Dy gurët e parë në sheshin “Skëndërbej”, nga Tropoja e Vlora. Rama: Po zëvendësojmë pampersin
Vendoset pllaka e parë në sheshin Skënderbej, Rama për Veliajn: “T’lumtë dhe mos të humbtë”

Nis puna për shtrimin e pllakave në sheshin “Skëndërbej”. Kryebashkiaku Veliaj dhe kryeministri Rama vendosën dy gurët e parë, njërin nga Tropoja dhe tjetrin nga Vlora.
Veliaj: Sot sheshi do ketë 50% pllakë, madhësia është 28 mijë metra katrorë. Barazimi i pjesës së ngurtë me atë të gjelbërimit krijojnë një ekosistem që është më i pranueshëm për dimrin e ftohtë dhe verën që po bëhet gjithmonë e më e nxehtë.Kemi 120 shatërvanë në shesh që me praninë e ujit, riciklimin e ujit të shiut do bëjë që i gjithë ky ekosistem të funksionojë në mënyrë të pavarur nga furnizimi me ujë.Parkingu sot është realitet falë dëgjesave me publikun.Çdo hapësirë i kemi dhënë një nocion të 2 apo 3 fishtë që gjithë sheshi me tregun dhe parkingun të jetë sa më funksional. Sheshi do ketë gurë dhe pllaka nga gjithë Shqipëria. Dy gurët që do vendosim sot me kryeministrin, njëri është nga Tropoja dhe tjetri nga Vlora. Kemi nga të gjitha trevat përfshirë Çamërinë, Kosovën, Manastirin. Kjo jo vetëm është një metaforë dhe simbolikë e bashkimit kombëtar që Tirana është një shtëpi e hapur e të gjithëve por ka dhe funksion ekonomik. Ky shesh ka qenë një përbashkim i gjithë trojeve tona. Sapo ka filluar një ekspeditë e bimësisë. 1500 pemë dy herë më të larta se unë dhe Edi Rama janë porositur dhe janë në proçes transportimi.
Ndërsa mori pjesë në nisjen e punimeve për shtrimin e pllakave në sheshin “Skëndërbej”, kryeministri Edi Rama shigjetoi demokratët dhe ish-kryebashkiakun Basha për zvarritje të projektit dhe shëmtim të sheshit.
Por, Rama shtoi se këto vonesa i bënë mirë projektit, duke e transformuar dhe përmirësuar në përmbajtje.
Rama: Tregojmë sytë për të gjithë ata që i kanë syrë, një rilindje që është në prag të kurorëzimit.Koha pavarësisht se solli zvarritje të gjatë të projektit nga një anë i bëri mirë projektit.Projekti që po finalizohet sot nuk është terësisht projekti që u nis shumë vite më parë dhe që pastaj u bllokua dhe pastaj u zëvendësua nga një pampers në mes të Tiranës.Është projekt i zhvilluar dhe transformuar në një metaforë urbane fantastike për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Rama nënvizoi simbolikën e sheshit, që ka shërbyer gjithmonë si pikë referimi në kryeqytet.
Rama: Ky shesh ka qenë gjithmonë një pikë referimi për të gjithë ata që vinin në Tiranë, për të gjithë ata që zbrisnin nga treni, për të gjithë fëmijët dhe për të gjithë ata që për të provuar se kishin qenë një herë në Tiranë bënin fotografi me Skëndërbeun.Ka qenë pikë referimi për shqiptarët që jetojnë jashtë kufinjëve të Shqipërisë, shqiptarët e Kosovës së lirë dhe të pavarur, shqiptarët e Maqedonisë, Luginës së Preshevës, Malit të Zi dhe kudo ku jetojnë.
Kryeministri e përshkroi finalizimin e projektit si një qilim unikal të thurur me gurë nga të gjithë trevat shqiptare, e që shprehu bindjen se për do flasë dhe historia e urbanistikës bashkohore botërore-europiane.
Rama: Ajo që projekti ka fituar nuk është përmasa e re në sipërfaqen e tij, por përmbajtjen. Sheshi do jetë një qilim unikal i thurur me gurë nga të gjitha trojet shqiptare ku do rrinë pranë e pranë gurët e Malishevës, Konispolit, Tropojës, Manastirit në një mozaik fantastik.Jam i bindur se historia e urbanistikës bashkohore botërore-europiane do flasë për këtë aspekt të sheshit, një sipërfaqe urbane unike. Sheshi ka fituar një dimension të ri edhe në aspektin e gjelbërt.Do jetë një shesh i ndërtuar në respekt të plotë të historisë.
Kreu i qeverisë tha se për fatin më të mirë të kryeqytetit, sot përputhet qeveria në sinergji me Bashkinë e Tiranës.
Rama: Nuk ka kryeqytet në botë përveç Tiranës që të braktiset nga qeveria e vet. Kryeqytetet janë sa të bashkisë dhe të qeverisë. Kjo sinergji sot falë përkushtimit të jashtëzakonshëm shembullor të kryetari të bashkisë dhe skuadrës së tij. Por mos harrojmë se as vizioni dhe as skuadra dhe as përkushtimi nuk do ishin materializuar nëse nuk do kishte qenë vota e qytetarëve të Tiranës që vendosi ta rikthejë Bashkinë e Tiranës nga një fjetore e improvizuar të kryetarit të bashkisë, në shtëpinë e përbashkët ku realizohen ëndrrat e përbashkëta. Dua ta mbyll me një shprehje tironse për Erionin: ‘T’lumtë dhe mos të humbtë’.
KOHA JONË SONDAZH

