DW: Incidentet ndëretnike në Serbi dhe dyfytyrësia e Vuçiçit

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, shkoi në Priboj “për të ulur tensionet ndëretnike”. Por analistët thonë, se vizita është bërë vetëm për t’u paraqitur para bashkësisë ndërkombëtare si faktor paqeje dhe stabiliteti.

Incidentet që ndodhën ditët e fundit në Priboj, një qytet i vogël në kufi me Bosnjë-Hercegovinën, kanë shqetësuar dukshëm popullatën boshnjake në këtë qytet. Por kanë reaguar edhe autoritetet e Serbisë. Gjatë Krishtlindjeve ortodokse më 7 janar, një grup të rinjsh të paidentifikuar në Priboj kënduan “Është Krishtlindje, qëlloni me armë xhamitë”. Ndërsa disa ditë më parë një grup policësh kufitarë të Pribojit kënduan këngë ku bëhej thirrje për përsëritjen e krimeve të Srebrenicës, Vukovarit, Novi Pazarit e Sjenicës. Ndaj 12 policëve ka filluar procedura disiplinore, ndërsa presidenti serb Aleksandar Vuçiç shkoi për vizitë në Priboj – për të ulur tensionet ndëretnike.

Ministri i Policisë, Aleksandar Vulin, deklaroi se “në MPB nuk ka vend për sjelljet si ato në Priboj” dhe njoftoi, se është formuar një grup punues dhe se “organet disiplinore të MPB-së do të vendosin për dënimin e policëve.” Gjatë seancës së Kuvendit të Serbisë, deputeti i Partisë së Aksionit Demokratik (SDA) të Sanxhakut, Enis Imamoviç, i dërgoi një pyetje Prokurorisë Publike, siç tha ai, “jo për shkak se i beson, por për të tërhequr vëmendjen se sa institucionet inkurajojnë dhe lejojnë përhapjen e urrejtjes ndërnacionale dhe fetare”. Ai rikujtoi se policia ka kryer krime në Sanxhak, konkretisht në Priboj në vitet 1990 dhe se tani jemi dëshmitarë të rritjes së sërishme të kërcënimeve.

Atmosfera e urrejtjes

Disa organizata joqeveritare në Serbi theksuan, ndër të tjera, se fushata disamujore e mbështetjes së kriminelëve të luftës që është zhvilluar në Serbi, si dhe gjuha e urrejtjes në rrjetet sociale, çoi në një atmosferë intolerance, ku boshnjakët shpallen të padëshiruar në atë zonë dhe në Serbi. Ata e vlerësojnë reagimin e shtetit ndaj incidenteve të tilla si tepër të butë ose shpesh inekzistente dhe i bëjnë thirrje shtetit të Serbisë që të ndalojë përhapjen e urrejtjes dhe frikësimin e boshnjakëve në Sanxhak.

Vizita e presidentit Vuçiç në Priboj shihet nga Goran Miletiç, drejtor i Mbrojtësve të të Drejtave Civile për Evropën, vetëm për qëllime të caktuara. “Vuçiç nuk foli në Beograd për mbishkrimet e mbështetjes së Ratko Mlladiçit dhe glorifikimin e kriminelëve. Ndërsa me shkuarjen në Priboj ai nuk mund t’i rregullojë të gjitha këto tani”, thotë Miletiç për DW.

Stereotipet

Incidentet e përmendura duhet të shihen si pjesë e atmosferës së përgjithshme shoqërore, e cila është krijuar prej shumë vitesh, thotë për DW, Sonja Biserko, kryetare e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi.

“Kjo atmosferë është krijuar në radhë të parë nga mediat e kontrolluara prej shtetit, por edhe nga pjesa e komunitetit akademik që vazhdimisht i promovon këto stereotipe për boshnjakët në Serbi, si dhe për myslimanët në Ballkan në përgjithësi. Nuk ka pasur asnjëherë një zbërthim të këtyre stereotipeve, por ato ndizen kur është e nevojshme. Tani definitivisht ka marrë hov dhe është aktualizuar projekti i “botës serbe”, sepse vlerësohet se mund të ketë ardhur koha që të realizohet”, thotë Biserko për DW.

Mbështetja e Dodikut

Ngjarjet në Sanxhak dhe qëndrimi i qeverisë serbe ndaj kësaj pjese, në asnjë mënyrë nuk mund të ndahet nga qëndrimi i Serbisë ndaj Bosnjë-Hercegovinës dhe Republikës Srpska, e në fund të fundit as nga qëndrimi ndaj Milorad Dodikut, theksojnë bashkëbiseduesit e DW. Goran Miletiç beson se raporti i Serbisë ndaj Bosnjë-Hercegovinës nuk kanë qenë “kurrë më i keq”.

“E vetmja gjë që vjen nga Serbia është se ajo është e përkushtuar ndaj Marrëveshjes së Dejtonit. Por në terren është gjithçka ndryshe”. Serbia nuk po luan rol konstruktiv, sepse ka frikë si para luftës në B-H. Sa për Dodikun, ai nuk do të thoshte dhe nuk do të bënte asgjë që nuk mbështetet nga Serbia. Për ata që nuk e besojnë këtë, duhet theksuar se Dodiku është i pranishëm pothuajse në çdo hapje të një fabrike, ure apo ndonjë gjëje tjetër në Serbi. Mesazhi është se Serbia qëndron pa rezerva pas të gjithave që ndodhin në B-H”, thekson Goran Miletiç.

“Faktori i paqes dhe stabilitetit”

Sonja Biserko shton se “Sanxhaku prej kohësh është perceptuar si pjesë e ‘transversalit të gjelbër’, ku bëjnë pjesë Turqia, Maqedonia e Veriut, Kosova, Sanxhaku, Sarajeva dhe kjo tezë përcakton në masë të madhe qëndrimin ndaj popullatës myslimane në përgjithësi. Nga ana tjetër, ka mendime se Vuçiçi ka shkuar në Priboj, “vetëm për t’u paraqitur para bashkësisë ndërkombëtare si faktor paqeje dhe stabiliteti”, tha kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi.

“Nga ana tjetër mbështeten të gjitha ato organizata të djathta dhe nacionaliste, të cilat prishin stabilitetin dhe rrisin tensionet në rajon përditë. Mund të thuhet se ky manipulim ka qenë i suksesshëm me aktorët ndërkombëtarë në vitet e kaluara, por hapësira për manipulim tani është zvogëluar me ardhjen e administratës së re amerikane”, thotë Sonja Biserko.

Ekstremistët

Drejtori i Civil Right Defenders for Europe Miletiç thekson, se pas qëndrimit dashamirës ndaj grafiteve për Ratko Mlladiçin, “u pa se këto grupe kanë mbështetjen e autoriteteve”. Kjo u pa edhe pas sulmit “vandal të fundit ndaj Pride info center”, që është vetëm disa hapa nga presidenca e Serbisë. Autoritetet nuk kanë ndërmarrë masa ndaj personave që kanë kryer këto sulme, shpjegon Miletiç.

Goran Miletiç vëren se hapi i parë në metodologjinë e Vuçiçit është një ndarje artificiale “ku aktivistët e të drejtave të njeriut paraqiten si ekstremistë, të cilët kundërshtohen nga grupe të tjera ekstremiste e ai e paraqitet këtë si një konflikt midis dy ekstremeve”. Ndërsa Vuçiç del në fund dhe e paraqet veten si një politikan të moderuar që zgjidh problemet. “Këtë metodologji e kemi njohur nga koha e Millosheviçit, i cili donte të tregohej shumë më i mirë se radikalët.Por më duket se kjo mënyrë e qeverisjes nuk mund të zgjasë shumë, përfundon Goran Miletiç./DW

SHKARKO APP