Drafti i PD: Kontrolli i SPAK-ut të bëhet nga një Komision Ad-Hoc, jo nga qeveria
Zbardhet opinioni i Partisë Demokratike në lidhje me Strukturën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e njohur ndryshe SPAK, pjesë e paketës për reformën në drejtësi. Mësohet se opozita nuk ndan të njëjtin qëndrim me maxhorancën për disa pika, siç është rasti për Njësinë e Posaçme me Policinë Gjyqësore, e cila emërohet nga Policia e Shtetit dhe organet e tjera të pushtetit ekzekutiv.
Kjo sipas PD-së bie ndesh me varësinë ekskluzive që Kushtetuta (neni 148) i ka njohur NJPH vetëm nga Prokuroria e Posaçme, dhe si e tillë cënon parimin e shtetit të së drejtës dhe atë të ndarjes dhe balancimit të pushteteve. Një tjetër problem që has opozita është edhe fakti se ky projektligj i jep mundësi pushtetit ekzekutiv (ILDKPKI, DSIK), që të pengojnë ose të ndërhyjnë në mënyrë të pakontrolluar në përzgjedhjen dhe emërimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të Gjykatave/Prokurorive të Posaçme.
Po ashtu, ndër shqetësimet e ngritura nga PD është edhe fakti se të gjitha institucionet e pavarura të luftës ndaj korrupsionit (gjykatat e posacme, prokuroria e posaçme dhe njësia e posacme hetimore), vendosen nën mbikëqyrjen dhe kontrollin e Qeverisë, jashtë kontrollit të një prokurori, duke shkelur sipas tyre standardet e pavarësisë dhe të paanësisë së organeve të reja kushtetuese.
Sakaq, PD shpreh shqetësim edhe për kriteret e emërimit të Drejtorit të Njësisë së Posaçme Hetimore, që sipas saj nuk garantojnë standardet e një konkurrimi të lirë. PD thekson se kontrolli i SPAK duhet të bëhet nga një komision Ad Hoc, ndërsa ai duhet të marrë informacione për pastërtinë dhe figurën e prokurorëve apo gjyqtarëve, i cili më pas do të bëjë vlerësimin.
Dokumenti 31 faqesh –PD jep opinionin për projektligjin “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar” si një nga ligjet më të rëndësishme zbatuese të Amendamenteve Kushtetuese të Reformës në Drejtësi.
Pr/ligji ka qëllim përcaktimin e rregullave mbi organizimin dhe funksionimin e tre institucioneve të reja të krijuara sipas ndryshimeve kushtetuese të miratuara me konsensus dhe konkretisht (i) gjykatave të posacme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar; (ii) prokurorisë së posacme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar; si dhe (iii) njësisë së posacme hetimore.
Në dokument thuhet: “Respektimi i plotë i dipozitave të Kushtetutës dhe Opinioneve të Komisonit të Venecias, si organizimi i vetëm kompetent dhe garant për ruajtjen e standardeve ndërkombëtare të organizimit të sistemit të drejtësisë, është më shumë se kurrë e rëndësishme”
PD thotë se përmbajtja e projektligjit, paraqet një sërë cështjesh që janë hartuar në mënyrë të paqartë dhe në kundërshtim me teknikën e hartimit të ligjeve, cka mund të krijonte probleme gjatë zbatimit
“Për këtë qëllim, shprehim qëndrimin tonë se cilësia e ligjit dhe funksionaliteti i zgjidhjeve teknike apo organizative të orfuara prej tij, është përgjegjësi e hartuesve dhe mazhorancës aktuale parlamentare, që pa arsye dhe me kokëfortësi, ka treguar se nuk është e interesuar për të vlerësuar me seriozitet kontributin konstruktiv të opozitës në këtë drejtim”
amendamente-pd-per-ligjin-spak-final
KOHA JONË SONDAZH

