E nisin Kushtetutën e re me shkelje
Zbatimi i Kushtetutës së re të miratuar unanimisht më 21 korrik ka nisur duke e shkelur atë. Institucioni i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi që duhet të ishte ngritur deri më datën 21 gusht, ende pret hedhjen e shortit nga Presidenti nga Presidenti i Republikës ndërsa po afrohet afati i ngritjes së institucioneve që do të bëjnë rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Konferenca e Kryetarëve ka caktuar në datën 30 gusht mbajtjen e seancës plenare për të miratuar ligjin e rivlerësimit, i cili do t’i hapë rrugë edhe ngritjes së institucioneve të tjera të sistemit të ri të drejtësisë.
Zbatimi i Kushtetutës së re pas miratimit të ndryshimeve me votat unanime të të gjithë anëtarëve të Parlamentit më 21 korrik, nis me shkelje kushtetuese. Kushtetuta e re hyri në fuqi me 11 gusht.
Kushtetuta e re parashikonte gjithashtu edhe datën 16 gusht për hedhjen e shortit nga Presidenti i Republikës për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, gjë që nuk ndodhi, pasi kryetari i shtetit argumentoi se nuk kishte bazë ligjore për kriteret, ndërsa darfti i ligjit për këtë çështje ndodhej në Komisionin e Reformës në Drejtësi.
Megjithatë pas miratimit të 7 ligjeve plotësuese të paketës kushtetuese, afatet pritet të pësojne ndryshime, të cilat do bazohen tek Ligji për Organizimin e Pushtetit Gjyqësor që pret votimin në Komisionin dhe parlament. Pas kesaj Presidentit te republikes i lind e drejta të hedhë shortin për të zgjedhur anëtarët e KED, institucionit të parë që do të ngrihet në zbatim të reformës.
Më pas do të jetë radha e dy institucioneve të rivlerësimit anëtarët e të cilave duhet të zgjidhen 45 ditë pas hyrjes në fuqi të Kushtetutës me datën 26 shtator.
Deri në këtë datë duhet të jenë zgjedhur anëtaret e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Kolegjit të Apelimit dhe Komisioneri Publik.
Konferenca e Kryetarëve të martën vendosi që seanca për miratimin e ligjit të vlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve të mbahet me datën 30 gusht dhe praktikisht nëse marrim të mirëqënë që do miratohet, atëhere deri me datën 26 shtator koha duket e mjaftueshme për zgjedhjen e anëtarëve të Komisioneve të Rivlerësimit.
Të gjitha institucionet e tjera janë brenda afatit, por që të garantohet ngritja dhe funksionimi i tyre, duhet të miratohen të 7-ta ligjet të ashtuquajtura të emergjencës. Kështu, brenda 6 muajsh nga miratimi i reformës, pra deri më 21 janar 2017, zgjidhet në Parlament Inspektori i lartë i Drejtësisë me shumicë kushtetuese prej 94 votash.
Pas Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, është radha e Këshillit të lartë gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë që duhet të ngrihen si institucione brenda 8 muajve nga miratimi i ndryshimeve kushtetuese, që do të thotë brenda 21 marsit të vitit 2017.
Me ngritjen e këtyre institucioneve i hapet rrugë zgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës së Lartë, të cilët emërohen nga Presidenti i Republikës brenda 10 ditësh pasi krijohet KLGJ.
Gjithashtu 2 muaj pasi krijohet KLP, më 21 maj, do të ngrihet edhe Prokuroria e Posaçme e cila do të zëvendësojë Prokurorinë e Krimeve të rënda.
Edhe pse afatet për të ngritur institucionet e reja të drejtësisë duket plotësisht të respektueshme, ngërçi i krijuar sërish në Komisionin e Posaçëm të Reformës në Drejtësi për ligjin e vettingut, situatat politike ta papritura në prag të vitit elektoral, si dhe pak muaj përpara zgjedhjes së Presidentit të ri, duket se do ta kthejnë miratimin e plotë të ligjeve të reformës në drejtësi në një sfidë të vështirë për politikën në Parlament.
KOHA JONË SONDAZH

