Dumani: Në godinën e re të BKH-së, dëshmitë do jenë me audio dhe video

Kreu i SPAK, Altin Dumani, në një deklaratë të fundit në mbledhjen e KLP është ndalur te performanca e hetuesve të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), duke theksuar se mes tyre ka profesionistë të shkëlqyer, por edhe të tjerë që lënë për të dëshiruar.
Dumani vuri gjithashtu në dukje se kushtet aktuale të punës në godinën ekzistuese nuk janë të përshtatshme për ushtrimin efektiv të detyrës. Sipas tij, mbipopullimi në zyrat e hetuesve, ku deri në pesë persona ndajnë një hapësirë, krijon vështirësi serioze, sidomos në marrjen në pyetje të dëshmitarëve.
“Kemi 60 hetuëes të BKH të ndarë në dy seksione. E kam thënë dhe tani e them sërish, kemi hetues të BKH shumë të mirë, të zbardhur në faqe, që edhe prokurorit ia bën punën më të lehtë. Ka edhe hetues që lënë për të dëshiruar. Ka një proces vlerësimi që bëhet nga BKH dhe Prokurorë të Posaçëm që testojnë çdo dy vjet hetuesit e BKH. Ka hetues dhe janë për të dëshiruar, është punuar fort për trajtimet e tyre nga BE, apo edhe projekte të tjera. Punohet shumë me ta. Kushtet nuk i kemi pasur të mira për të ushtruar funksionet hetuesit e BKH-së. Janë 4-5 hetues në një zyrë, çka e vështirëson qoftë edhe marrjen në pyetje të një dëshmitari. Tashmë godina e re është marrë dhe shpresoj që brenda këtij vitit të bëhet funksionale, ku hetuesit do të jenë në kushte më komode për të ushtruar funksionet e tyre. Në godiën e re janë parashikuar dhoma të veçanta për pyetje dëshmitarësh, duke u regjistruar me audio dhe video. Gjithashtu për të hetuarit dhe të pandehurit ka dhoma të veçanta për pyetje se të gjitha këto na ndihmojnë edhe ne”, u shpreh Dumani.