Rama: Sulm personal ndaj Gazhelit, pas marrjes së një ndëshkimi ligjor për evazion

Pas polemikave që kanë plasur mes drejtorit të Përgjithshëm të Doganave, Genti Gazheli me pronarin e mediave kryesore në vend, kryeministri Rama thotë se Dogana Shqiptare duhet që të bëjë sqarimet e saja zyrtare, edhe pse thekson se ai e lexon si sulm personal ndaj drejtuesit, pas marrjes së një ndëshkimi ligjor për evazion.

”Sa për “faktet” në thonjëza apo pa thonjëza, sigurisht që Dogana Shqiptare mund dhe duhet të bëjë sqarimet e saj zyrtare, por tjetër një denoncim legjitim i fakteve tjetër sulmi personal ndaj drejtuesit të institucionit, direkt pas marrjes së një ndëshkimi ligjor për evazion”,-shkruan Rama në Twitter.

Media ”News” 24 publikoi më herët një investigim mbi emërimet në doganën shqiptare të personave të dënuar në Greqi për vjedhje, grabitje, kontrabandë e grup kriminal, si dhe dokumente që implikojnë Drejtorin e Përgjithshëm të Doganave, Genti Gazheli në emërime të personave me precedentë penalë në sektorë kyçë të doganave.

Postimi i plotë nga Edi Rama në Twitter

Unë u shpreha qartë pa marrë anë. Përkundrazi, thashë se kush është viktimë e një shpifjeje apo shënjestër e një akuze legjitime, duhet të ketë të drejtën minimale të publikimit të opinionit të vet. Dhe siç shihet edhe këtu, kjo nuk ndodh, po vazhdon avazi.

Madje unë s’fola thjesht për këtë grup mediatik që nxjerr “fakte” të 2016-ës, pasi pronari i tij gjobitet për fshehje të konsiderueshme të ardhurash në biznesin e tij. Po fola për të gjitha mediat, sepse kjo liria e medias pa të drejtë replike për ato vetë mban erë të keqe shumë.

Sa për “faktet” në thonjëza apo pa thonjëza, sigurisht që Dogana Shqiptare mund dhe duhet të bëjë sqarimet e saj zyrtare, por tjetër një denoncim legjitim i fakteve tjetër sulmi personal ndaj drejtuesit të institucionit, direkt pas marrjes së një ndëshkimi ligjor për evazion.

Asgjë personale, po vetëm logjike dhe parimore. Ligj për shpifjen jo! Ligj për fyerjet e mediave jo! Gjyqe me media e me gazetarë jo! Reagime siç e meritojnë shqip fare në këto raste jo! Po as ankesa për të drejtën e publikimit të qëndrimeve pas një sulmi? Më duket e çuditshme.

SHKARKO APP