E dashura Leyla, bën mirë ti dëgjosh edhe ‘banditët’
Nga Agron Gjekmarkaj/
E pamëshirshme në dukje përmes deklaratave ka qenë ambasada e SHBA-ve, qysh nga djegia e mandateve ndaj qëndrimeve dhe gjuhës së Lidershipit opozitar.
E në këso rastesh fillon një festival i madh hipokrizie e propagande e denjë për artikulimin tonë kulturor e politik të ditës. Togefjalëshat e tipit ‘ja Amerika foli’, ‘Amerika e vulosi’,’ Amerika di një gjë’ , ‘Opozita diku e ka shkelur’, ‘Ramen e do Amerika’ , ‘ti je me Amerikën apo kundër saj?’ i ndesh në shtyp, në ekran dhe në tavolinë?!
Në fakt, qoftë gjuha që përdori i dërguari Palmer, qoftë ajo e diplomateve si Leyla Moses-Ones, me parimet e demokracisë amerikane është tejet korrekte. Precedenti i djegies së mandateve dhe sidomos bojkotimi i zgjedhjeve lokale, janë shumë të rënda dhe bien si grusht në stomak për këdo. Logjikisht kështu do të duhej të ishte në çdo vend me demokraci normale.
Kur u miratua reforma në drejtësi u fol në media për biseda e mesazhe që Ambasada u dergoi deputetëve të caktuar në mënyrë që të siguronte votën e tyre pro duke i futur mes kulaçit dhe kërbaçit. Perceptimi qe, se po konsumohej një gjest amoral për një qellim të mirë. Në fakt do të kishte qenë shërbim i madh për pastrimin e politikes nëse Ambasada i publikonte dosjet e tyre sesa na la mbi kurriz deputet e politikan të shantazhueshem. Madje edhe kësaj here nëse do të kishte diçka për Opozitën shqiptare që nuk e dimë do të ishte shërbim i madh ndaj kësaj shoqërie dhe këtij kombi të na e thonë publikisht! Kësisoj qartësohemi edhe ne që mendojmë se opozita po bën gjënë e duhur. Megjithëse vështirë të besohet se në këtë vend ka forca politike apo politikanë të rangut të lartë që luftojnë kundër interesave amerikane.
Kur edhe Gramoz Ruçi sot e Fatmir Xhafaj dje janë bërë proamerikan të thekur kush dreqin ka mbetur tjetër në këtë vend pa ndryshuar bindje!! Madje Kryeministri e quante Trampin turpi i cilivizimit e sot te merr gjak në vetull për të, madje po i thahet gjuha teksa rend me lobues për ta takuar. Shqipëria ka një histori tragjike dhe paradoksale. Shumë kush është vrarë e persekutuar në këtë vend si ‘agjent’ i amerikanëve pikërisht nga etërit jo metaforik por biologjik të këtyre tipave që drejtojnë mazhorancen e sotme, ndërsa shumë prej pasardhësve të të vrarëve akuzohen nga Gramozi me shokë si antiamerikan. Nejse, djemtë dhe cucat e rilindjes modern tek nuk ve teksa kruajnë mjekrat spic dhe nishanet nën gushë mund të të akuzojnë për rënie në folklorizëm!!
Por ne që jetojmë këtu e dimë që ka mospërputhje të deklaratave me realitetin. Të rriturit po e po e dinë që bota e krimit , paratë e trafikut, abuzimi me pushtetin dhe administratën ndikojnë fort në rezultatin e zgjedhjeve por edhe fëmijët që politika si lë të rriten të qetë.
Tanimë ky fakt rri sa gjerë gjatë në dosjet e prokurorisë! Pushteti në gjashtë vite e ka dëshmuar qartë natyrën e vet sunduese e tejet korruptive dhe jo qeverisëse duke mos humbur asnjë rast për ta deligjitimuar opozitën, e përdhunuar atë! Vitet e fundit duke asgjësuar Gjykatën kushtetuese, atë të lartë dhe kapur sistemimin e drejtësisë në mënyrë kapilare i ka hequr asaj edhe mundësinë formale për tu ankuar! Ndërkombëtaret nuk kanë bërë asgjë ose shumë pak për të nxjerrë opoziten nga gjendja e fasades ! U bë ligji i Dekrimanilizimit po kush i pengoi punetoret e kanbisit tu hynin zgjedhjeve qysh e tek jua lypte xhani? Ambasadat? Jo jo , askush!!
Ligji kesaj anë ka vlerë vetëm në letër për sunduesit.
Ata nuk kanë qenë në gjendje të japin asnjë garanci. Sistemi i gjymtuar jo e jo dhe të gjitha këto e shtynë opozitën të dalë prej tij ! Sistemi I kontrolluar nga një njeri, ai që do duhej të ishte struktura e demokracisë , po e vriste thelbin e saj duke asgjësuar garancitë dhe institucionet e ankimimit. Demokracia në Shqipëri ka nevojë të rithemelohet dhe jo ti kërkohet opozitës të rikthehet në ‘ shtratin’ e Edi Rames për ta përdhunuar përsëri.
Nga ana tjetër diplomatet i përsërisin pa reshtur opozitës të tejkalojë vetveten, të harrojë pse i dogji mandatet dhe të hyjë në zgjedhje lokale megjithëse e dinë që Kryeministri po i pret me ‘kobure’ në dorë për ti ‘vrarë’ përsëri!
Pas këtij dimri të vështirë ai e ka më të domosdoshme se kurrë një ‘fitore’ të madhe !! Mendoni me çfarë kose ne dorë do tu ngjitej lëndinave të këtij vendi gjatë muajit qershor.
Ani i thonë, Bashes, shko e ‘vdis’ aty po garanci nuk japin as edhe një. Nga ana tjetër ata nëpërmjet presionit verbal po ndihmojnë Edi Ramen të gjejë paterica dhe të sajojë opozitë të re. ‘Opozita e re’ sot nuk është asgjë tjetër vetëm një departament i Rilindjes. Parlamenti aktual është tragjikomedi. Tek kjo përçapje shfaqet i mnershem dhe i tmerrshëm vizioni që ka Kryeministri ynë dhe këshilluesit e tij për pluralizmin. Ndërsa tek ata që kërcënojnë se do të trajtojnë partitë e opozitës si banda konturohet mundësia hipotetike për tu ndeshur me të gjithë ata që nuk e pranojnë këtë vizion domethënë me qytetaret! Egërsia me të cilën arrestohen se janë mbështetës të opozitës është fillimi i kësaj të vërtete që rrezikon të dalë jashtë kontrollit drejt një përplasjeje civile.
Me djegien e mandateve dhe bojkotimin e zgjedhjeve lokale si rruga e vetme që i ka mbetur Opozites , Basha i ka hequr çdo kujt mundësinë e lëvizjes antisistem duke e përvetësuar atë po kaq i ka pamundësuar jetën politike çdo subjekti me karakter kinse opozitar. Me të mirat dhe të këqijat e veta tani Opozita reale gravon përreth aksit PD-LSI me aleatë ! Ajo duhet të vazhdojë transformim e brendshëm të cilin e ka jetik pa rënë në kurthet e shumta që po i ngrihen ngamos. Dialektika politike e tre dekadave na mëson se pesha e pushtetit abuziv zë nën vete arkitektet e saj.
Kur garancitë nuk na i japin dot të huajt tanimë të lodhur me ne për 30 vjet, është koha që ato ti prodhojë vetë shoqëria pikërisht ata ‘ banditet’ që duan ti japin fund kësaj fasade korruptive.
Ndaj një lutje e kemi për zonjën Leyla Moses –Ones mos na kërkoni të pranojmë , ato gjera që në Amerike do të irritonin këdo , ato gjëra që do e çonin qytetarin tek interpretimi i asaj kushtetute madhështore e cila në emër të lumturisë u lejon atyre të ngrihen kundër qeverisë teksa asnjëri prej nesh këtu nuk po kërkon lumturi, vetëm pak normalitet e vërtetësi, mundësi për të hedhur një votë që numërohet në kushte lirie. Ndaj pasi dëgjon arsyet e qeverisë mirë është të takosh edhe ‘banditet’ që tanimë qartazi janë më shumë se gjysma. ‘Banditë’ të llojit të veçantë që kërkojnë demokraci me garanci ligjore ! Një sistem të ri politik.