Edhe ambasadori britanik del kundër amnistisë fiskale: Mund të shfrytëzohen nga kriminelët
Shqetësimin e tij në lidhje me amnistinë fiskale, e ka shprehur dhe ambasadori i Britanisë në Tiranë. Alastair King-Smith tha në një intervistë për Tv Klan se ka pasur diskutime të shumta me qeverinë shqiptare. Më herët ishte ambasadorja e Francës në Tiranë, dhe ai i Gjermanisë që në mënyrë demostrative ikën nga një takim ku fjalën e mori kryeministri Edi Rama.
“I kemi dëgjuar me shumë kujdes, përfshirë kryeministrin dhe zyrtarë të tjerë të qeverisë. Gjithashtu dhe politikanë të ndryshëm dhe përfaqësues të shoqërisë civile. Ka një sërë shqetësimesh dhe mendoj se Mbretëria e Bashkuar ndan këto shqetësime me partnerët e saj ndërkombëtarë, si Bashkimi Europian.
Ne jemi të shqetësuar veçanërisht për mënyrën se si masa të tilla mund të shfrytëzohen nga kriminelët apo grupet kriminale për qëllime të ndryshme. Nuk është mbi bazën e principeve të amnistisë fiskale sepse në një mënyrë apo në një tjetër mund të ketë një ndikim pozitiv, por nga ana negative është se a mund të bëhet diçka e tillë duke shmangur kriminalitetin dhe problemet që masa të tilla sjellin.
Këto janë problemet që kemi në diskutimet e tanishme dhe do të vijojmë bisedimet mbi këtë çështje për t’u siguruar se nuk do të ketë impakt. Ne jemi me të vërtetë të shqetësuar për momentin, se propozimi aktual nuk do të shmangë problemet që fola pak më parë dhe situata mund të shfrytëzohet”.
Amnistia Fiskale është deklaruar nga qeveria si mundësia për të legalizuar paratë e të gjithë emigrantëve shqiptarë. Pasi u refuzua dhe u kundërshtua publikisht herën e parë që u propozua, u rikthye edhe njëherë me Këshillimin Kombëtar. Sipas projektligjit që është prezantuar deri më tani, shteti u jep mundësinë emigrantëve që të legalizojnë deri në dy milionë euro.