpjegon ajo.
Kurse sa u takon personave që janë pjesë e politikës, deputetja e PD-së sqaron se do të pritet fundi i mandatit të tyre kushtetues, pasi kjo ka qenë dhe një nga vërejtjet që Gjykata Kushtetuese ka bërë rreth 3 vite më parë kur e ka hedhur poshtë ligjin.
“Kjo ka të bëjë me gjetjen e të gjithë bazës së veprimtarisë të bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit dhe të atyre që i kanë futur brenda këtij rrjeti, të cilët edhe mund t’i kenë kërcënuar këta persona. Mendoj se gjëja më e rëndësishme është të flasim për historinë me një zë të vetëm, të argumenteve që na ofrohen nga aktiviteti i dikurshëm i zyrtarëve të lartë të shtetit shqiptar, por edhe i mjeteve të dhunës që regjimi kishte në atë kohë. Në këto raste, dosjet e personave që kanë bashkëpunuar apo kanë pasur rol të veçantë në mjetet e dhunës do të bëhen publike”, tha Doda.
Megjithatë, shton ajo, nëse këta persona do të japin dorëheqjen, do të evitohet pjesa e bërjes publike të dosjes, por kjo është diçka që mbetet në vlerësimin e parlamentarëve. Ky është vetëm hapi i parë, pasi procesi do të jetë relativisht i gjatë deri në miratimin e ligjit.