Skandali 80 mijë dollarë, Rama politikani i parë shqiptar i “dënuar” në SHBA

Skandali i vitit 2012, ku për një foto me Presidentin Brak Obama, Edi Rama pagoi 80 mijë dollarë është zbardhur thuajse plotësisht nga drejtësia amerikane. Gjatë 7 viteve, hetimet e SHBA kanë zbuluar skemën e mashtrimit dhe kanë dënuar 2 persona.

I pari është Bilal Shehu, shqiptaro-amerikani që i siguroi ftesën Edi Ramës duke përdorur emrin e gruas së tij. Në këtë mënyrë Shehu futi në takimin e mbledhjes së fondeve të Barak Obamës, Edi Ramën për të realizuar foton. Por Bilal Shehu nuk i ka paguar nga xhepi i tij 80 mijë dollarët. Ai u dënua për mashtrim ndaj ligjeve amerikane me gati një vit burg, të cilat më pas u konvertuan në liri me kusht. Puna e tij në këtë “operacion” ishte të siguronte vetëm hyrjen e kandidatit për kryeministër në atë kohë në takim.

Personi i dytë i dënuar me 4 muaj burg, pak ditë më parë, William Argeros, një qytetar amerikan nga Florida. Sipas mediave amerikane, avokati i të dënuarit William Argeros, ka deklaruar se klienti i tij po vepronte në emër të kandidatit për kryeministër në Shqipëri, Edi Rama. Prokurorët amerikanë arritën të provojnë se William Argeros ja dha paratë Bilal Shehut një shqiptaro-amerikani, i cili ishte i ftuar në aktivitetin ku futi dhe kryeministrin Edi Rama për të bërë foton e famshme me Obamën. Por në gjyq Argeros ka pranuar se paratë i ka marrë nga një “burim i jashtëm”, pa e specifikuar emrin se nga kush dhe si. Por Aregros ka treguar se për kë e bëri shërbimin dhe në të gjithë dosjen emri i Edi Ramës nuk fshihet. Drejtësia amerikane e bëri hetimin e saj dhe ndëshkoi autorët e mashtrimit. Ligjet amerikane ndalojnë financimet e huaja për fushatat politike amerikane dhe ky është rasti i parë kur një politikan shqiptar faktohet se ka shkelur ligjet e SHBA. Ky dënim në SHBA në fakt është dhe një vendim gjyqi kundër Edi Ramës. Gjykatat provojnë se kryetari i PS-së dhe kandidati për kryeministër i Shqipërisë në vitin 2012 ka shkelur ligjet amerikane. Ndaj Ramës nuk ka një hetim në SHBA, por moralisht kryeministri shqiptar bëhet i pari politikan që praktikisht është dënuar, pas dënimit të dy bashkëpunëtorëve të tij.

Por nëse SHBA ka gjetur fajtorët për shkeljen e ligjeve të saj për financimet e huaja, në Shqipëri ende nuk e dimë se si i futi në SHBA Edi Rama 80 mijë dollarë. Nuk ka asnjë faturë për këto para dhe asnjë llogari bankare. Një shumë e tillë nuk është deklaruar në KQZ dhe as në pasqyrat e Partisë Socialiste. PS ka kërkuar hetimin e Lulzim Bashës për çështjen e fondeve në fushatë duke e akuzuar edhe për lidhjet me rusët, pasi një media në SHBA bëri një gjasme artikull investigativ. Personalisht Edi Rama ka kërkuar hetimin dhe dënimin e Bashës dhe ka vënë në lëvizje prokurorinë, e cila ka thirrur në pyetje gjithë drejtuesit e PD, disa herë. Ndërkohë, ka dy vendime gjyqi në SHBA që e përmendin Edi Ramën si njeriun që ka qenë pas skemës së 80 mijë dollarëve dhe në Tiranë as është bërë ndonjë verifikim.

Ky është rasti i parë kur një politikan shqiptar del fajtor për një aferë korruptive në një shtet të huaj. Për foton e Edi Ramës dy qytetarë në SHBA po bëjnë burg, vetëm se pranuan të jenë pjesë e skemës për kalimin e parave. Ndërkohë ai që pagoi paratë dhe përfitoi nga fotoja nuk jep minimalisht asnjë sqarim edhe pse dy procese gjyqësor në SHBA e shpallin fajtorë moralisht.

Historia e fotos 80 mijë dollarëshe

  • Në shtator 2012, Bilal Shehu, shtetas shqiptaro-amerikan, mori në llogarinë e tij bankare shumën prej 80 mijë dollarësh nga një burim i huaj.
  • Pas disa ditësh, Shehu ia dhuroi këtë shumë fushatës për rizgjedhjen e Presidentit Obama.
  • Si rezultat i dhurimit, ai fitoi mundësinë të merrte dy bileta për të marrë pjesë në një darkë me ftesa të organizuar nga Presidenti Obama.
  • Për këtë qëllim, në fillim të tetorit 2012, ai udhëtoi në San Françisko për të marrë pjesë në darkën në fjalë, së bashku më ish-kryetarin e opozitës Edi Rama.
  • Shtetasit të huaj, pra Edi Ramës, iu mohua hyrja në aktivitet, por atij ju lejua, sidoqoftë, të bënte një fotografi me Presidentin Obama, ndërsa ky i fundit po hynte në sallë.
  • “Financuesi” i 80 mijë dollarëve, të kanalizuara ilegalisht në Fushatën Obama, ishte William Argeros.
  • Sipas hetuesve amerikane, me shumë gjasa, transferta e 80 mijë eurove pati si origjinë një kompani me qendër në Shqipëri.
  • Nga Shqipëria, paratë hynë në SHBA përmes një operacion të fshehtë qarkullimi parash, duke përdorur dërgesa të njëpasnjëshme në një sërë vendesh të ndryshme me qëllim fshehjen e origjinës së tyre.
  • Skema e financimit të paligjshëm ishte e mendur dhe e përgatitur me kujdes që më parë, mes Edi Ramës, shoferit të taksisë Bilal Shehut dhe një greko-amerikani të quajtur Uilliam Argeros.
  • Bilal Shehu shkeli ligjin elektoral të SHBA-ve, i cili i ndalon nënshtetasit e huaj të kontribojnë direkt apo indirekt në zgjedhjet amerikane të të gjitha niveleve dhe u dënua me 1 vit. Po ashtu dhe Uilliam Argeros u dënua për shkeljeve të ligjeve amerikane me 4 muaj burg. Të dy kanë pranuar në gjykatë se veprimet i kanë kryer për Edi Ramën.

SHKARKO APP