Dy grupet në PD, Gjekmarkaj: Shkak interesat personale dhe egoizmi. Duhet një lider i ri përbashkues
Në selinë blu vijojnë që të jenë dy grupe. Ajo e kreut të PD-së, Sali Berisha dhe e kreut të grupit parlamentar, Enkelejd Alibeaj. Ndaj dhe Agron Gjekmarkaj, deputet dhe nënkryetar i Kuvendit, thotë sendarja është për shkak të egoizmit dhe interesave personale. Për të demokratët duhet të kërkojnë fajin tek deputetët, por në fakt duhet ta drejtojnë gishtin te Berisha dhe ish-kreu i partisë, Basha. Si zgjidhje ai thotë se është koha për një lider të ri përbashkues.
”Demokratët e Shqipërisë mund të kërkojnë fajin te deputetët, por duhet ta vënë gishtin te Berisha dhe Basha, janë burimi i fatkeqësive. Mund t’i kërkojnë te Basha por nuk mjafton, Berisha e ka sjellë atë dhe e ka mbajtur dhe kur Basha i doli kundër ai e hoqi. Kjo s’do të thotë që Berisha është një lider që nuk vlen, por e ka konsumuar kohën e vetë politike e historike.
Unë e kam dashur dhe e kam votuar shumë herë, për mua është e dhimbshme që kjo parti sot të kthehet në një parti lokale ku përfaqëson vetëm zonat rurale të vendit. Berisha tha që do ta hapë PD-në por ka ish-ministra dhe njerëz të përfolur. Kjo parti nuk është hapur, qasja që ka pasur me pjesën tjetër ka qenë asgjësuese, unë e shoh veten jashtë të dyja grupeve. Unë e shoh veten te PD e votuesve, unë jam te PD sa mundem dhe sa di i shërbej opozitarizmit.
Duhet të investohet për një lider të ri përbashkues. Liderin e prodhon vota por për të shkuar aty duhen disa vullnete, duhet vullnet i madh nga Berisha, edhe nga lideri i vogël Basha, që mos të bëjë llojin e rikthimit, nëse do kthehej do e bënte për interesat e veta. Druaj se fjalët e mia do vërtetohen shpejt”,-tha në ”News 24”.