Drafti i Asociacionit, kryeministri Rama: Mundësi e artë dhe historike, gjëja më e mirë për Kosovën

Edi Rama kërkoi për së dyti lirimin e menjëhershëm të tre policëve të Kosovës. Edhe pse nuk mban një qëndrim të qartë nëse janë rrëmbyer apo arrestuar nga forcat serbe, kryeministri i Shqipërisë, në konferencë për shtyp me homologun e Hungarisë, tha se po punon në disa kanale për kthimin e tyre në shtëpi, duke mos përjashtuar komunikimin direkt me presidentin Aleksandër Vuçiç.

I pyetur nëse po punon për një dritare tjetër komunikimi me Albin Kurtin, Edi Rama u përgjigj se kryeministri i Kosovës duhet të fokusohet tek mundësia që i kanë vendosur në tryezë aleatët ndërkombëtarë për të zgjidhur situatën e krijuar me Serbinë, duke nxjerrë i pari lajmin se në tryezën e shefit të Qeverisë në Prishtinë ka mbërritur tashmë një propozim.

“Sot bashkësia euroatlantike i ka dhënë mundësinë e artë Kosovës, propozimi i BE dhe SHBA është gjëja më e mirë që mund t’i ndodhë Kosovës. Mund ta them me plot gojën që ajo marrëveshje në tavolinë dhe kjo mundësi e artë në këtë moment, nuk do jetë aty përgjithmonë, sepse situatat mund të ndryshojnë dhe mund të hyjmë në një tjetër kohë të gjatë në histori ku nuk do kemi zgjidhje. Të tjerat mund të jenë pilula ekzaltimi për ata që e identifikojnë veten si patriotë në lufta imagjinare, por nuk sjellin asgjë përveç humbjes së kohës dhe mundësisë”, u shpreh Rama.

SHKARKO APP