Drejtoria e Taksave Vendore të Tiranës certifikohet me ISO 9001, Veliaj: Vlerësim për punën tonë
Bashkia e Tiranës mori një tjetër vlerësim të rëndësishëm ndërkombëtar nga kompania prestigjioze gjermane e certifikimit, DEKRA, e cila ka pajisur me certifikatën ISO 9001:2015 edhe Drejtorinë e Përgjithshme të Taksave dhe Tarifave Vendore të Tiranës. Ky certifikim përfaqëson një njohje zyrtare të përkushtimit të bashkisë për të ofruar shërbime cilësore dhe për të përmbushur standardet më të larta ndërkombëtare të menaxhimit të cilësisë.
Kryebashkiaku Erion Veliaj theksoi rëndësinë e këtij vlerësimi, duke nënvizuar transformimin rrënjësor të sektorit të taksave dhe tarifave vendore në dekadën e fundit, si dhe angazhimin e vazhdueshëm të bashkisë për të përmirësuar cilësinë e shërbimeve publike. Pas marrjes së certifikimit nga drejtuesit e DEKRA-s, Veliaj tha se institucioni i taksave dhe tarifave vendore ka ndryshuar në një mënyrë të jashtëzakonshme në 10 vitet e fundit.
“Ne duam të përmirësohemi, të kontrollohemi, të vlerësohemi çdo vit, ne duam që ta rrisim stekën, që të thyejmë record çdo vit. Ndaj, shpresoj se kemi filluar një marrëdhënie afatgjatë së bashku, ku Bashkia e Tiranës dhe të gjithaë institucionet përbërëse të saj kalojnë çdo vit këtë filtër transparence, efiçence dhe përgjegjshmërie. Këtë akt përgjegjshmërie e kemi marrë sepse besojmë fort që, përpara se të na kontrollojnë të tjeret, ne duhet të kontrollohemi vetë. Më vjen mirë që institucioni i taksave dhe tarifave vendore të bashkisë është i treti, pas aparatit qendror të bashkisë dhe Policisë Bashkiake, që e merr këtë vlerësim nga DEKRA”, tha Veliaj.
Ai shtoi se sot Bashkia e Tiranës ka më shumë se 10-fishin e buxhetit që u gjet në vitin 2015. Kryebashkiaku nënvizoi se pavarësisht një minorance te zhurmshme, skuadrat e bashkisë po lënë një gjurmë të jashtëzakonshme në mënyrën se si po transformohet qyteti.
“Për ne që jetojmë në Ballkan, në këtë klimën toksike ku një minorancë e zhurmshme bën zhurmë sa për gjithë dynjanë, ndonjëherë duhet një vlerësim i dikujt që vjen me një sy të freskët nga jashtë, për të parë çfarë bëhet dhe për të treguar vërtetësisht realitetin e atyre që punojnë me përkushtim dhe nisen çdo ditë në mëngjes, jo për t’u bërë xhandarë, por për të bërë një punë dinjitoze që mban familjen, dhe së dyti për të qenë pjesë e një skuadre që ndryshon një realitet, që ndryshon një qytet dhe lë një gjurmë të jashtëzakonshme për transformimin e qytetit”, theksoi ai.
Më herët, këtë certifikim nga kompania e njohur gjermane e certifikimit të standardeve të shërbimit, DEKRA, e ka marrë edhe administrata qendrore e Bashkisë së Tiranës dhe Policia Bashkiake. Ky certifikim është një tjetër tregues se institucionet e Bashkisë së Tiranës funksionojnë në mënyrë të strukturuar dhe të kontrolluar, me një fokus në përmbushjen e nevojave të qytetarëve dhe ofrimin e shërbimeve cilësore në mënyrë të qëndrueshme.