Dogjani: Droga po ngujon familjet Shqiptare, çfarë ndodh në zonat e thella

Flet për “Koha Jonë”, deputeti i Partisë Demokratike, Asllan Dogjani

Intervistoi: Redjon Shtylla

Shtypi ndërkombëtar, ka shtuar raportet dhe shkrimet, se në vendin tonë, kultivimi i kanabisit dhe bandat kriminale, kanë lidhje të fshehta me shtetin. Ndonëse, çdo ditë arrestohen shtetas shqiptarë se kapen në flagrancë duke kultivuar drogë, për deputetin Asllan Dogjani, i cili është pjesë e Komisionit të Sigurisë Kombëtare, pohon se banorët e këtyre zonave nuk duan që të kultivohet drogë në tokat e tyre, por droga është mbjellë nga trafikantë që kanë shkuar nga qytete të tjera. “Grupet e armatosura që ruajnë sipërfaqet me droge nuk i lënë të lëvizin lirshëm në tokat  e tyre”,- u shpreh Dogjani. Për debatin e legalizimit të drogave, Dogjani shprehet kundër, ku shton si problem se shumë familje kanë humbur fëmijët e tyre për shkak të luftës midis grupeve kriminale për pazare të drogës. Propozimi i tij, referuar dhe raporteve ndërkombëtare, se duhet një hetim ndërkombëtar të zyrtarëve të lartë të Qeverisë shqiptare lidhur me krimin e organizuar ndërkombëtar, trafikun e drogës dhe veprimtarisë terroriste.

Lulëzim droge në Shqipëri, cituar nga raportet ndërkombëtare. Çfarë po ndodh me këtë fenomen, pse nuk po ndalet? Si opozitë akuzoni se vendin e ka mbuluar kanabisi, por policia deklaron se ka shkatërruar 99.8% të sipërfaqes së mbjellë me drogë? Për ju si është situata?

Shqipëria është mbuluar me drogë më shumë se asnjëherë tjetër më parë, është kultivuar drogë në disa rrethe që banorët as nuk e kishin menduar ndonjëherë më parë se mund të vinte një ditë si kjo, kur Edi Rama të bëhej Kryeministër dhe në tokat e tyre të kultivohej drogë. Droga kultivohej tashmë edhe në Përmet, Zagori, Pogon, Dropull, Lunxheri, Gjirokastër etj.. Mora si shembull këto zona meqenëse kam punuar dhe vetë si drejtues policie dhe ruaj në memorien time si qytete, ku kriminaliteti pothuajse ishte inekzistent, qytetarët reagonin ndaj të keqes dhe kishte një bashkëpunim të shkëlqyer midis komunitetit e policisë dhe sot ka ndryshuar gjithçka. Jam i sigurt ashtu siç i kam informacionet që banorët e këtyre zonave përsëri nuk duan që të kultivohet drogë në tokat e tyre, por droga është mbjellë nga trafikantë që kanë shkuar nga qytete të tjera. Qytetarët shqiptarë nuk kanë nevojë të dëgjojnë as nga ne, as nga raportet e ndërkombëtarëve, se sa drogë është mbjellë, ku është mbjellë! Më mirë se sa ne, ata e shohin çdo ditë se sa drogë është mbjellë, kush e ka mbjellë, ku është mbjellë, sa para merr polici për çdo rrënjë bimë narkotike dhe deri ku ka degraduar kjo qeveri. Sa të implikuar janë Kryeministri, ministri dhe drejtuesit e policisë në kultivimin e trafikimin e drogës. Ata shohin përditë atje ku jetojnë, grupe të armatosura që ruajnë sipërfaqet me drogë në Tepelenë, Krujë, Vlorë, Shkodër, Gjirokastër, Fier, Përmet, Pukë, Fushë-Arrëz e kudo në të gjithë Shqipërinë. Nuk e kemi dëgjuar asnjëherë ministrin para se të fillonte kultivimi i bimëve narkotike apo Kryeministrin të ashpërsonte gjuhën në bazë të ligjit për trafikantët që do të kultivonin drogë apo dhe për drejtuesit e policisë që nuk do parandalonin kultivimin nuk mund të jenë drejtues policie. Vetëm pasi doli raporti i Guardia de Finanza dhe pasi është korrur droga nga ata që e kanë mbjellë e dëgjuam kryeministrin t’u thoshte trafikantëve se nuk është zgjidhje të mbjellin drogë për shkak të varfërisë. Ja pra dhe këtë nuk e beson më askush se nuk paska pasur mundësi policia të kontrollonte territorin. Po të merremi dhe me raportet e ndërkombëtarëve meqenëse Kryeministri ynë i ka për zemër dhe i referohet duke i lexuar shifrat që vetëm ai me logjikën e tij mund t’i kuptojë. Raporti i Guarda Di Finanza që nuk la seancë pa e përmendur se do e shihni ju kur të dalë raporti i partnerëve tanë italianë, që do të tregojë se kush ka mbjellë drogë më shumë ju apo ne? A thua se për këtë e votuan shqiptarët për t’u treguar se kush ka mbjellë më shumë drogë. Ja edhe raporti doli po jo ashtu siç na kishte premtuar Kryeministri.

Po me qytetarët çfarë po ndodh? Në seanca plenare keni denoncuar raste i fundit i nxënësve në Paskuqan, por si e shihni situatën, më çfarë po përballen qytetarët, a ndihen ata në kërcënim siç dhe jeni shprehur?

Qytetarët e vuajnë çdo ditë kur ata nuk kanë mundësi të shkojnë tek arat e tyre, të nxjerrin bagëtitë në kullotë, të vaditin tokat e tyre, të zbresin të sëmurët në spital nga Zagoria apo fshatrat e thella të Përmetit, Gramshit sepse grupet e armatosura që ruajnë sipërfaqet me droge nuk i lënë të lëvizin lirshëm në tokat e tyre. Fugonë, automjete të tjera, nisen nga qendrat e bashkive, fshatrave, qyteteve  me punëtorë të moshave të ndryshme, të moshuar, nxënës, gra e burra, deri dje për ta korrur drogën nëpër ara e sot nëpër magazina për ta paketuar. Qytetarët  e vuajnë çdo ditë kur fëmijët e tyre helmohen me drogë nëpër shkolla siç ishte rasti i Paskuqanit, e vuajnë nëpër spitale me fëmijët e tyre që përdorin drogë e kanë krijuar varësi nga droga. E kriminalizuan gjithë shoqërinë rreth 400 të rinj dhe shumica në moshë të mitur kanë rënë pre e grupeve kriminale dhe sot janë nëpër burgje apo të proceduar si shpërndarës droge për doza të vogla nga 6 gram hashash deri në 1 kg. Nuk besoj se e keni harruar kur thoshte se, për 300 ditë do vendosim rendin, qytetarët dhe prona e tyre do të jetë më e sigurt. Kanë kaluar jo 300 ditë, por më shumë se 900 ditë dhe sot vendi është i mbushur me drogë, grupe kriminale kontrollojnë territorin, vriten pothuajse  përditë qytetarë  për shkak të pazareve e konflikteve të drogës, grabitje bankash e biznesesh, një pasiguri totale.

Në 17 % të territorit që kishte monitoruar Guardia Di Finanza rezulton se ishte mbjellë 5 herë drogë më shumë, po në 83% të territorit të pamonitoruar sa drogë është mbjellë?

Kryeministri deklaron se ka shkatërruar 99.8%, të drogës së mbjellë në 17% të territorit dhe kemi 35% më pak drogë të kultivuar. Këto shifra mund t’i lexoj vetëm Kryeministri dhe vetëm me logjikën e tij dhe me llogaritjet që ai bënë mund të deklaroj se janë mbjellë më pak drogë dhe është shkatërruar 99.8 % e drogës së mbjellë. Vazhdon me strategjinë gënje sa më shumë përsërite gënjeshtrën përditë se bëhet e besueshme. Por nëse është asgjësuar 99.8% e drogës ku e gjejnë trafikantët këtë drogë që vetëm në një ditë është kapur 23 ton në Vlorë, 3 tonë në Burrel, kapen çdo ditë nga policia italiane. Sipas këtij trendi mendohet se minimum në Shqipëri është 10 mijë ton drogë që është bërë gati për tregtim trafikantët po shkojnë në Itali dhe po bëjnë kontrata marramendëse me pilotët italianë që drogën që kanë paketuar ta trafikojnë me avion si rruga më e mirë dhe e shpejt, për të mos rënë në duart e policisë së vendeve fqinje. Po ku ishte menduar se mund të ndërtohet një pistë avionësh si ajo e Ishmit pa mbështetjen e policisë dhe bashkëpunimin me ta, ja deri ku ka arritur mafia të ndërtoj pista avionësh për trafikimin e drogës. Shqipëria nuk ka qenë në gjendje të ndërtojë një pistë avionësh ndërsa trafikantët e ndërtojnë menjëherë. Trafikantët e drogës po dominojnë dhe drejtojnë vendin e qeverinë.

Propozimi për legalizim, a rrezikon të zbehë besimin ndaj strukturave shtetërore për sa i përket luftës ndaj ekonomisë kriminale?

Asnjëherë nuk do të votoja për legalizimin e drogës në kushtet që është Shqipëria duke e ditur se çfarë pasojash sjell përdorimi i drogës në Shqipëri dhe duke parë realitetin e përditshëm në vendin tonë. Është shtuar ndjeshëm numri i përdoruesve në Shqipëri dhe me qindra familje vuajnë me fëmijët e tyre për shkak se kanë krijuar varësi nga droga, shumë familje kanë humbur fëmijët e tyre për shkak të luftës midis grupeve kriminale për pazare të drogës. Vetëm në këto dy muaj, janë vrarë mbi 10 veta për shkak të konflikteve të drogës. Fëmijët po braktisin shkollën dhe po shfrytëzohen nga grupet kriminale në shpërndarjen e drogës por dhe për korrjen e paketimin e kanabisit nëpër magazina në gjithë Shqipërinë. Duhet të ndërhyhet urgjentisht përndryshe me përmasat që ka marrë kultivimi e trafikimi i drogës, pasojat do të jenë të pariparueshme.

A do ishte zgjidhje përdorimi i forcave ushtarake në kushtet e krijuara? Si pjesë e komisionit të sigurisë kombëtare, kemi menduar që të shpallet gjendja e jashtëzakonshme?

Ne jemi shumë të shqetësuar për sigurinë e jetës dhe pronës së qytetarëve shqiptarë, jemi të shqetësuar për sigurinë kombëtare, pasi pasojat e kultivimit masiv të drogës dhe trafikimi i saj kanë cenuar sigurinë kombëtare. Vrasje po ndodhin çdo ditë, grabitje, qindra e mijëra të rinj janë përfshirë në trafikimin e drogave të lehta por dhe në trafikun e heroinës e kokainës jo vetëm brenda Shqipërisë, por dhe jashtë saj. Nuk qenkemi ne fajtorët për situatën e krijuar siç mundohet ta paraqesë Kryeministri, por qenkan vetë drejtuesit e qeverisë, ku ekspertë ndërkombëtarë të sigurisë kërkojnë të fillojë një hetim ndërkombëtar për drejtuesit e qeverisë shqiptare.

Shtypi ndërkombëtar, ka qenë pjesë e këtij shqetësimi që ju përmendni, por duke ju referuar dhe peshës që kanë këto media, në denoncimet e tyre, sipas jush, cila është zgjidhja për luftën kundër drogës, çfarë duhet hetuar?

Për kultivimin masiv të drogës, trafikun e kanabisit, por dhe drogat e forta po flasin përditë gazetat më prestigjiozë të botës. Huffington post, shkruan se: ”Droga e Shqipërisë po destabilizon Ballkanin. Zyrtar të lartë të qeverisë thuhet në shkrim janë të përfshirë në trafikun e drogës jo thjesht për përfitime personale, por se kanë në plan për të mbajtur pushtetin me paratë e drogës (siç ndodhi në Dibër). Gazetari i ”RAI 3″ futet në plantacionet me kanabis në Krujë, ku thotë se është shndërruar në zemrën e marjuanës në Shqipëri dhe se droga gjendet kudo. Gazeta Amerikane “The Hill”, Kongresi Amerikan kërkon hetim ndërkombëtar për krerët e qeverisë shqiptare për lidhje me krimin e organizuar, trafikun e drogës dhe terrorizmin”. Në Uashington, konvertimi i kohëve të fundit i Shqipërisë në një strehë të drogës në Ballkan ka fluturuar nën radarët e politikës dhe ka nevojë për vëmendje të menjëhershme të SHBA-ve. Shqipëria ka filluar të ngjajnë një version ballkanik të Meksikës dhe Kolumbisë. Kongresi dhe autoritetet tona të zbatimit të ligjit duhet të shikojnë më thellë në këtë mjedis të rrezikshëm, duke përfshirë një hetim ndërkombëtar të zyrtarëve të lartë të Qeverisë shqiptare lidhur me krimin e organizuar ndërkombëtar, trafikun e drogës dhe veprimtarisë terroriste. Vetëm nën udhëheqjen e fortë të SHBA-ve, një hetim i tillë mund të ketë sukses. Korrupsioni zyrtar është i lartë dhe papunësia në mesin e të të rinjve shpesh kalon 40 për qind. Është ky korrupsion që mund t’i ketë bërë udhëheqësit e lartë të qeverisë shqiptare që të bëjnë një sy qorr për trafikun e drogës, shfaqjen e ISIS në vendin e tyre, dhe për përgjegjësitë që kanë me vendet partnere rreth tyre. Shqipëria i ka të gjitha mundësitë po të ekzistoj vullneti i qeverisë që ta parandalojë kultivimin e bimëve narkotike dhe brenda 24 orëve të kontrollojë territorin dhe të mos mbillet qoftë dhe një rrënjë bimë narkotike.

SHKARKO APP