Drejtësia, Meta: Kushtetuesja të japë sa më shpejt vendimin për Vettingun
Kreu i Kuvendit, Ilir Meta, përsëriti nevojën për një përgjigje sa më të shpejtë nga Gjykata Kushtetuese për ligjin e vettingut. Duke folur në analizën vjetore të punës së Avokatit të Popullit, Meta tha se forcimi i zbatimit të ligjit është me rëndësi jetike për luftimin e korrupsionit dhe forcimin e institucioneve.
“Një ndër prioritetet më të rëndësishme të ecjes më tej drejt anëtarësimit në BE është gjithmonë çështja e të drejtave të njeriut.
Në mënyrë të veçantë do të veçoja sot këtu reformën në drejtësi, si kryefjala e aktualitetit politik pasi ajo është reforma më e rëndësishme nga zbatimi dhe suksesi i të cilës varet shumë dhe suksesi i të gjithë reformave të tjera.
Jo vetëm atyre që kanë të bëjnë me 5 prioritetet kyçe, por në të gjitha aspektet.
Ndaj është mjaft e rëndësishme që sa më shpejt të kemi një vendim të Gjykatës Kushtetuese që do ti hapë rrugën zbatimit të shpejtë të ligjit për vettingun dhe zbatimit të gjithë kësaj reforme në një mënyrë sa më të suksesshme.
Forcimi i zbatimit të ligjit në mënyrë të drejtë dhe të barabartë është shumë e rëndësishme për të luftuar jo vetëm korrupsionin, jo vetëm për të forcuar institucionet dhe besimin e qytetarëve tek institucionet, por është një garanci thelbësore për të gjithë të drejtat e njeriut dhe garantimin e përfshirjes sociale”- u shpreh kryeparlamentari Ilir Meta.
Fjala e plotë e Kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta në “Konferencën Vjetore të Avokatit të Popullit 2016”:
Është kënaqësi të marrë pjesë në këtë aktivitet mjaft domethënës pasi “Axhenda 2030”, “për popujt, planetin, prosperitetin, paqen dhe partnershipin”, është mjaft e rëndësishme për drejtimin e politikës globale dhe kombëtare për të ardhmen, duke ofruar një ndryshim paradigmë në modelin dominant të zhvillimit.
Është e rëndësishme dhe e domosdoshme për ne si politikanë dhe ligjbërës të përkushtohemi më shumë për zbatimin me sukses të kësaj axhende, sepse ajo ofron një vizion të ri dhe transformues të zhvillimit të qëndrueshëm universal, të bazuar në të drejtat e njeriut, të ndjeshëm ndaj çështjeve të barazisë gjinore, të integruar, për një mjedis të shëndetshëm dhe në shërbim të njerëzve
Me këtë vizion, “Axhenda 2030” përmban një premtim të përbashkët që askush të mos lihet pas, për të eliminuar diskriminimin dhe pabarazitë, dhe për të siguruar që objektivat në të ardhmen të arrihen për të gjithë, me një fokus të veçantë për ata që kanë mbetur në varfëri apo prapambetje përmes përfshirjes.
Në zbatimin e kësaj axhende mjaft të rëndësishme, besoj se edhe në vendin tonë hapen shanse të reja për forcimin e të drejtave të njeriut, në mënyrën se si ne i hartojmë dhe më pas i zhvillojmë politikat kombëtare, duke e ndërthurur aksionin tonë politik me aktorë të tjerë të domosdoshëm dhe të pazëvendësueshëm si institucionet e pavarura dhe organizatat e shoqërisë civile.
Ne në Kuvend jemi përpjekur gjatë këtyre viteve të punojmë më shumë në këtë drejtim, sepse besojmë në bashkëpunimin dhe rolin e institucioneve të pavarura dhe të shoqërisë civile, dhe të gjithë grupeve të interesit, si faktor kyç për zhvillimin social dhe ekonomik të vendit, por edhe të çdo komuniteti.
Aktiviteti ynë është përqendruar në afrimin e mëtejshëm të publikut tek Parlamenti, pasi besojmë se një qasje e fortë dhe më e shëndetshme ndaj transparencës dhe përfshirjes së publikut në veprimtarinë e Kuvendit dhe të Komisioneve, i mundëson shoqërisë civile, mediave dhe aktorëve të tjerë për të debatuar, për të hetuar, por edhe për të sfiduar në mënyrën e ushtrimit të pushtetit gjithnjë në interes të qytetarëve.
Në rrethanat aktuale të zhvillimeve globale, për ne gjithashtu në të gjithë këtë rajon mjaft të rëndësishëm të Evropës, duhet të jetë në qendër të vëmendjes ndjeshmëria ndaj problemeve të larta sociale dhe frustimeve shoqërore të cilat lidhen ngushtë me të drejtat ekonomike të qytetarëve tanë, me të drejtat civile dhe politike, si dhe me të drejtën për zhvillim.
Pas janë këto pakënaqësi sociale, janë këto frustrime shoqërore që shpesh herë më pas përdoren nga populistët dhe nacionalistët për të avancuar axhendat e tyre që shkojnë kundër stabilitetit, kundër integrimit evropian dhe njëkohësisht edhe kundër objektivave të “Axhendës 2030”.
Ndaj unë besoj se “Axhenda 2030” dhe 17 Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm të saj, na ndihmojnë edhe ne mjaft për të përmirësuar e përshtatur politikat tona kombëtare, me qëllim që ato të reflektojnë tërësisht obligimet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.
Siç përcaktohet në objektivat ambicioze të kësaj Axhende gjithëpërfshirëse, ne duhet të angazhohemi akoma më tepër ndaj njerëzve të prekur nga varfëria për të rritur aksesin e tyre në kujdesin cilësor shëndetësor, të arsimit, në aksesin për shërbimet për ujin e pijshëm, për kanalizimet, për mjedisin, dhe patjetër për punësimin, sidomos mjaft e rëndësishme kjo për të rinjtë tanë.
Komuniteti rom, egjiptian në mënyrë të veçantë duhet të përfshihen akoma më mirë në programet e strehimit, të arsimit dhe të punësimit.
Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm të kësaj axhende angazhojnë një tërësi aktorësh kyç në nivel global, rajonal, kombëtar dhe lokal, ku veç mbajtësve të të drejtave përfshihet edhe Parlamenti, dhe autoritetet lokale, biznesi, akademitë, organizatat joqeveritare dhe shoqëria civile.
Më shumë se kurrë, sot në frymën e kësaj Axhendës, nevojitet adoptimi i një qasjeje të bazuar tek të drejtat e njeriut në të gjitha fazat e planifikimit, programimit dhe zbatimit, qasje e cila gjithmonë duhet të prevalojë mbi çdo rrethanë.
Ky zhvillim përcaktues në nivel global përbën edhe bazën referuese të të gjithë veprimtarisë së shtetit, të institucioneve dhe të shoqërisë sonë, ku Kuvendi luan një rol mjaft të rëndësishëm në procesin ligjbërës me qasjen dhe vizionin tashmë të qartë se, “Askush nuk duhet të lihet pas”, në rrugën e zhvillimit shumëdimensional të shtetit dhe shoqërisë sonë.
Reformat e ndërmarra gjatë viteve të fundit, përbëjnë një angazhim serioz dhe afatgjatë për një shoqëri ku respektohet dinjiteti njerëzor dhe ku e drejta për zhvillim duhet të fitojë një dimension të ri.
Dhe jo rastësisht edhe një ndër prioritetet më të rëndësishme lidhur edhe me axhendën tonë të ecjes më tej drejt anëtarësimit në BE është gjithmonë çështja e të drejtave të njeriut.
Në mënyrë të veçantë do të veçoja sot këtu reformën në drejtësi si kryefjala e aktualitetit politik, pasi ajo është reforma më e rëndësishme nga zbatimi dhe suksesi i të cilës varet shumë edhe suksesi i të gjithë reformave të tjera, jo vetëm atyre që kanë të bëjnë me 5 prioritetet kyçe, por në të gjitha aspektet, ndaj është mjaft e rëndësishme që sa më shpejt të kemi një vendim të Gjykatës Kushtetuese që do t’i hap rrugën zbatimit të shpejtë të ligjit për Vetting-un dhe zbatimit e të gjithë kësaj reforme në një mënyrë sa më të suksesshme.
Sepse forcimi i zbatimit të ligjit në mënyrë të drejtë dhe të barabartë, është shumë e rëndësishme, jo vetëm për të luftuar korrupsionin, jo vetëm për të forcuar institucionet dhe besimin e qytetarëve tek institucionet, por është një garanci thelbësore për të gjithë të drejtat e njeriut dhe garantimin në përfshirjen sociale.
Ndaj në të gjithë këtë aksion nuk mund të kemi suksesin e duhur edhe pa bashkëpunimin, partneritetin dhe sinergjintë e duhura në bashkëpunim të ngushtë edhe me institucionin e Avokatit të Popullit, gjë për të cilën duhet të punojmë më tej për të forcuar edhe pavarësinë e këtij institucioni, sidomos atë teknike dhe atë financiare, dhe në këtë rast unë do të falënderoja të gjithë ata që e kanë mbështetur këtë institucion, natyrisht duke u bashkuar falënderimit të z. Totozani për Mbretërinë e Danimarkës dhe me Ombudsmanin e Danimarkës, por edhe në vende të tjera.
Avokati i Popullit ka një rol unik e ndërlidhës ndërmjet aktorëve të ndryshëm, për rritjen e transparencës, pjesëmarrjes dhe gjithëpërfshirjes.
Ndaj edhe Kuvendi i Shqipërisë e ka mbështetur forcimin e peshës së këtij institucioni, duke besuar në rolin e tij kyç për rritjen e ndërgjegjësimit, ndërtimit të besimit dhe promovimit të dialogut dhe përpjekjeve të përbashkëta për një qasje dhe politikëbërje të bazuar në të drejtat e njeriut.
Dhe mendoj që fakti më i mirë për këtë është kërkesa e vazhdueshme e grupeve të cilat ndihen të papërfshira apo të cenuara në të drejtën e tyre, drejtuar Avokatit të Popullit për ta përdorur këtë institucion mjaft të rëndësishëm si një garant për t’i bërë të ditura shqetësimet e tyre dhe për të kërkuar reflektimin e tyre nga të gjitha institucionet shtetërore, qeveritare dhe publike në vend.
Besoj se ne të gjithë kemi përkushtimin dhe vullnetin për të punuar më shumë dhe më me modesti me njëri-tjetrin për një shoqëri më të drejtë, më të të hapur, më përfshirëse në mënyrë që ato të jetë më e denjë e më të ndjeshme ndaj të drejtave të njeriut.
Duke ju përgëzuar për këtë konferencë dua t’ju sigurojë për mbështetjen tonë si Kuvend gjithnjë e më të madhe për këtë institucion, por edhe për këtë “Axhendë 2030” që shkon në mënyrën më kuptimplote paralelisht edhe me axhendën tonë të anëtarësimit në BE.