Duma: Rama përgjegjës për humbjen e katër jetëve, i dha imunitet vrasësit Xhuvani

Ne nje deklarate per mediat nga selia e PD, Grida Duma deklaroi se nuk mund te harrohet skandali qe i parapriu vrasjes së katërfishtë në Tiranë.

“Autori i vrasjes, ishte në kërkim nga policia, por ai ishte ndryshe nga qytetarët e tjetë rë vendit, kishte privilegj e mbrojtje, ndaj bridhte lirshëm në Tiranë me pistoletë në brez. Zoti Rama, dje, sot, e gjithnjë do të jesh përgjegjës për këtë ngjarje të rëndë, pasi ti i ke dhënë imunitet vrasësit, i ke dhënë mbrojtje. Ai falë teje ishte i paprekshëm”- tha ajo.

Sipas saj, fakt është se; Xhuvani është në kërkim prej datës 26 prill të këtij viti. Dhe është në kërkim për vepra të rënda penale, për kanosje me armë të qytetarit, për armëmbajtje pa leje. Pra një rrezik potencial për shoqërinë. Por policia e lejon, sepse ai është djali i miqve të tu, ai ka lejen për të bërë ctë dojë. Sic rezultoi fatalisht, ka lejen edhe për të vrarë, dhe jo për herë të parë.

“Kjo është një përgjegjësi e rëndë, më e rënda që një politikan, apo më shumë, një kryeministër ka mbi shpatulla. Një përgjegjësi që ti z.Rama duhet ta mbash. Duhet ta mbash ti, ministri yt, drejtori yt i Policisë. Jeni sot në borxh me shoqërinë shqiptare. Duhet të veproni e të mbani përgjegjësinë, pasi ajo që ka ndodhur është një humbje dramatike e katër qytetarëve, një tragjedi për familjet e të afërmit e tyre, por është gjithashtu një vrasje e ligjit, e rregullit, e sigurisë publike në vend”- tha ajo.

Sipas saj nga kjo ngjarje ka dalë e qartë para gjithë shqiptarëve se krimi ka lidhje me qeverinë. “Se krimi ka një kryeministër. Që jeni ju z.Rama. Aq më shumë rëndohet pozita juaj, sa më shumë i ikni kësaj përgjegjësie, sa më pak skuqeni para kamerave teksa përsërini deri në mërzi dokrrat e përditshme. E keni kthyer Shqipërinë në një kamp internimi për qytetarët që vënë një tullë, që rregullojnë catinë e shtëpisë, që nuk paguajnë dot dritat se s’kanë me se të jetojnë, ndërkohë që krimi po arrin majat ku për një javë kemi 10 viktima. Jeni drejtpërdrejt përgjegjës për humbjen e katër jetëve. Ngjarja nuk do të kishte ndodhur pa imunitetin që i ke dhënë vrasësit. Mbani përgjegjësi. Mbajeni sot, tani”- perfundoi ajo.

SHKARKO APP