Dom Gjergj Meta: Jeta është për t’u jetuar e jo për t’u zvarritur. Zemër! Çohu e mos iu nënshtro vdekjes e të keqes

Sot besimtarët katolikë kremtojnë festën e Pashkës, një ndër momentet më të rëndësishme të besimit që ndjekin dhe urimi në drejtim të tyre nuk ka munguar as nga Dom Gjergj Meta, ku thotë se jeta është për t’u jetuar e jo për t’u zvarritur. “Mendoj në këto Pashkë ato varre kundërmuese të shumë ekzistencave të palumtura, të shumë zemrave të vrara nga humbja e të dashurve të tyre apo ato jetë të nëpërkëmbura nga padrejtësitë sociale, nga trafiqet njerëzore, nga sistemet e paskrupull të korrupsionit, të shfrytëzimit të pasurive të natyrës pa kriter e për qëllime përfitimesh të pak individëve“.

Mesazhi

Simboli më domethënës i Pashkës është varri bosh. Kontakti i parë i nxënësve të Krishtit me ngjalljen nuk është takimi me Krishtin e ngjallur, (ky takim do të ndodhë më vonë), por me varrin pa trupin e Jezusit. Varri bosh është shenja më shprehëse e ngjalljes. Pjetri dhe Gjoni do të besojnë vetëm sepse kanë parë varrin bosh.

Varri është simboli i prishjes, i vdekjes. Është mohimi absolut i jetës. Kurse varri bosh i Krishtit kthehet në një mitër, në një uter që lind jetën. Apo nëse doni ta themi ndryshe, është toka e çarë, e hapur nga fara e vdekur për të çelur një jetë e re. “Ai nuk është aty” do të thotë se Ai nuk është i vdekur, se Ai nuk është i prishur e nuk kundërmon me erën e vdekjes.

Mendoj në këto Pashkë ato varre kundërmuese të shumë ekzistencave të palumtura, të shumë zemrave të vrara nga humbja e të dashurve të tyre apo ato jetë të nëpërkëmbura nga padrejtësitë sociale, nga trafiqet njerëzore, nga sistemet e paskrupull të korrupsionit, të shfrytëzimit të pasurive të natyrës pa kriter e për qëllime përfitimesh të pak individëve, etj. Sa shumë varre që kundërmojnë…

Sa do të doja që në këto Pashkë t’i shihja bosh ato varre dhe të ndihej zëri i fuqishëm i Krishtit që thotë: “Çohu ti që rri ndër të vdekur! Çohu e jeto! Dil nga ky qerthull, nga ky ujë i ndenjur i një ekzistence mediokre e pasive! Jeta është për t’u jetuar e jo për t’u zvarritur. Zemër! Çohu e mos iu nënshtro vdekjes e të keqes. Ja, unë jam me ty, unë jam me ju!”

Gëzuar Pashkën, të dashur miq, të afërt e të largët! KRISHTI ËSHTË NGJALLË!

SHKARKO APP