DW: Fushata në Shqipëri si garë imazhesh, pa koncepte politike
Elona Elezi (DW)-
Shqipëria voton të dielën kryetarët e bashkive. Ekspertët për DW: Një fushatë ku i apelohet emocioneve dhe largohet votuesi nga aftësia për të menduar i kthjellët.
Fushata për zgjedhjen e kryetarëve të bashkive në Shqipëris sivjet ngjante më shumë me një fushatë për zgjedhje parlamentare, sesa për pushtetin lokal. Partitë më të mëdha politike patën një muaj intensiv me takime me banorët, ku më shumë se për premtime elektorale u investua në fotografi dhe video, ku të gjithë dukeshin të lumtur e në humor të mirë. Askush nuk i pyeti votuesit për problematikat apo shqetësimet e përditshmërisë.Në këtë fushatë, prioritet patën fjalimet e gjata të liderëve politikë dhe u vu re një strategji e re e marrëdhënieve me publikun, e cila i anashkaloi temat e rëndësishme për të cilat duhej folur e premtuar zgjidhje. “Ne ecim para, ne ecim para, ne ecim para dhe nuk e kthejmë më kokën mbrapa”… Vargje të thjeshta, për t’u kuptuar nga kushdo dhe muzikë tallavá: kjo ishte kënga e përzgjedhur nga Partia Socialiste shqiptare për zgjedhjet lokale të 14 majit. Kryeministrit të vendit Edi Rama, njëkohësisht edhe kryetar i kësaj force politike, i mjaftoi vetëm një postim i këngës në llogarinë e tij zyrtare në Facebook më datë 11 prill, për të hedhur “grepin” e për të hapur debatin e parë të këtyre zgjedhjeve në opinionin publik shqiptar.
Retorikë pa logjikë apo argumente
Një “grep” i ri ky në strategjinë e tij të PR-it, i cili i parapriu një fushate dinamike më shumë se një mujore, me shumë valle e aheng, nën sloganin “Kurrë më mbrapa, vetëm përpara”. Strategjia ndryshe e Ramës vjen në një kohë kur këto zgjedhje janë të rëndësishme për rikonfirmimin ose jo të pushtetit të tij politik, i cili gjatë kohëve të fundit është lëkundur nga akuzat kombëtare dhe ndërkombëtare, që nga afera e inceneratorëve e deri tek përfshirja e emrit të tij në dosjen e korrupsionit të një zyrtari të lartë të FBI-s amerikane.
Retorikë larg njerëzve, sipas ekspertes së komunikimit Edlira Gjoni, retorika e kësaj fushate nuk ka logjikë apo argumente. “Retorika e përdorur është ajo me të cilën janë rehat politikanët shqiptarë: apeli ndaj emocionit, frikës, ankthit. Kjo retorikë është e vetmja që ofron pika të përbashkëta me votuesin: emocioni! Sepse logjika, argumentet e faktet flasin për një Shqipëri luksi ku jetojnë politikanët, e një Shqipëri në pritje për t’u bërë mirë si me magji pas secilës palë zgjedhje. E kjo është Shqipëria ku jetojnë votuesit që mpihen nga dozat e forta të propagandës, frikës dhe ankthit, të gjitha emocione të forta që ngjall retorika e përdorur nga secila prej palëve” – thotë Gjoni për Deutsche Welle-n (DW).
Ndërsa Ervin Goci, profesor i Gazetarisë dhe Shkencave të Komunikimit dhe aktivist i shumë kauzave të shoqërisë civile, thotë për DW, se retorika e kësaj fushate është krejt ndryshe nga ajo e viteve të mëparshme. “Do thoja që me kalimin e viteve gjuha e partisë në pushtet bëhet gjithmonë e më e orkestruar, më e koduar, instrumentalizohet. Për asnjë moment nuk lëshohet që të bëhet si pronë e publikut, pra të kthehet në diskurs, por është vetëm nxitëse, elementare, shoqëruar me gjeste somatike të ngarkuara, të cilat për qëllim kanë ta zbrazin fjalën dhe të lidhen emocionalisht me elektoratin”. Nga ana tjetër, eksperti Goci argumenton se në kahun opozitar kandidatët për kryetarë bashkie kanë më tepër pavarësi nga liderët e tyre politikë dhe kanë më tepër hapësirë për të shprehur mendimet e tyre. “Përjashtim bëjnë vetëm disa kandidatë të opozitës që me mençuri kanë ditur që në fillim të sheshojnë mosmarrëveshjet brenda partisë dhe kanë përshtatur një gjuhë më lokale, më të thjeshtë, më të drejtpërdrejtë, dhe duke politizuar me masë”.
Muzika përcakton mënyrën se si perceptohet kandidati apo partia
“Grepi” i këngëve Partia Socialiste dhe koalicioni “Bashkë fitojmë” u ndanë në dy kampe edhe kur u bë fjalë për përzgjedhjen e një kënge identifikuese për fushatën. E para zgjodhi një këngë tallavá, ndërsa e dyta një këngë rebelimi dhe rezistence. “Mendoj se kënga e Partisë Socialiste është e mirëstudiuar, e cila nuk mund të mos të të mbetet në mendje si motiv. Është një përzierje muzikore e fabrikuar bashkë me kompozimin demografik të pjesëmarrësve në klip, është një paketim i mirëfilltë ku folku popullor përzihet me logon e partisë, është njëfarë tentative për të bërë konfuzion, për të shmangur debatin real me taksapaguesit. Nga ana tjetër opozita ka zgjedhur rrugën e këngëtarit të angazhuar Renis Gjoka, që në fakt është një vazhdimësi e protestave përpara zgjedhjeve, por nuk e shoh shumë këngën të integruar me mesazhin apo semantikën e fushatës, po duket më shumë si mbështetje estetike” – analizon Goci për DW.
Edhe për Gjonin, përzgjedhja nuk ka qenë rastësore. “Mund të duket sikur muzika nuk ka ndonjë rëndësi të veçantë në fushatë elektorale, por e kundërta është e vërtetë. Muzika përcakton mënyrën se si perceptohet kandidati apo partia dhe historikisht është përdorur për çështje të mëdha. Zgjedhja aktuale e PS-së është mëkat në kurriz të fuqisë së muzikës dhe arsyes pse është përdorur ajo në histori. Kemi një kalim nga fushata me “Wind of change”, “Don’t stop”, “We are the champions” , “The final countdown” apo edhe këngët shqip, të cilat kanë mbartur mesazhe të forta ndryshimi apo shprese, dhe zbresim tani tek kënga tallavá dhe kërcimet nëpër sheshe e lulishte, njëlloj si nëpër filmat e periudhës së diktaturës, kur kooperativistët na shfaqen të papërmbajtur nga lumturia teksa kërcejnë rreth autokombajnave në fushatat e korrjes e të shirjes” – thekson ekspertja e komunikimit Gjoni.
Mungesë premtimesh, retorika dhe strategjia e re e komunikimit më së shumti nga Partia Socialiste, duket se e kanë zbehur rëndësinë e premtimeve elektorale. Nëse Gjonit do t’i duhej të zgjidhte një lider politik apo kandidat nga këto zgjedhje, për qasjen më pozitive dhe më afër qytetarëve, ajo mendon: Asnjëri! “Nuk ka llogaridhënie, nuk ka skuqje fytyre kur bëhen premtime. Madje, nuk bëhen fare premtime. Kjo është një fushatë ku i apelohet emocioneve dhe largohet votuesi nga aftësia për të menduar i kthjellët. Do doja shumë të shihja në ekran ndonjë takim elektoral te kodrat e akacies, ullinjve, liqenit, diellit, portës blu apo parajsës së gjelbër, ku jeton paria financiare e vendit. A e dëgjojnë ata këngën e socialistëve? A kërcejnë dorë për dorë me krye-fushatorin? Nuk e dimë!” – thotë Edlira Gjoni./DW/