Dritëro Agolli me 14 shtator 1993 shkruan në KOHA JONE: Shqipëria, ku të gjithë janë kushërinj, pa koalicion të plotë nuk mund të ecë përpara kurrë

Dritëro Agolli me 14 shtator 1993 shkruan në KOHA JONE: Shqipëria, ku të gjithë janë kushërinj, pa koalicion të plotë nuk mund të ecë përpara kurrë

Nga Dritëro Agolli-

Tani për tani demokracia jonë është një Pazar politik, ku oratorët mburrin mallrat e tyre politike. Këta oratorë politikë dhe bakaj gazetash, duke lavdëruar çdo gjë të tyre, shajnë çdo gjë të tjerëve dhe pazari zien në një mishmash kolosal dhe në një shamatë të hatashme: “blini mall nga i imi, malli i atij tjetrit nuk është gjë”.

Dhe në këtë Pazar shpesh bëhet pazarllëk edhe me gjakun edhe kockat e të vdekurit. Por për këtë do të flas pak më vonë. Në këtë Pazar brenda një dite gjithçka mund të hidhet poshtë dhe për çudi gjithçka mund të ngrihet lart, pasi çdo gjë nuk ka bazën e së vërtetës. E vërteta këtu shkëmbehet me fantazinë personale, apo me fantazinë e një grupi a partie të tërë. Prandaj shamata dhe sherri u zunë vendin debatit dhe diskutimit. Asgjë nuk merret vesh. Nuk merr vesh as ky që bën shamatën dhe as ai që e pret shamatën. Dhe shamatë mund të pëlcasë atje ku nuk ta pret mendja. Fjala vjen, Këshilli i Rrethit të Krujës më datë 20 Korrik 1993 merr vendimin e quajtur: “për ndërrimin e emrave të shkollave të rrethit”. Atëherë shkollës së mesme të qytetit “Skënderbeu” i hiqet emri. Gjithashtu edhe shkollave të tjera u hiqen emrat e dëshmorëve të LANC. Pse u hiqen emrat? Kryetari i Këshillit i thotë një gazetari se vendimi u mor “në kuadrin e depolitizimit të shkollës”. Ne nuk e paskemi ditur se Skënderbeu, Shote Galica dhe dëshmorët paskan bërë hatanë në Krujë, duke e politizuar këtë qytet të lashtë të Arbërisë! Po në Tiranë, në kryeqytetin e demokracisë, përse ju vu emri i amerikanit Fullc, Politeknikumit? Amerikani Fullc nuk e politizuaka shkollën shqiptare, kurse shqiptari Skënderbe dhe shqiptarka Shote bashkë me dëshmorët e politizuakan! Skënderbeu nuk e gjeti, por e bëri kryeqytet Krujën 500 e ca vjet më parë dhe nuk i mbeti emri në shkollë. E shihni si pëlcet sherri atje ku nuk e mendon fare? Ç’të bëjë opozita atëherë? Të heshtë? Ajo e di që Skënderbeu e pësoi nga dëshmorët. Nëpërmjet heqjes së emrin të tij mund të hiqeshin më lehtë emrat e dëshmorëve.

Kështu e ka pazari.

Një ditë prej ditësh u vihet litari në grykë katër vajzave heroina të Mirditës, të kthyer në bronz dhe të katërta rrëzohen përtokë. Është fjala për monumentin e shembur. Ç’patën me këto vajza që u vranë, sepse donin të shkonin në shkollë, sepse dëshironin të jetonin të lira në shoqëri?

Ah, monumenti i tyre u rrëzua për nder të vizitës në Mirditë të vrasësit të tyre Ndue Pjetër Gjonmarkajt! Ky qenka burrë! Të katër vajzat i vrau dy herë. Një herë në mish dhe një herë në bronz! Dhe në vendin ku ishte përmendorja e katër vajzave mund të jetë menduar të ngrihet përmendorja e Ndue Pjetër Gjonmarkajt, doemos duke pritur pakëz se është ende gjallë dhe sikur nuk shkon të përjetësohet për së gjalli!

E shihni si pëlcet sherri atje ku nuk e mendon fare?

Ç’të bëjë opozita atëherë, të heshtë? Një mëngjes në Korçë i vërviten me vare dhe me qysqi Koci Bakut, doemos të kthyer në bust. E shembin përdhe dhe e shkelën vetëm e vetëm se u vra më 8 Nëntor 1941 dhe se ishte komunist. Në bazë të analizave imagjinare të gjakut të dëshmorëve në laboratorët imagjinare të zyrtarëve, del se gjaku komunist nuk vlen të jetë gjak martiri! Po çfarë t’i bëjmë se në vend të gjakut që derdhi Koci Bako nuk u derdh atë ditë gjaku i ndonjë babai, gjyshi apo kushëriri të zyrtarëve apo deputetëve të Korçës së sotme? Ai gjak ishte në Nëntor të 1941, ai dhe u derdh e lagu rrugën. Të tjerët me sa duket atë ditë nuk kishin gjak. Po çfarë kini?  Edhe ndaj gjakut të derdhur të komunistëve do të merrni hak? Se me ish komunistët e gjallë puna dihet! Dhe pastaj, duke shkelur mbi gjakun, i thua opozitës: “mirëmëngjes opozitë!”

Shakaxhinj të mëdhenj jemi!

E shihni si pëlcet sherri atje ku nuk ta pret mendja fare? Po kush e ndez këtë sherr? Ç’të bëjë opozita atëherë të heshtë? Si mund t’i largohet opozita këtij zjarri të sherreve të ndezura nga tjetërkush? Ajo largohet nga një zjarr, ku për dreq, ndizet një zjarr tjetër. Nuk ke ç’t’i bësh? Ti ikën nga sheshi i Koço Bakut, ku u rrëzua busti, pasi “nuk duam politizim sheshi” dhe vjen në një shesh të Elbasanit që quhet “Gensher”. Po të ishte Gensheri ende Ministër i Jashtëm i Gjermanisë, sheshi me emrin e tij mund të merrte pakëz nuancë politike, por tani ai nuk e ka këtë post! Sheshi mbetet i papolitizuar! Ndërsa tjetër është Koçi Baku. Ai shesh ka lënë gjakun e politizuar. Kurse Gensheri… Kështu e ka pazari!

Vërtet, siç thashë në fillim tani për tani demokracia jonë është një pazar politik, ku ndizen përherë zjarre të sherrit e të shamatës. I takon të zotit të pazarit, nëse ka një zot ky Pazar, jo vetëm t’i shuajë këto zjarre, por edhe të mos i ndezë. Edhe izraelitët me palestinezët po i shuajnë zjarret, po përqafohen. Kurse ne gjithmonë dhëmb për dhëmb. U bëmë t’ua kemi zili izraelitëve dhe palestinezëve! Do të jetë mirë ta ftojmë usta Arafatin dhe t’i themi:

“Usta Arafat, Allahu qoftë me ty! Çfarë shejtanllëku përdore që u pajtova me jezitin Jahudi? Mësoja këtë shejtanllëk malumëve demokratistë dhe jezitëve socialistë për të shpëtuar nga shamata, që ka pllakosur anembanë të bekuarin vatan”!

Dhe Arafati do të zërë mjekrën me dorë dhe do të thotë:

“Allahu qoftë me ju! Lipset të bëni ujdi mes tarikateve (koalicion mes partive) në hyqmet (qeveri). Në këtë ujdi bujrëm edhe jezitët socialistë, edhe të paudhët mocionistë, përndryshe malumët demokratistë malumë do ta kenë hesapin”.

Kjo nuk është për të qeshur. Kështu do të bëhet, por më vonë, kur Shqipëria të rraskapitet nga mëritë.

Shqipëria, ku të gjithë janë kushërinj, pa koalicion të plotë dhe jo gjysmak, nuk mund të ecë përpara kurrë!

Dritëro Agolli

(Botuar në KOHA JONE)

 

SHKARKO APP