DW dhe VOA jehonë vizitës së Blinken në Shqipëri

DW SHKRUAN: Shqipëria pret sot Antony Blinken

Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken pritet të mbërrijë në Aeroportin e Rinasit rreth orës 11:00, duke filluar një ditë të ngarkuar me takime që do të zgjasin deri në orën 19:00 të së enjtes në Tiranë. Departamenti Amerikan i Shtetit ka bërë të ditur në faqen zyrtare se ndalesa e parë e Sekretarit Blinken do të jetë në Ambasadën Amerikane në Tiranë, ku do të përshëndesë stafin që punon aty. Në orën 13:35, Sekretari do të takohet me disa shtetas afganë që kanë aplikuar për viza speciale emigrimi në Shqipëri, dhe që qëndrojnë këtu nga viti 2021, pas rikthimit të talebanëve në pushtet.

Për rreth 30 minuta, duke nisur nga ora 15.05, Sekretari Amerikan i Shtetit do të pritet në Institucionin e Presidencës për t’u takuar me kreun e shtetit shqiptar, Bajram Begajn. Sipas agjendës së publikuar nga Departamenti Amerikan, takimi mes kryediplomatit amerikan dhe kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, do të nisë në orën 16.15, që do të pasohet edhe me një dalje të përbashkët për mediat në orën 18.10. Pjesë e agjendës së Sekretarit është edhe nënshkrimi i një memorandumi Mirëkuptimi për Kundër Manipulimit Informativ të Shtetit të Huaj në Tiranë.

Swiss Digital Desktop Reklama

Swiss Digital Mobile Reklama

Fokusi i vizitës – e ardhmja e Shqipërisë dhe e Ballkanit Perëndimor

Vizita njëditore e sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, do të këtë në fokus të adhmen e Shqipërisë dhe të Ballkanit Perëndimor. Zëvendës Ndihmës Sekretarja e Shtetit për Çështjet e Evropës dhe Euroazisë, Yuri Kim nënvijëzoi se Blinken do të veçojë bashkëpunimin e Shteteve të Bashkuara me Shqipërinë. “Ne duam të vëmë në pah bashkëpunimin e mirë që kemi me Shqipërinë, ne duam t’i falënderojmë që ishin mikpritësit kryesorë për afganët në nevojë dhe për vazhdimin e traditës shqiptare për t’i strehuar ata që janë në rrezik”, u shpreh Kim.
Ndërsa zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller, para vizitës së Sekretarit Blinken në Shqipëri, vlerësoi qëndrimin e vendit si kryesuese e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe si kryesuese e OSBE-së për vitin 2020.
‘’Shqipëria është një partner kyç për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor dhe një aleat i qëndrueshëm në përkrahje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës” – tha Miller.
Në Shqipëri vizita e kryediplomatit amerikan është konsideruar historike, ndërsa kryeministri Edi Rama tha se “Sekretari Blinken në Tiranë do të gjejë një vend aleat të angazhuar për paqen, stabilitetin demokratik dhe bashkëpunimin e gjithanshëm në rajonin tonë”.

Tirana nën masa të rrepta sigurie

Ardhja e Sekretarit Amerikan të Shtetit po pritet nën masa të larta sigurie. Të angazhuar në terren janë rreth 1000 forca policie, ndërkohë që janë bllokuar zonat ku Blinken do të ketë takime. Prej orës 19:30 të së mërkurës ka nisur ndalimi i parkimit të automjeteve në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe disa prej rrugëve që lidhen me këtë bulevard. Po ashtu është ndaluar levizja e automjeteve nga Rinasi, ku ndodhet Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës.
Krahas masave të sigurisë, në dy anët e Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” janë vendosur flamuj shqiptarë dhe amerikanë. Një poster me mbishkrimin: “Mirë se vjen, zoti Blinken” është shpalosur në fasadën e ndërtesës së Universitetit Politeknik të Tiranës në sheshin pranë Presidencës dhe Kryeministrisë. Kjo është vizita e parë e Antony Blinken në Shqipëri dhe e gjashta e një sekretari amerikan të Shtetit. Shqipërinë e vizitoi në vitin 1991 James Baker, pasuar nga Madeleine Albright në vitin 2000, Colin Powell në vitin 2003, Hillary Clinton në vitin 2012 dhe John Kerry në vitin 2016.

VOA SHKRUAN: Sot vizita e Sekretarit amerikan të Shtetit Blinken në Tiranë

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken pritet të mbërrijë sot paradite në Tiranë, në vizitën e tij të parë dhe të gjashtën të një shefi të diplomacisë amerikane në Shqipëri që pas rrëzimit të rregjimit komunist. Bulevardi kryesor i kryeqytetit shqiptar që prej ditës së djeshme është zbukuruar në të dy anët e tij me flamujtë shqiptarë dhe amerikanë. Ndërsa në fasadën e Universitetit të Tiranës, godinës e cila ngrihet si pika fundore e këtij bulevardi është vendosur një foto gjigande e zoti Blinken, duke i uruar atij mirëseardhjen. I njëjti poster i përdorur sot që në mëngjes nga kryeministri Edi Rama në llogarinë e tij në Facebook.

Gjatë qëndrimit në Tiranë, “Sekretari Blinken do të konfirmojë marrëdhëniet e afërta ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë”, bëri të ditur Departamenti amerikan i Shtetit kur njoftoi zyrtarisht vizitën e tij në kryeqytetn shqiptar, duke vënë në dukje se Shqipëria cilësohet si “një partner kyç për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor dhe një aleat i qëndrueshëm në përkrahje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës.”

Ndërsa dy ditë më parë Zëvendës ndihmës sekretarja e Shtetit për Çështjet e Evropës dhe Euroazisë, Yuri Kim tha se vizita e Sekretarit të Shtetit Antony Blinken në Shqipëri të enjten do të përqendrohet tek “ e ardhmja e Shqipërisë, e ardhmja e Ballkanit Perëndimor dhe ajo e Evropës”. Zonja Kima theksoi se “vizita vjen pasi ne kemi hyrë në 100 vjetorin e dytë të marrëdhënieve SHBA-Shqipëri dhe në një kohë kur duam të falenderojmë kryeministrin Rama dhe shqiptarët për rolin e tyre si bashkëpenëmbajtës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së nga viti 2022 deri në 2023. Shqipëria është tani në Këshillin e të Drejtave të Njeriut”.

Nga ana e tij kryeministri Rama ka vënë në dukje se “ardhja e një Sekretari të Shtetit, në këto kohë kaq të trazuara për botën, si edhe zgjedhja për ta vizituar rajonin tonë duke u ndalur pikërisht në kryeqytetin shqiptar, kanë një vlerë të veçantë për Shqipërinë”. Ai ka nënvizur se “Sekretari Blinken në Tiranë do të gjejë një vend aleat të angazhuar për paqen, stabilitetin demokratik dhe bashkëpunimin e gjithanshëm në këtë rajon, një vend të përkushtuar të NATO-s, të vendosur pa rezervë në mbështetjen e luftës së Ukrainës mike për lirinë dhe mbijetesën e saj dhe një Shqipëri mirënjohëse për miqësinë e pazëvendësueshme dhe për mbështetjen pa rezerva të Shteteve të Bashkuara në rrugën e transformimit tonë rrënjësor, e posaçërisht në këtë kohë, një Shqipëri falënderuese për partneritetin e çmuar të Shteteve të Bashkuara në reformimin historik të sistemit të drejtësisë”.

Studiues të ndryshëm kanë vënë në pah se vizita e sotme e Sekretarit Blinken merr një rëndësi të veçantë për të gjithë Ballkanin Pernëdimor, duke dëshmuar angazhimin amerikan në këtë rajon përballë përpjekjeve destabilizuese të Rusisë. Në këtë kontekst ajo shihet dhe si një vlerësim për rolin e Shqipërisë dhe faktorit shqiptar për qëndrueshmërinë e rajonit.

Sekretari Blinken pritet të mbërrijë rreth orës 11.00 dhe do të qendrojë në Shqipëri deri në mbrëmje. Zyrtarisht, deri më tani, janë parashikuar takime të tij me Presidentin Bajram Begaj dhe me Kryeministrin Edi Rama, me të cilin do të ketë dhe një dalje për mediat. Zoti Blinken do të takohet edhe me një grup prej rreth 100 të rinjsh, që kanë studiuar në programe të ofruara nga Shtetet e Bashkuara si Fulbright dhe Programi i Vizitorit Drejtues Ndërkombëtar, IVLP.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A mendoni se Shqipëria pranohet në BE deri në vitin 2030?