Edi Paloka: Task Forca tentoi të fus në kurth opozitën

Kryetari i Këshillit Kombëtar në Partinë Demokratike, Edi Paloka, në një intervistë për edicionin e orës 16:00 në SYRI TV, ka akuzuar policinë dhe task-forcën për veprime të njëanshme dhe politike kundër opozitës, duke i vënë ato në shërbim të kryeministrit Edi Rama.

“Kush u kap nga policia? U proceduan, u ndaluan dhe madje u arrestuan pikërisht përfaqësuesit e opozitës, të cilët kishin kapur hajdutin,” u shpreh Paloka, duke nënvizuar se institucionet ligjzbatuese po veprojnë në funksion të pushtetit dhe jo të ligjit.

Sipas tij, task-forca është përfshirë në një plan të ngjashëm me atë që, siç deklaron ai, çoi në kurth kandidatin e opozitës në Himarë, Fredi Beleri. Paloka thotë se edhe në këtë rast po tentohet të përdoret një skemë e ngjashme për të goditur opozitën.

“Kam ca raste personale që dyshoj fort se janë provokime dhe ngritje kurthi. Po merrem me to dhe në momentin që do t’i vërtetoj, do t’i denoncoj publikisht,” u shpreh Paloka, duke shtuar se qëllimi është të përjashtohet opozita nga gara dhe të goditet përmes skemave të inskenuara.

Ai përmendi raste konkrete, duke theksuar se në vend që të merren me ata që “kanë përdorur çdo formë për të blerë, për të joshur, për t’i bërë presion votuesit,” task-forca është marrë me kandidatë si ata të Agron Dukës dhe Tom Doshit, të cilët, sipas tij, po i prishin punë Ramës.

Për të ilustruar më tej lidhjen mes qeverisë dhe task-forcës, Paloka përmendi rastin e kryetarit të bashkisë së Vaut të Dejës, i cili, sipas tij, pasi u akuzua nga Rama për “lojë me dy porta,” u godit menjëherë nga SPAK me një sekuestro.

“Më ashiqare, më hapur se kaq, bashkëpunimi i Ramës me task-forcën e SPAK nuk ka ku të dalë,” përfundoi Paloka.

Policia dhe task forca pra u vunë në shërbim direkt të Ramës, unë po them dhe diçka tjetër që e kam thënë edhe në momentin që do ta vërtetoj sigurisht do ta denoncoj edhe publikisht.

Kam përshtypjen që kjo task forcë është përpjekur të përdorë skemën e Belerit, si u fut në kurth Beleri, edhe këtë herë ndaj opozitës. Unë kam ca raste personale që dyshoj fort që janë provokime dhe ngritje kurthi, po merrem me to, në momentin që do t’i vërtetoj, do t’i denoncoj publikisht, por kam përshtypjen që task forca më shumë është marrë dhe është përpjekur të kapë opozitën në thonjëza edhe për këto raste, pra edhe për blerje, duke ngritur kurthe si rasti i Belerit i ngjashëm, sesa të merret me ato që realisht kanë përdorur çdo formë për të blerë, për të joshur, për t’i bërë presion votuesit etj.

Në fund fare kë kap? U mor me një kandidat të Agron Dukës dhe me ato të Tom Doshit që po i prishin punë Ramës.

Dhe thelbi ose simboli që vërteton këtë që unë po them është rasti i kryetarit të bashkisë së Vaut të Dejës, sot i vajti Rama dhe e akuzoi publikisht se po luante me dy porta, që nënkuptonte që po luante me Tom Doshin, mbas 2 ditësh i vajti SPAK dhe i bëri sekuestrim etj.

Më ashiqare, më hapur se kaq, bashkëpunimi i Ramës me task forcën e SPAK nuk ka ku të dalë.

SHKARKO APP