“Drejtësia” – Mazhoranca diskuton pa opozitën pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve
Mazhoranca ka vijuar edhe këtë të premte me diskutimin pa opozitën të paketës së 7 ligjeve të reformës në drejtësi.
Gjatë mbledhjes së sotme u diskutua P/ligjin për Statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve.
“Për herë të parë statusi i gjyqtarit dhe prokurorit rregullohet me ligj të posaçëm. Sot kemi trajtuar përfundimisht atë bashkëpunim që patëm me Ministrinë e Financave, Drejtorinë e Administratës publike lidhur me pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve por mos harroni që edhe administrave të gjykatave dhe prokurorive.Nuk mund të flas me shifra pasi aty janë shumë krerë, me rëndësi është që trajtimi i tyre do të jetë më dinjitoz.Në këtë ligj rregullohet cilësia se kush mund të jetë magjistrat, si mund të ushtrosh detyrën e magjistratit, si mund të japësh drejtësi, rregullat që janë përcaktuar për funksionin e magjistratëve, masat displinore, çdo lloj zvarritje apo vendimi të paligjshëm, abuziv, përgjegjësinë që do mbajnë tashmë gjyqtarët dhe prokurorët për shkeljet e ligjit qoftë dhe nga pakujdesia”- tha Hysi.
Më tej deputetja socialiste tha se mbetet edhe ligji i fundit për tu diskutuar dhe 7 ligjet janë gati për seancën e së enjtes. “Ka mbetur për diskutim dhe ligji shtesa dhe ndryshime në Gjykatën Kushtetuese dhe paketa e 7 ligjeve përmbyllet. Të enjten janë në seancë ligjet”- tha ajo.
Hysi kritikoi mungesën e opozitës në Komision. “Opozita ka bërë zgjedhjen e saj, duhet të ishte e pranishme. Ky ligj është diskutuar që në muajin qershor, është voluminiz, gati 180 nene që rregullon aspekte të punës së gjyqtarëve dhe prokurorëve, raportin me qytetarin”- tha Hysi.
E pyetur nëse 7 ligjet do të kenë fatin e vettingut, anëtarja e Komisionit të posaçëm për reformën në drejtësi u shpreh se 6 ligjet e tjera nuk kanë arsye që të kenë të njëjtin fat me ligjin e vetingut. “Jo nuk kanë pse të kenë fatin e vettingut. Ligji i vettingut është mkiratuar. Çdokush mund ti drejtohet Gjykatës Kushtetuese”- u shpreh Hysi
Por a duhet të ndihen të kërcënuar gjyqtarët dhe prokurorët me ligjin e ri?
“Jo ky ligj rregullon shumë mirë statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, qartësohet karriera e tyre, kriteret e emërimit të tyre, transferimit, komandimit, të ngritjes në karrierë. Nuk do kemi raste që një gjyqtar nga shkalla e parë menjëherë të katapultohet në Gjykatën e Lartë”- tha Hysi.
KOHA JONË SONDAZH

