Duka fton LIBRA, SFIDA dhe Aleanca Kuqezi: Të bëhemi bashkë për reformën zgjedhore
Kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste z.Agron Duka u drejtohet me një letër partive të vogla parlamentare dhe tre partive te reja, Libra, Sfida per Aleanca Kuq e Zi, për t’u bërë bashkë në përpjekjen drejt ndryshimeve të domosdoshme në Kodin Zgjedhor dhe Kodin Penal, në mënyrë qëtë mos përsëritet fenomeni i shit-blerjes së votës në zgjedhjet e vitit 2017.
Në kulmin e debatit për reformën zgjedhore dhe kur afatet për këto ndrysheme janë në limit, në mos janë tejkaluar, kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste bën një apel për të gjitha partitë e vogla parlamentare, shto këtu edhe dy partitë e tjera jashtë parlamentit, Sfida për Shqipërinë e Gjergj Bojaxhiut dhe Aleanca Kuq e Zi e Kreshnik Spahiut, për të ndërmarrë një nismë urgjente: Pesëfishimi i ndëshkimeve penale dhe financiare për fenomenin e shit-blerjes së votës. Ai i fton këto parti për të qenë së bashku, për të kushtëzuar partitë e mëdha dhe për të ndikuar te faktori ndërkombëtar, për arritjen së paku të këtij ndryshimi në reformën zgjedhore.
LETRA E AGRON DUKES
I nderuar kryetar!
Pak muaj para zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare, me gjasë duket se s’ka më kohë për realizimin e reformës zgjedhore dhe përmbushjen e rekomandimeve të OSBE/ODIHR.
Por nëse kemi vullnetin mund të bëhemi të gjithë bashkë për të ndalur fenomenin e shit-blerjes së votës. Cilido që tenton ndoshta të na mbushë mendjen se ky fenomen nuk ekziston në Shqipëri dhe nuk kërcënon zgjedhjet e ardhshme, mendoj se nuk bën gjë tjetër veçse kërkon ta fshehë dhe relativizojë këtë fenomen të turpshëm e kriminal.
Jemi dëshmitarë të gjithë se në këtë çerekshekulli demokraci shit-blerja e votës ka tjetërsuar vullnetin real të qytetarëve dhe ka mbjellë veç korrupsion. Duhet dhe ka ardhur koha që të ndalojmë njëherë e mirë këtë fenomen. Le të marrim shembull nga Maqedonia fqinje, ku shitja e votës përbën vepër penale dhe dënohet me së paku 5 vjet burg.
Mendoj se edhe në Shqipëri duhet të ashpërsojmë masat ndëshkuese për këdo që shet dhe blenë vota. Aktualisht masat që parashikohen në Kodin Zgjedhor dhe Kodin Penal janë të pamjaftueshme dhe siç e kemi vënë re shpesh, njerëzit e përfshirë në shit-blerje votash kanë shpëtuar me ndëshkime qesharake.
Si Kryetar i Partisë Agrare Ambientaliste propozoj të ndërmarrim iniciativën për të bërë të gjitha ndryshimet ligjore në Kodin Zgjedhor dhe Kodin Penal, në mënyrë që prej zgjedhjeve të ardhshme të mos kemi deputetë që nuk përfaqësojnë realisht vullnetin e qytetarëve. Nga ana tjetër, përveç ndryshimeve ligjore, Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve duhet të intensifikojë një fushatë kombëtare kundër shit-blerjes së votës. Për këtëështë i domosdoshëm kontributi i mediave dhe shoqërisë civile. Çdo tentativë reformimi e sistemit zgjedhor duhet të nisë nga ky mëkat origjinal i shoqërisë sonë. Blerja dhe shitja e votës godasin themelet e lirisë dhe demokracisë.
Sinqerisht, Agron Duka
Kryetar i Partisë Agrare Ambientaliste
KOHA JONË SONDAZH

