Dua Lipa bëhet shtetase e Republikës së Kosovës
Prishtinë – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka dhënë shtetësinë e Republikës së Kosovës këngëtares së njohur me famë botërore, Dua Lipa.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Osmani njoftoi se ky vendim u bë me dekret presidencial, si një akt mirënjohjeje për kontributin e Lipës në përfaqësimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.
“Mirë se erdhe në shtëpi, Dua! Nder i veçantë që sot, me dekret presidencial, t’ia jap shtetësinë e Republikës së Kosovës, Dua Lipës, një prej personaliteteve më të rëndësishme kulturore dhe artistike në historinë e vendit tonë”, shkroi Presidentja.
Vjosa Osmani theksoi se Dua Lipa ka qenë gjithmonë e lidhur me Kosovën dhe se suksesi i saj global ka ndihmuar në promovimin e imazhit të vendit, sidomos te rinia dhe komunitetet ndërkombëtare të artit.
Ky akt vjen në një kohë kur Lipa vazhdon të jetë një nga emrat më të njohur në muzikën ndërkombëtare, dhe një zë i fortë për Kosovën në skenat botërore.



KOHA JONË SONDAZH

