Drafti i Reformës drejt Kuvendit, sot merret vendimi
Seanca plenare e Kuvendit vendos sot për futjen ose jo në kalendarin e punimeve të paketës kushtetuese, që lidhet me reformën në drejtësi. Pas debateve mes palëve, Këshilli i Rregullores dhe Mandateve, i mbledhur të mërkurën në mbrëmje, nuk arriti të marrë një vendim gjatë interpretimit të kërkesës së maxhorancës.
Ishin 33 deputetë që kërkuan futjen në kalendar të draftit të reformës në drejtësi dhe miratimin e saj brenda datës 15 korrik. Kjo u kundërshtua nga opozita, pasi sipas saj, paketa kushtetuese po përfshihet në proçedurat parlamentare në mënyrë të njëanshme dhe pa konsensus.
Xhafaj tha dje pas mbledhjes së Këshillit të Rregullores se “ajo që ka shkruar Gramoz Ruçi është çfarë kanë kërkuar Paloka dhe Bylykbashi për dekriminalizimin që produkti i Komisionit Parlamentar të kalonte në seancë dhe kjo po ndodh,” tha Xhafaj. Sipas tij, drafti kaloi në seancë vetëm me dy firma deputetësh, të Bylykbashit dhe të Ballës, si kryetarë dhe nënkryetarë të komisionit të posaçëm. “Precedenti është njësor sikur është një grup, ashtu edhe kur janë disa grupe. Nuk mund të thuash që kur jemi disa grupe ta bëjmë kështu, kur jemi një ta bëjmë ashtu. Rregullorja është një e vetme,” tha Xhafaj. Sipas tij, drafti do të hyjë në procedurë, më pas Konferenca e Kryetarëve do të vendosë që të hyjë në kalendar e pastaj do ta shqyrtojnë ligjvënësit në varësi të disa aspekteve.
Ndërkohë opozita ka reaguar dje nëpërmjet demokratit Arben Ristani: “ Ishte një kërkesë jashtë ligjit, jashtë normales. Me sa duket menduan ta shtrojnë në Komisionin e Rregullores për t’iu përgjigjur pyetjes nëse duhet të zbatohet neni 77. Neve nuk na bind logjika e të majtëve, por rregullores nuk kemi ç’t’i bëjmë. Do të kalojë nga Konferenca e Kryetarëve e cila do të vendosë sigurisht në bazë të rregullores. Kemi të bëjmë me një reformë të rëndësishme, me sa duket do të shkojë pa konsensus, sepse ata nuk duan të ecin me shpejtësinë veneciane. Është një ecje arrogante, shumë vite prapa për Shqipërinë”.
Rendi i ditës i parlamentit parashikon gjithashtu diskutimin edhe të disa çështjeve të tjera, si ratifikimin e protokollit të Traktatit të Atlantikut Verior për aderimin e Malit të Zi; pr/ligji “Për zejtarinë”, si dhe dekreti i Presidentit që kthen për rishqyrtim në Kuvend ligjin “Për masat shtesë të sigurisë publike”. Të enjten e kaluar kuvendi nuk zhvilloi seancë dhe sot pritet të shpërthejë, duke marrë parasysh deklaratat e BE-së dhe presionet e secilit kamp.
KOHA JONË SONDAZH

