Dokument i ri i BE për zgjerimin prezantohet më 5 shkurt
Propozimi i Komisionit Evropian për një metodologji të re të zgjerimit do të paraqitet në 5 shkurt. European western Balkans citon burime jozyrtare në Paris e Bruksel të tregojnë se ka një datë konkrete për planin e shumëdiskutuar, për të cilin vetë Komisioni nuk e ka shpallur ende zyrtarisht.
Propozimi fillimisht ishte planifikuar të paraqitej në janar, sipas Komisionerit të ri të Zgjerimit, Olivér Várhelyi, por ai u shty për më vonë. Propozimi i Komisionit nuk do të jetë versioni përfundimtar i metodologjisë së re, e cila do të kërkojë pëlqimin e të gjitha Shteteve Anëtare. Ai pritet megjithatë të ndikojë ndjeshëm në debatin mbi këtë proces.
Reforma e metodologjisë ekzistuese të zgjerimit e mori shtysën nëntorin e vitit të kaluar kur Franca publikoi një dokument non-paper për këtë çështje, pasi bllokoi me veton e saj çeljen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në bllokun europian. Dokumenti I Parisit u pasua nga një tjetër non-paper, këtë radhë nga nëntë shtete të tjera anëtare të BE-së, përfshirë Italinë, Austrinë dhe Poloninë.
Dallimi kryesor I saj me propozimin francez, që parashikonte shtatë faza të procesit të bisedimeve, ishte se grupet e kapitujve duhet të hapen paralelisht dhe jo me radhë. Reforma e metodologjisë së zgjerimit vjen në kohën e përgatitjeve për Konferencën mbi Ardhmërinë e Evropës, si dhe Samitin BE-Ballkan Perëndimor që do të mbahet në Zagreb në muajin maj. Krerët e Bashkimit Europian ndërkohë do ta diskutojnë procesin e zgjerimit në samitin e Këshillit të BE-së në mars, i cili shpresohet të sjellë rezultate pozitive. Procesi i zgjerimit, nga sa ka pohuar Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Luiggi Soreca, do të nisë pikërisht bazuar në propozimet e komisionit.