Dokle vlerëson buxhetin, por kundërshton heqjen e akcizës për pijet energjike
“Opozita ka humbur shansin për tu bërë pjesë e kësaj reforme, që është shumë e rëndësishme dhe i afrohet modeleve evropiane, dhe do të ketë një ndikim në decentralizim të vendit, dhe një kursim deri në 6 miliardë lekë, që i rikthehen shqërisë shqiptare.
Natyrisht këtu doja të shtroja një gjë, që e kam biseduar edhe me ministrin Cani, sa i përket borxheve të vendorëve. Nuk është marrë asnjë veprim sa i përket borxheve para vitit 2011 të pushtetit vendor.
Këtu është një rreth vicioz që e pengon pushtetin vendor. Përmbarimi i merr grantin pushtetit vendor. Unë mendoj se me reformën territoriale do të gjenden mekanizmat për të zgjidhur këtë problem”, tha Dokle
Në vijim ai vlerësoi reformën e pensioneve si një nga më të rëndësishmet të miratuara nga kjo Qeveri, duke shtuar se kjo reformë i jep zgjidhje edhe çështjes së pensionit të minatorëve.
“Reforma e pensioneve është një nder për çdo qeveri të majtë. Nëse territorialja ishte në nder të majtës dhe të djathtës, skema e pensioneve është e qeverisë së majtë.
Pensioni social është një nga elementët pozitivë që ndërmerr ky buxhet. Së treti është pensioni i minatorëve.
Ky është një nga ligjet më të rëndësishme që me buxhetin që do të miratojmë do t’i jepet zgjidhje këtij problemi”, tha ai
Në lidhje me energjinë dhe nismën e ndërmarrë nga Qeveria, Dokle tha se fakti që qeveria ndërmerr një reformë të tillë do të thotë se ka vullnet për ta zgjidhur këtë çështje.
“Dhe nëse e arrijmë këtë do t’i bëjmë një nder vendit sepse pa energji nuk ka zhvillim.
Një reformë tjetër është edhe rivitalizimi i bujqësisë, një nismë edhe e Bashkimit Evropian. ka investime të mëdha që do t’i shërbjenë ekonomisë dhe nevojave që ka sot fshati”, u shpreh deputeti i PS
Në fjalën e tij, Dokle u shpreh kritik ndaj heqjes së akcizës për prodhuesit e pijeve energjike, çka sipas tij, i kushton buxhetit të shtetit sa dërgimi i 2000 studentëve jashtë shtetit për të studiuar.
Dokle bëri apel që këto praktika lobiste, siç i quajti ai, të mos lejojnë prishjen e imazhit të kësaj qeverie.
“Ne jemi votuar për të udhëhequr, po është e vërtetë. Por që të udhëheqësh duhet të parashikosh. Të gjitha këto reforma të rëndësishme, sa shkojnë, si shkojnë, dhe kur shkojnë tek qytetari.
Në zonën time elektorale, njerëzit që takoj shpesh, pa punë ishim, pa punë jemi, me listë hanim, me listë hamë. Prandaj ky buxhet duhet të synojë, që këto elementë socialë, t’i zgjidhë, pasi përndryshe nuk kemi zgjidhur problemet që i dhanë qeverisjës së mëparshme 1 milionë shuplaka.
Sa i përket akcizës së energjikëve, do të thotë t’i bësh një gropë këtij buxheti, e barabartë me dërgimin e 2000 studentëve të ekselencës për studime jashtë shtetit. U duhet dhënë fund këtyre praktikave lobiste pasi dëmtojnë imazhin e kësaj qeverie”, tha Dokle.